Gogiq: Përçarja me Osmanin do të ndikojë në rejtingun e Kurtit, priten presione të reja ndaj serbëve

Gogić
Burim: Kosovo Online

Përçarja me Vjosa Osmanin do të ketë pasoja për rejtingun e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme të 7 qershorit, ka theksuar politologu Ognjen Gogiq, i cili gjatë fushatës parazgjedhore pret presione të reja ndaj komunitetit serb dhe Listës Serbe, pasi partitë shqiptare do të përpiqen të fitojnë pikë politike duke larguar vëmendjen nga temat e brendshme.

Gogiq, për RTS, kujtoi se Osmani dhe Kurti ishin dyshja që udhëhoqi Kosovën në periudhën e kaluar dhe që dukej e pandashme.

Megjithatë, shtoi ai, Kurti nuk e mbështeti, për arsye që ende nuk i ka shpjeguar, rizgjedhjen e Osmanit në postin e presidentes së Kosovës.

“Ky përçarje nuk mund të kalojë pa pasoja për rejtingun e Kurtit”, theksoi Gogiq.

Ai vuri në dukje se Kurti në dhjetor fitoi një numër rekord votash falë votave të diasporës, gjë që iu mundësua nga Osmani duke caktuar zgjedhjet në një periudhë kur diaspora vjen në Kosovë.

“Tani gjërat kanë ndryshuar dhe zgjedhjet janë caktuar për fillimin e qershorit, kur diaspora nuk ndodhet në Kosovë në numër aq të madh. Problemi i dytë për Kurtin është përçarja me Osmanin. Shumë nga votuesit e tij ia kanë zënë për të madhe që nuk e mbështeti rizgjedhjen e Osmanit, vendim të cilin ai kurrë nuk e shpjegoi. Nuk pres që Kurti të mund të përsërisë rezultatet e dhjetorit, por me shumë gjasë do të arrijë rezultat të ngjashëm me atë të shkurtit të vitit të kaluar”, shpjegoi Gogiq.

Ai theksoi se popullsia lokale është e lodhur dhe e ngopur me ciklet zgjedhore të pasuksesshme.

Gogiq mendon se Kurti do të fitojë zgjedhjet, sepse ka një trupë elektorale stabile, por se në zgjedhjet e 7 qershorit do të ketë rishpërndarje votash, para së gjithash në favor të LDK-së.

Ai pret që opozita të ketë vota të mjaftueshme, së bashku me komunitetet joshumicë, për formimin e qeverisë.

Megjithatë, Gogiq thekson se mbetet pyetja nëse opozita do të ketë iniciativën për të formuar qeverinë, pasi mbi të rëndon barra e zgjedhjes së presidentit.

“Për zgjedhjen e presidentit nevojitet shumicë prej dy të tretash në parlament dhe çështja kyçe është nëse Kurti do të ketë mandate të mjaftueshme për ta bllokuar atë proces. Prandaj pres zgjedhje të reja në vjeshtë. Sërish nuk do të ketë shumicë stabile për zgjedhjen e presidentit dhe pa Kurtin kjo nuk do të jetë e mundur. Zgjedhja e presidentit do të tregojë sërish se është pengesë kryesore”, shtoi ai.

Gogiq tha se pritet edhe vendimi ndaj Hashim Thaçit, i cili do të ndikojë në zgjedhjet e reja që mund të pasojnë, ku ai gjithsesi do të jetë faktor në një mënyrë apo tjetër.

Ai theksoi se temën e UÇK-së e kanë përdorur pothuajse të gjitha partitë për përfitime politike, ndërsa nëse Thaçi do të kthehej në Kosovë, ai sigurisht do ta mbështeste partinë e tij, PDK-në.

Gogiq pret që gjatë kësaj fushate parazgjedhore të ketë “nxjerrje të rrobave të pista” mes Kurtit dhe Osmanit, ndërsa ish-presidentja do të përpiqet ta paraqesë Kurtin si antiamerikan dhe veten si person që angazhohet për bashkëpunim transatlantik.

Sa i përket komunitetit serb dhe Listës Serbe, Gogiq është i bindur se përsëri do të ketë probleme me pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje.

“Lista Serbe dhe komuniteti serb kanë rolin e kurbanit gjatë fushatës parazgjedhore, me qëllim që të zhvendoset vëmendja nga temat e brendshme dhe të fitohen pikë përmes nacionalizmit. Ka shumë gjasa që sërish të ketë probleme me verifikimin e kandidatëve të Listës Serbe. Pres që të përsëritet skenari ku KQZ nuk e verifikon listën e kandidatëve të Listës Serbe, gjë që më pas do të zgjidhet vetëm pas ankesës”, shpjegoi Gogiq.

Ai paralajmëroi se do të pasojë një sulm i ri i Kurtit ndaj institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë.

“Ajo që i shqetëson serbët është fakti se Kurti ka hapur çështjen e statusit të institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe, çështje që vazhdon të mbetet pezull. Mund të pritet një goditje e re ndaj këtyre institucioneve gjatë fushatës parazgjedhore”, theksoi Gogiq.

Ai kujtoi gjithashtu se më 15 qershor skadon afati për personat që jetojnë në Kosovë dhe që nuk kanë dokumente të Kosovës, pasi në praktikë ekziston problem për pajisjen me këto dokumente dhe rregullimin e statusit të tyre.

Sipas tij, tani është një moment i pafavorshëm kur nuk po diskutohet për këtë çështje.

Lidhur me deklaratën e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, se nuk pret dialog derisa situata politike të stabilizohet në Kosovë, Gogiq tha se edhe pse nuk ka kushte për takim në nivel të lartë, kjo nuk e liron Prishtinën nga obligimi për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.