Aloviq Mihajlloviq: Madje 54 për qind e grave në Kosovë kanë përjetuar ndonjë formë ngacmimi

aljović mihajlović acdc
Burim: Kosovo Online

Madje 54 për qind e grave në Kosovë janë përballur me dhunë seksuale ose ngacmim, por numri i rasteve të raportuara është shumë më i vogël për shkak të mungesës së madhe të besimit në institucione, deklaroi menaxherja e programeve në Organizatën Joqeveritare Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike (ACDC) nga Mitrovica e Veriut, Ines Aloviq Mihajlloviq, duke theksuar se numri i incidenteve në veri të Kosovës është ulur që nga zbatimi i programeve të reja policore për mbrojtje dhe kthimi i zyrtarëve serbë në institucione.

“Në krahasim me periudhën para dy deri dy vjet e gjysmë, situata është përmirësuar në një përqindje të konsiderueshme, veçanërisht pasi zëvendëskomandanti i stacionit rajonal të policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani, disa muaj më parë doli me një plan të caktuar operacional, i cili parashikonte vendosjen e zyrtarëve shtesë që do të monitoronin ngacmimet e mundshme nga grupet që vinin nga Mitrovica e Jugut. Duke qenë se kjo çështje u diskutua publikisht, besoj se kjo ishte një sinjal për këto grupe që të reduktonin, sa të ishte e mundur, lëvizjen në drejtimin veri–jug. Numri i rasteve ka rënë”, tha Aloviq Mihajlloviq për Kosovo online.

Megjithatë, ajo thekson se rastet ende ekzistojnë dhe se ACDC ka dokumentuar më shumë se 150 raste, përfshirë edhe përvoja të grave që kanë përjetuar dhunë të drejtpërdrejtë.

“Sigurisht që ende ka raste, por në një masë shumë më të vogël se më parë. Më herët, gratë nga veriu mendonin se bëhej fjalë për incidente të izoluara, por më pas, duke u mbledhur dhe duke biseduar mes vete, kuptuan se ekzistonte një trend i rritjes së këtyre rasteve. Në një moment kishte vërtet shumë. Ne në mënyrë joformale kemi dokumentuar mbi 150 rrëfime të ndryshme të grave që kanë përjetuar ndonjë formë ngacmimi seksual. Disa gra kanë përjetuar edhe kontakt të drejtpërdrejtë fizik me autorët”, theksoi Aloviq Mihajlloviq.

Ajo paralajmëron se ende ekziston shqetësimi se ngacmimet që vijnë nga grupe të caktuara nga jugu mund të përsëriten, prandaj dokumentimi i rasteve bëhet pikërisht për masa shtesë parandaluese.

“Sigurisht, kjo ende nuk do të thotë se nuk ekziston hapësirë që grupe të tilla të mund të veprojnë përsëri në të njëjtën mënyrë, pra ne nuk kemi asnjë garanci se kjo nuk do të ndodhë sërish. Pikërisht për këtë arsye kishim nevojë që, në kuadër të një projekti të financuar nga Fondi Kanadez për Iniciativa Lokale dhe Ambasada e Kanadasë, t’i dokumentonim të gjitha këto dhe të kishim materiale konkrete, të prekshme, që në të ardhmen mund të shërbejnë për iniciativa të tjera, biseda dhe projekte që mund të zbatohen”, theksoi Aloviq Mihajlloviq.

Duke folur për përvojat e grave nga komunat me shumicë serbe, ajo tha se gratë që jetojnë në jug të lumit Ibër janë përballur me ngacmime seksuale për një kohë të gjatë, ndërsa këto incidente në veri u shtuan pasi përfaqësuesit serbë u larguan nga institucionet në vitin 2022.

“Gjatë dy deri dy vjet e gjysmë të fundit, që kur gratë kanë filluar intensivisht të dalin në publik dhe të ndajnë historitë e tyre, kemi pasur hapësirë që të shkëmbejmë përvoja mes vete – fatkeqësisht përvoja të këqija – por gjithsesi të kemi ndërveprim. Në këtë kuadër, duhet të them se gratë në komunat me shumicë serbe në jug të Ibrit e kanë këtë problem prej shumë më herët; ky problem ka filluar të shfaqet në ato komuna shumë më parë. Tingëllon e ashpër, por ato janë mësuar të përballen me këtë problem ashtu siç dinë. Për ne në veri kjo ishte diçka e pazakontë, pasi nuk kishim përvoja të tilla. Besoj se kjo lidhet me faktin se kryesisht zyrtarët nga komunitetet joshumicë ndodheshin në institucione. Si rrjedhojë, nuk kishim shumë ndërveprime me pjesëtarët e komunitetit shumicë deri në vitin 2022, kur zyrtarët tanë u larguan nga institucionet. Kjo ka një ndikim të caktuar në këtë problematikë”, përfundoi ajo.

Në veri të Kosovës, thotë Aloviq Mihajlloviq, mes grave ekziston një mosbesim i theksuar ndaj policisë, nga e cila viktimat shpesh përjetojnë viktimizim dytësor. Ajo thekson gjithashtu se viktimizimi dytësor nuk është problem vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin.

“Një tjetër problem i madh për gratë në veri është mosbesimi ndaj institucioneve, veçanërisht ndaj policisë. Nëse personi që në atë moment duhet të jetë dikush tek i cili mund të mbështeteni, kur vendosni të raportoni një formë ngacmimi apo dhune me bazë gjinore, nuk ju ofron siguri të mjaftueshme, sigurisht që nuk do të guxoni ta raportoni një gjë të tillë, për të mos përjetuar viktimizim dytësor. Ky është një problem, besoj, shumë i madh në gjithë Ballkanin, jo vetëm në Kosovë”, theksoi Aloviq Mihajloviq.

Sipas saj, gratë në Ballkan jetojnë në një sistem patriarkal dhe përballen me barriera të shumta që ai sjell, ndërsa dhunën nuk e raportojnë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhunë seksuale.

“Besoj se situata është e njëjtë në gjithë rajonin. Hulumtimi ynë ka treguar se madje 54 për qind e grave (në Kosovë) kanë përjetuar ndonjë formë ngacmimi, ndërsa një përqindje shumë më e vogël, rreth 14 për qind, e kanë raportuar problemin. Kjo na tregon qartë se ne të gjithë, në Ballkan në përgjithësi, e kam fjalën për grate, jetojmë në një shoqëri patriarkale, kemi shumë barriera, shumë kufizime dhe çfarëdo problemi që të kemi, veçanërisht nëse është i kësaj natyre, vendosim ta mbajmë brenda rrethit të familjes, miqve, të njohurve dhe shumë rrallë guxojmë të flasim për të publikisht”, shpjegoi Aloviq Mihajlloviq.