Nëna e Krstiqit të arrestuar nga Kamenica: E përmbysën të gjithë shtëpinë, na treguan vetëm një dokument në gjuhën shqipe
Radmila Krstiq, nëna e Dragan Krstiqit, drejtor i Shkollës Fillore “Desanka Maksimoviq” në Kamenicë, i cili u ndalua dje nga Policia e Kosovës, deklaroi se policët kanë kryer kontroll në shtëpinë e familjes, pas së cilës djali i saj u dërgua në stacion policor dhe nuk është kthyer më në shtëpi, transmeton TV Most.
Radmila Krstiq thotë se Policia e Kosovës të enjten në orët e mëngjesit erdhi para shtëpisë së tyre me një urdhër për kontroll, pas një raportimi se gjoja posedonin armë.
“Dje rreth orës tetë e gjysmë, policia u parkua para shtëpisë dhe prej saj dolën gjashtë apo shtatë policë. Hynë në oborr. Unë isha para shtëpisë. Thanë se po kërkonin Dragan Krstiqin”, rrëfen ajo.
Ajo shtoi se policët u thanë se familja Krstiq ishte raportuar për posedim armësh, ndërsa ajo u përgjigj se, sa dinte ajo, nuk kishin armë dhe se mund ta kontrollonin shtëpinë.
“Dragani ishte aty, e thirra dhe ai doli. I treguan një dokument. Gjithçka ishte në gjuhën shqipe, nuk kishte asnjë përkthim, gjithçka ishte vetëm në shqip”, theksoi Radmila Krstiq për Tanjug.
Sipas saj, policia kontrolloi në detaje të gjitha hapësirat e shtëpisë.
“Çdo dhomë, çdo cep, gjithçka që mundën e përmbysën dhe e kontrolluan. Edhe katin e sipërm, edhe bodrumin që kemi poshtë, si dhe objektet ndihmëse. I kontrolluan të gjitha. Thanë se do të zgjaste 10 minuta, por kontrolli dhe përmbysja e shtëpisë zgjati një orë e dhjetë minuta”, tregoi nëna e Dragan Krstiqit të ndaluar.
Ajo shtoi se pas kontrollit djali i saj u dërgua në stacionin policor për të dhënë deklaratë.
“Ai tha se po shkonte në polici, se duhej të jepte një deklaratë dhe se do të kthehej. Por nuk e liruan më dhe nuk u kthye. Ai merr ilaçe dhe ne ia dërguam ato. Vajza kishte mbrëmë maturën e vogël. Kur u kthye në shtëpi, qante dhe pyeste ku ishte babai. Gjithmonë na kanë maltretuar në këtë mënyrë. Ne jemi serbët e vetëm në atë rrugë. Na kanë djegur edhe veturat, na kanë hedhur bomba, çfarë nuk na kanë bërë”, thotë ajo.
Krstiq deklaroi se është krenare për djalin e saj dhe se ai nuk ka bërë asgjë të paligjshme.
Vjehrra e Dragan Krstiqit të arrestuar, Snezhana Arsiq, thotë se çdo ditë kanë probleme me institucionet e Prishtinës.
“Unë jam çdo ditë në polici duke raportuar dhunën që ushtrohet ndaj nesh. Ne kemi probleme me institucionet e tyre sepse jemi serbë, vetëm pse jemi serbë”, tha Arsiq.
Policia e Kosovës të enjten ndaloi Negovan Vasiqin, drejtor i Shkollës Fillore “Bratstvo” nga fshati Strezoc, dhe Dragan Krstiqin, drejtor i Shkollës Fillore “Desanka Maksimoviq” nga Kamenica. Atyre u është caktuar masa e ndalimit policor deri në 48 orë, ndërsa Zyra për Kosovë dhe Metohi njoftoi se ata janë ndaluar për arsye politike dhe me urdhër të Prishtinës.
Lista Serbe deklaroi se bëhet fjalë për presion klasik politik dhe se arrestimi është kryer në momentin kur, pikërisht në bazë të ankesës së Negovan Vasiqit si menaxher i qendrës së votimit, Lista Serbe kishte paraqitur ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për shkak të manipulimeve serioze me votat në vendvotimin në Bolevc.
Punonjësit e të gjitha shkollave fillore dhe të mesme serbe në Anamoravën e Kosovës mbajtën sot protesta për shkak të arrestimit të dy drejtorëve të shkollave fillore serbe në zonën e Kamenicës.
komentet