Binjaku: Korupsioni dhe mungesa e optimizmit pakësojnë ndjenjën e lumturisë tek qytetarët e Shqipërisë

Entela Binjaku
Burim: Kosovo Online

Profesorja e sociologjisë në Fakultetin e Shkencave Shoqërore në Universitetin e Tiranës Entela Binjaku beson se Shqipëria është në vendin e 86 në listën e vendeve më të lumtura para së gjithash sepse qytetarët janë të pakënaqur me korrupsionin, por dhe si pasojë e rënies së optimizmit dhe pasigurisë në këndvështrimin e së ardhmes.

Ajo vëren se Shqipëria, ndonëse këtë vit avancoi me tre vende në listë, vazhdon të jetë më e dobëta nga të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor. Kosova, shton, tani është në vendin e 16, ndërsa ishte në pozitën e 29, ndërsa Maqedonia e Veriut, B&H, Mali i Zi dhe Sërbia janë para Shqipërisë.
"Mendoj se arsyet përse Shqipëria është e renditur kaq poshtë, apo përse mund të konsiderohet më pak e lumtur se vendet e tjera, ka lidhje me faktorë sikurse niveli i korrupsionit. Qytetarët gjithnjë e më shumë thonë se janë të prekur nga korrupsioni, çka i bën ata më pak të kënaqur me mënyrën e jetesës në vendin tonë", tha për Kosovo Onlajn Binjaku e cila është drejtore egzekutive e Fondacionit “Harriet Martino”.

Ajo tregon dhe për rënien e nivelit të raporteve sociale, pra kualitetit të jetës shoqërore.
"Në të kaluarën, raportet shoqërore ishin karakteristike dhe të rëndësishme për Shqipërinë, por sot qytetarët theksojnë se kjo lloj marrëdhënieje është dobësuar. Pra, shikojnë se për ta gjithnjë e më e vështirë është të gjejnë dikë që të mbështeten, kush mund t'i ndihmojë në ditë të vështira. Arsyeja e tretë është rënia e besimit tek e ardhmja, pra mungesa e optimizmit. Qytetarët tanë kanë treguar se janë skeptikë dhe mjaft të pavendosur në këndvështrimin e asaj çka presin në të ardhmen. Këto janë tre faktorët kryesorë që kanë ndikuar tek kjo renditje të vendit tonë", thotë profesorja.
Kjo e fundit pohon se organizatat ndërkombëtare, veçanërisht ato me reputacion sikurse Gallup, kanë indikatorë mjaft të definuar për matjen e niveleve të lumturisë.

"Kryesisht, pyetësorët e këtyre hulumtimeve marrin në konsideratë aspekte të jetës ekonomike, kulturore e politike. Shpesh, qytetarët e anketuar shprehin pakënaqësinë e tyre rreth situatës ekonomike, nivelin e shërbimeve, pasigurinë në aspektin e të ardhmen dhe shprehin opinionet rreth zhvillimit të ngjarjeve në sektorë jetikë të ekonomisë dhe shërbimeve sikurse janë shëndetësia, arsimi apo inovacioni. Përgjigjet e këtyre pyetjeve ofrojnë të dhëna rreth elementëve kryesorë të jetës që ndikojnë në lumturinë e tyre. Pra, këto janë raporte shoqërore, siguria ekonomike dhe stabiliteti politik", tha Binjaku.
Kjo e fundit spegon se vendet skandinave, por dhe Holanda, Belgjika apo Luksemburgu, renditen më mirë se të tjerët për shkak të mënyrës se si e organizojnë jetën e qytetarëve të tyre.
"Këto vende janë shembull për të tjerët. Mënyra si veprojnë, si e organizojnë jetën ekonomike, shoqërore, kulturore, politike, por edhe si e respektojnë sundimin e ligjit, ndëshkojnë korrupsionin-paraqet leksione për të tjerët. Duke u kthyer tek rajoni ynë, sigurisht vështirë të rritet niveli i optimizmit mes njerëzve tanë sepse mosha mesatare po rritet dhe këtu po mendoj kryesisht për Shqipërinë. Ky nivel po i afrohet moshës mesatare të Europës, pra vendeve perëndimore. Në pothuajse të 11 qarqet e vendit, përjashto Tiranën, numri i njerëzve me moshë mbi 65 vjeç është më i lartë se pjesa tjetër e popullsisë. Pra, kjo rritje e moshës mesatare është kudo në Shqipëri dhe gjithashtu në një farë mënyre pasqyron vështirësinë që të ardhmen t’a shikojnë me optimizëm", thekson Binjaku.

Kjo beson se ky është mesazh përgjegjës për udhëheqësinë shtetërore.
“Qytetarët shprehin pakënaqësi me nivelin e korrupsionit dhe pasigurinë në këndvështrimin e të ardhmes, pavarësisht se kujt grupmoshe i përkasin. Këto janë mesazhe që politikanët duhet t’i lexojnë siç duhet. A është e vështirë të jesh optimist në këndvështrimin e së ardhmes? Patjetër që është e vështirë, por ajo çka e motivon më shumë një shoqëri si e jona të ketë më shumë vetëbesim dhe të jetë më e lumtur, është pikërisht rruga që ka zgjedhur vendi ynë dhe e cila mbetet rruga e integrimit në familjen e madhe të vendeve perëndimore, ku mendojmë se duhet të jemi dhe për çfarë përpiqemi më shumë”, konkludoi Binjaku.