Farizi: Diaspora e mbështet ideologjinë e Kurtit

Ljuljzim Farizi
Burim: Kosovo Online

Analisti politik Lulzim Farizi nga Shkupi theksoi se votat e diasporës edhe në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit do t’i shkojnë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se rikthimi i ish-presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk do të ndikojë që diaspora të ndryshojë mendim.

Farizi deklaroi për Kosovo online se në Kushtetutën e Kosovës ekzistojnë dy elemente problematike – zgjedhja e presidentit të Kosovës dhe zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, për shkak të të cilave, sipas tij, në Kosovë do të ketë gjithmonë turbulenca politike.

Ai vlerësoi se ndikimi i Osmanit në periudhën e kaluar ishte i kufizuar, ndërsa në dy vitet e fundit politika e Kurtit dhe Osmanit nuk ka qenë e harmonizuar, veçanërisht sa i përket politikës së jashtme të Kosovës.

“Osmani është përpjekur në njëfarë mënyre t’i kundërvihet, sidomos në kanalet diplomatike, të fotografohet pranë Trumpit dhe kjo i ka dërguar diasporës mesazhin se ajo është personi më me ndikim në shtet që dëshiron të krijojë aleancë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, duke pasur parasysh se në dhjetë vitet e fundit diaspora tradicionalisht voton për Kurtin dhe jo për ideologji të tjera, mendoj se diaspora do të votojë shumë pak për Osmanin, përveç mbështetësve të Lidhjes Demokratike që veprojnë në Evropë”, tha Farizi.

Ai theksoi se ndikimi i Kurtit te diaspora është i madh, ndërsa diaspora, siç tha ai, e mbështet ideologjinë e tij.

“Diaspora nuk do të ndikojë shumë në rezultatin e Vjosa Osmanit, sepse rreth 90 për qind e diasporës do të votojë për Kurtin. Ai është më i fuqishmi dhe më i organizuari në diasporë, e cila mbështet ideologjinë e tij, partinë politike dhe atë si lider që aktualisht është i pakonkurrueshëm”, porositi Farizi.