FEG: Presionet ndaj gazetarëve në Kosovë në rastin e mediave sërbe janë përkeqësuar edhe më
Liria e mediave në Kosovë shënon rënie nga viti 2023 si pasojë e zhvillimeve negative çka kërkon reagim urgjent politik të qeverisë. Në rastin e mediave sërbe dhe të tjerave që nuk i përkasin komunitetit shumicë, presionet rriten më tej nga kërcënimet prej qeverive të huaja dhe qasja e kufizuar në informacionin publik në gjuhët e tyre, konkludon Misioni Ndërkombëtar për Lirinë e Medias, përfshirë Federatën Europiane të Gazetarëve (EFJ).
Pas vizitës dy-ditore në Prishtinë, koalicioni i organizatave për lirinë e medias në kuadër të Platformës së Këshillit të Europës për Sigurinë e Gazetarëve, njoftoi se niveli stabil i lirisë së medias në Kosovë, vend kandidat për anëtarësim në Unionin Europian, është zëvendësuar me periudhën e përkeqësimit gjatë tre viteve të fundit.
"Ndonëse Kosova ka një peizazh mediatik pluralist, nivel të ulët dhune fizike ndaj gazetarëve dhe përputhje të gjerë legjislative me standardet europiane e ndërkombëtare, standarde të caktuara të lirisë së medias janë minuar nga veprimet e partisë në pushtet Vetëvendosja", thuhet në konkluzionin e publikuar në uebsajtin e EFJ.
Bëhet e ditur se faktorët kryesorë për vlerësim të tillë janë shpallja e jokushtetutshmërisë së Ligjit për Median që u miratua dhe do të rriste kontrollin politik ndaj Komisionit të Pavarur për Mediat, financimi i pamjaftueshëm dhe presionet politike mbi Radio-Televizionin e Kosovës (RTK), si dhe rritja e vazhdueshme e targetimit verbal dhe nënçmimit të gazetarëve nga ana e politikanëve të partisë në pushtet Vetëvendosja.
Këto zhvillime, theksohet, "minuan trendin pozitiv të Kosovës në fushën e lirisë dhe zhvillimit të medias qysh nga shpallja e pavarësisë e kështu minuan statusin e saj si lidere e qartë rajonale në fushën e lirisë së medias në proçesin e pranimit në BE".
Kur është fjala për sigurinë e gazetarëve në Kosovë, përfaqësuesit e medias në masë të madhe shprehën besim në reagimin e fundit të prokurorisë, ndërsa delegacioni vuri në dukje dhe përshëndeti trajtimin e përmirësuar të gjykatave në këto raste.
Veçanërisht u përshëndet miratimi i Strategjisë së Këshillit Gjyqësor të Kosovës për përmirësimin e aksesit në drejtësi për periudhën 2026-2028, e cila i jep prioritet rasteve së sigurisë së gazetarëve, shpifjes dhe padive SLAPP të drejtuara ndaj gazetarëve, dhe sikurse u tha, tashmë jep rezultate pasi shumë raste janë zgjidhur shpejt para gjykatave.
Shtohet se numri total i rasteve të dokumentuara nga Shoqata e Gazetarëve të Kosovës, përfshirë nënçmimin, diskreditimin dhe ngacmimin onlajn të gazetarëve, veçanërisht nga ana e aktorëve politikë, është rritur drastikisht vitet e fundit, duke arritur kulmin në vitin 2025. Si burim kryesor të këtyre sulmeve, bëhet e ditur se janë politikanët e Vetëvendosjes.
“Trend veçanërisht alarmues që është identifikuar nga aktorë të shumtë në media, është shfrytëzimi i narrativave toksike nga zyrtarët e Vetëvendosjes, të cilët gazetërët që bëjnë pyetje legjitime, i portretizojnë falsifikisht si 'mercenarë' dhe 'agjentë' sërbë që financohen nga fuqi të huaja. Në rastin e mediave sërbe dhe mediave të tjera të komuniteteve jo-shumicë, këto presione përkeqësohen edhe më tej nga kërcënimet prej qeverive të huaja dhe qasja e kufizuar në informacionin publik në gjuhët e tyre", bëhet e ditur në konkluzionin e Misionit Ndërkombëtar për Lirinë e Medias.
Korniza ligjore për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë në masë të madhe mbetet në përputhje me standardet e BE dhe në vitet e fundit, asnjë gazetar nuk është arrestuar. Gjatë takimeve me përfaqësuesit e misionit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dha garanci me gojë se shpifja nuk do të kriminalizohet sërish, çka është në kundërshtim me thirrjet e fundit të disa zyrtarëve të lartë të Vetëvendosjes.
"Duke marrë parasysh atë që liria e medias është shtyllë kyçe e proçesit të pranimit të Kosovës në BE, qeveria aktuale duhet të bëjë përpjekje të konsiderueshme për të rimëkëmbur besimin tek kapacitetet e veta demokratike dhe të rikthejë në rrugën e progresit në fushën e lirisë së medias, të cilën vendi e ka arritur gjatë 15 viteve të fundit. Për të mbështetur këtë proçes, partnerët e misionit do të publikojnë raportin me gjetjet dhe rekomandimet për qeverinë, i cili do ndahet me Këshillin e Europës, Unionin Europian, Kombet e Bashkuara dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë", bëhet e ditur.
Misioni në Prishtinë u mbajt nga 24 deri më 26 mars. Delegacioni u takua me kryeministrin Albin Kurti, si dhe me redaktorë e gazetarë, përfaqësues të gjyqësorit, organeve rregullatore dhe transmetuesit publik RTK.
Në mision asistuan Shoqata e Gazetarëve Europianë (AEJ), Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Indeksi mbi Çensurën, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT) dhe Reporterët pa Kufij (RSF) nën mbështetjen e Shoqatës së Gazetarëve të Kosovës (AJK). Mision i ngjashëm u organizua në vitin 2022.
0 komentet