U shënua festa e pajtorit të Manastirit të Banjskës: Të jemi ata që ndërtojnë dhe jo ata që rrënojnë

Hramovna slava manastira Banjska
Burim: Kosovo Online

Në prani të një numri të madh besimtarësh, sot në Manastirin e Banjskës u shënuaua festa e pajtorit të kishës, Shën Stefani, protomartir dhe kryedhjak. Liturgjinë e shërbeu peshkopi vikar i mitropolitit të Malit të Zi dhe Bregdetit, peshkopi i Dioklesë, Pajsije.

Në predikimin e tij, peshkopi Pajsije u tha besimtarëve se qëllimi i çdo të krishteri është që mirësia dhe dashuria e Zotit të jetojnë brenda besimtarëve.

“Me jetën tonë nuk duhet ta largojmë Krishtin nga vetja, por ta lejojmë të banojë brenda nesh dhe në çdo gjë t’i nënshtrohemi vullnetit të Zotit. Sot kremtojmë Shën Stefanin, kryedhjakun, për të cilin thuhet se ishte plot me urtësi dhe mirësi hyjnore. Kjo u dëshmua kur, megjithëse i pafajshëm, e dënuan me vdekje. Ai tha: ‘O Zot, mos ua llogarit këtë mëkat’. Sot, kur kremtojmë pajtorin e kësaj faltoreje të lashtë dhe të shenjtë të Nemanjiqëve, lutemi që Zoti të na dhurojë edhe neve, me një zemër dhe një shpirt, urtësinë dhe mirësinë që ia kishte dhuruar atij. Kremtojmë Zotin tonë dhe shpresojmë se do të na dhurojë jetën e amshuar”, tha Pajsije, duke e uruar festën në emër të mitropolitit Joanikije, vëllazërisë së Cetinës dhe popullit të Malit të Zi.

Duke iu drejtuar besimtarëve, peshkopi i Novobërdës, Ilarion, porositi se duhet t’i falim edhe ata që na urrejnë, ndonëse kjo nuk është e lehtë.

“Këtu jemi mbledhur në vendin ku shfaqet lavdia e Zotit, por edhe në vendin e vuajtjeve tona. Të mos i harrojmë të gjithë ata që pësuan pafajësisht. Është e rëndësishme që toka të dëshmojë gjithçka që fsheh nën vete, që asgjë të mos mbetet e fshehur dhe që gjaku i askujt të mos klithë drejt qiellit. Veçanërisht këto ditë duhet të lutemi për vëllezërit dhe motrat tona, të cilëve po ua rrënojnë shtëpitë, të cilët po i rrahin, poshtërojnë dhe frikësojnë. Kjo nuk është hera e parë që ndodh, ndërsa unë, në emër të patriarkut serb, ju porosis se duhet të qëndrojmë dhe të ndërtojmë paqe me të gjithë njerëzit vullnetmirë. Ky është mesazhi i vetëm i dashurisë sonë. Ne jemi shërbëtorë të Ungjillit, të lajmit të mirë: të jemi ata që ndërtojnë dhe jo ata që rrënojnë, ata që ia thonë të vërtetën mbarë botës. Atë që këndojmë për Pashkë duhet ta bëjmë çdo ditë: t’u themi ‘vëlla’ edhe atyre që na urrejnë. E di se kjo nuk është gjithmonë e lehtë, por kjo është feja jonë”, porositi Ilarioni.

Ndihmësdrejtoresha e Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Milena Parliq, pas liturgjisë tha se ishte e nderuar që po e kalonte ditën mes një numri kaq të madh besimtarësh, të cilët çdo ditë dëshmojnë dashurinë ndaj fesë dhe popullit të tyre.

“Është një ditë e madhe për Kishën Ortodokse Serbe dhe popullin serb, kur kremtohet një festë veçanërisht e rëndësishme, sepse ajo ka fuqi dhe domethënie të posaçme për popullin dhe kishën serbe, duke pasur parasysh rrahjet brutale të pjesëtarëve të popullit tonë, bastisjet e dhunshme të shtëpive, marrjen me forcë të njerëzve pa asnjë shpjegim, shoqërimet në polici dhe gjykimet pa asnjë provë. Kohët janë të vështira, por sot një numër i madh banorësh të Zveçanit u mblodhën pa frikë dhe me dinjitet, jo me kokën ulur, por plot shpresë se Zoti do ta vendosë drejtësinë, sepse për popullin serb nuk ka drejtësi tokësore, botërore apo evropiane”, tha Parliqi.

Ajo vuri në dukje edhe rëndësinë e Manastirit të Banjskës, vakëf i mbretit Milutin.

“Mbreti ynë i shenjtë Milutin na e la këtë vend, i cili gjatë historisë ka qenë vend tubimi, force dhe qëndrese, vend dashurie dhe lutjeje. Me ndihmën e Zotit, i tillë do të mbetet. Paraardhësit na kanë lënë rrënjë që nuk mund të shkulin dhe as të arrestohen. Ato na mbajnë dhe ne mblidhemi, sepse paraardhësit na i lanë pikërisht për kohë të tilla të vështira, që këto rrënjë të jenë burimi ku do të na ripërtërihen forca dhe shpirti, në mënyrë që kështu të ringjallemi. Në emër të Zyrës për Kosovë dhe Metohi dhe drejtorit Petar Petkoviq, dëshiroj t’ua uroj këtë festë të madhe të gjithë besimtarëve. Dashtë Zoti që të mblidhemi në numër sa më të madh, në paqen dhe gëzimin e Tij”, tha Parliqi.

Ajo theksoi se shteti i Serbisë dhe Zyra për Kosovë dhe Metohi janë gjithmonë pranë Kishës Serbe, popullit besimtar dhe përfaqësuesve të tij të zgjedhur në mënyrë legjitime.

“Zyra për Kosovë dhe Metohi, që nga dita e parë, qëndron pranë popullit dhe kishës së vet, madje edhe kur nuk jemi fizikisht të pranishëm. Populli e di se jemi pranë tij me shpirt dhe me vepra, se komunikojmë çdo ditë dhe se përpiqemi, madje edhe përtej mundësive tona, të qëndrojmë pranë tij dhe pranë kishës”, përfundoi Parliqi.

Pas liturgjisë, besimtarë të shumtë mbushën oborrin e kishës, ndërsa në prononcimet për mediat theksuan se lutja është ajo që u jep forcë, kurse besimi në Zot është ai që i mban në këto troje. Ata thonë se Zoti ua dëgjon lutjet, sepse, sado të vështira të jenë kohët, serbët mbeten dhe vazhdojnë të jetojnë në këto treva.

“Kjo ka shumë rëndësi për ne. Kemi përshkuar rrugën nga Nishi, përmes Gjermanisë dhe Greqisë, dhe kemi mbërritur këtu. Kthehemi këtu çdo vit”, tha një nënë e pesë fëmijëve, e cila mori pjesë në liturgjinë e sotme së bashku me bashkëshortin.

Një banor i moshuar i Zveçanit tha se kjo kishë i ka mbledhur serbët ndër shekuj dhe se kështu do të mbetet edhe në të ardhmen.

“Këtu kemi lindur, jemi pagëzuar dhe martuar, kemi kremtuar fitoret dhe i jemi lutur Zotit kur kemi qenë në vështirësi. Këtë e dëshmojmë edhe sot dhe që nga shekulli XIV mblidhemi rreth kësaj faltoreje. Lutemi për shëndetin, për familjet tona dhe për atdheun tonë, Serbinë”, tha ai.

Një besimtare porositi se të gjithë duhet t’i luten Zotit që gjendja të përmirësohet.

“Tubimi rreth faltoreve ka shumë rëndësi për ne. I lutemi Zotit, secili në mënyrën e vet, ashtu siç di dhe mundet. Dashtë Zoti që të bëhet më mirë për të gjithë ne”, shtoi ajo.