A Gjykata Kushtetuese e ka zgjidhur më në fund apo vetëm ka komplikuar më tej krizën politike në Kosovë?

Ustavni sud, Skupština Kosova
Burim: Kosovo Online/Ilustracija

Meta është e njëjtë, por distanca duket shumë më e shkurtër. A mund të përshpejtojë procesin vendimi i Gjykatës Kushtetuese që parashikon vetëm tre tentativa për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe t’i japë fund gjashtë muajve të krizës institucionale? Edhe për analistët kjo mbetet një “pyetje me vlerë një milion dollarë”. Ata paralajmërojnë se ende nuk është e qartë çfarë ndodh nëse dështon edhe ky skenar: a pasojnë zgjedhjet apo interpretimet e reja të Kushtetutës së Kosovës.

Shkruan: Gjorgje Baroviq

Sot ka dështuar edhe tentativa e 55-të për konstituimin e parlamentit të Kosovës. Këtë herë sipas rregullave të reja.

Lëvizja Vetëvendosje fillimisht propozoj sërish Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, por pasi ky propozim nuk kaloi, ata dolën me një kandidat tjetër – ministren e Punëve të Jashtme në mandatin teknik, Donika Gërvallën. As aty nuk patën sukses dhe seanca u shty deri të premten.

“Mospektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është mosrespektim i Kushtetutës. Në këtë rast konkret, Gjykata vlerëson se për shkak të faktit që vazhdimet e deritanishme të seancës konstituive nuk janë mbajtur në përputhje me vendimin e mëparshëm, procesi duhet të kthehet në fazën ku ishte ndërprerë”, thuhet në arsyetimin e “rregullave të reja të lojës” të detajuara të hënën, por të miratuara formalisht nga Gjykata më 8 gusht.

Në këtë vendim konstatohet se kryesuesi Avni Dehari nga radhët e Vetëvendosjes nuk ka vepruar sipas vendimit të mëparshëm, prandaj të gjitha vazhdimet e seancës nga 27 qershori deri më 6 korrik shpallen të pavlefshme.

Me këtë aktgjykim, Dehari obligohet si kryesues që të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, i cili do të zgjidhet me votim public, deri në “tre herë” për të njëjtin kandidat.

Ndërkohë, nga kabineti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, theksojnë se konstituimi i shpejtë i institucioneve të reja sipas procedurave të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese është “me rëndësi jetike për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe interesat e qytetarëve”, por në qeverinë në mandat teknik mendojnë krejt ndryshe.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorolli, pretendon se me këtë vendim për konstituimin e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese ka hyrë në territorin e legjislativit, gjë që sipas tij përbën precedent të rrezikshëm, pasi gjykata bëhet ligjvënëse, e jo interpretuese e Kushtetutës.

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, vlerësoi se pavarësisht komenteve apo kritikave të ndryshme, vendimi i Gjykatës është përfundimtar.

“Vendimi është i prerë. Palët e përfshira kanë çdo të drejtë ta komentojnë, ta pëlqejnë, ta kundërshtojnë, ta lëvdojnë ose ta kritikojnë, por praktikisht kjo çështje është e mbyllur”, tha Kryeziu.

Megjithatë, për bashkëbiseduesit e Kosovo online, kjo çështje ende nuk është e mbyllur.

Futbolli, labirintet dhe vendimet

Profesori universitar Nexhmedin Spahiu pohon se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në fakt e ndërlikoi më tej krizën politike në Kosovë.

„Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës edhe më shumë e ka ngatërruar krizën politike për shkak se nuk jep dalje nga kjo situatë, dhe arsyeja për këtë është vendimi kushtetues i vitit 2014, kur u mor një vendim absurd, i palogjikshëm, që posti i kryetarit të parlamentit i takon partisë së parë (partisë me më shumë deputetë) dhe se për këtë duhet të votohet. Nëse i takon partisë më të madhe, pse duhet të votohet? E, nëse duhet të votohet, atëherë rregulli është që kryetar bëhet ai që merr më shumë vota, pa marrë parasysh nga cila parti vjen“, thekson Spahiu në intervistë për Kosovo online.


Ai thekson se Gjykata Kushtetuese, në vend që ta anulonte vendimin e marrë para 11 vitesh, me vendimet e reja hyn në një “labirint edhe më të thellë”.

„Gjykata Kushtetuese, në vend që ta anulonte atë vendim të para 11 viteve, vazhdon të futet gjithnjë e më thellë në atë labirint që nuk jep asnjë dalje. Imagjinoni që tani është përcaktuar se vetëm tri herë mund të votohet për të njëjtin kandidat. Por çka ndodh nëse asnjëri nga kandidatët që i propozon Kurti, gjë që është shumë e mundur, nuk merr shumicën e votave? Çka atëherë? Dhe e gjithë kjo brenda një afati prej një muaji. Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë zgjidhje për një situatë të tillë“, ka sqaruar Spahiu.

Ai shton se absurdi më i madh është se ende mbetet e panjohur se çka ndodh nëse brenda 30 ditësh dhe pas tre tentativave nuk zgjidhet kryetari i ri i parlamentit të Kosovës.

„Ata nuk e kanë sqaruar këtë. Kjo është një zgjidhje krejtësisht joprofesionale dhe jo-patriotike. Kjo është komplikim shtesë i një situate që është krijuar që nga ai vendim idiotik i vitit 2014. Edhe nëse shkohet në zgjedhje, nëse nuk anulohet vendimi i vitit 2014, çka nëse Kurti përsëri merr më shumë vota, por jo më shumë se gjysmën? Atëherë do të përsëritet e njëjta situatë dhe do të humbasim edhe një vit në procedura të palogjikshme dhe të padobishme për interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj“, thekson Spahiu.

Për ta përshkruar absurditetin e situatës, që sipas tij është një “idiotizëm”, ai jep shembullin e një ndeshjeje futbolli në të cilën pushteti dhe opozita janë ekipe, ndërsa Kushtetuta – rregullat e futbollit që i zbaton “gjyqtari në fushë”, pra Gjykata Kushtetuese.

„Imagjinoni një gjyqtar budalla që i interpreton rregullat në atë mënyrë që ndeshjen e fiton ekipi që pranon më shumë gola, e jo ai që shënon më shumë gola, ndërkohë që autogolat nuk vlejnë. Do të kishim dy ekipe që nuk do të luanin, sepse sapo një ekip të shënonte gol, do ta humbiste ndeshjen. Publiku – simpatizantët e pushtetit do t’i pyesnin opozitarët pse nuk po luajnë, e këta do të përgjigjeshin – luani ju. Pra, ata nuk janë fajtorë pse nuk luajnë, por fajtor është gjyqtari, në këtë rast Gjykata Kushtetuese, e cila ka dhënë një interpretim idiot të Kushtetutës së Kosovës“, thekson Spahiu.


Procedurat, agonitë dhe pyetjet

Drejtori strategjik në Qendrën për Politika Evropiane, Millosh Pavkoviq, beson se Kosova ngadalë po fundoset nga “kriza institucionale në krizë politike”.

Ai saktëson se Gjykata Kushtetuese ka ndalur një “agoni” – përsëritjet e vazhdueshme të seancave konstituive të kuvendit, por ka hapur një të re – mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të cilat janë “nën pikëpyetje të madhe” për shkak të përçarjes së forcave politike.

„Është fundi i agonisë sepse tani më në fund kemi një procedurë të qartë për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit dhe nuk do të jetë më e mundur ajo që ka ndodhur gjashtë muajt e fundit që institucionet të mbeten kaq gjatë të bllokuara. Tani, pas një muaji ose nëse pas tre tentimeve nuk zgjidhet kryetari i parlamentit, do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, gjë që në këtë situatë është skenari më i mundshëm. Me këtë hapet një agoni e re“, thekson Pavkoviq për Kosovo online.


Ai shpjegon se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë “nën pikëpyetje të madhe” nëse do të arrijnë të zgjidhin krizën institucionale ekzistuese për shkak të përçarjes së forcave politike.

„Kjo është një agoni e re, politike. Nga një krizë institucionale, po kalojmë në krizë politike“, thekson Pavkoviq.

Duke komentuar faktin se Gjykata Kushtetuese nuk i ka ofruar drejtpërdrejt zgjedhjet si zgjidhje, Pavkoviq thotë se kjo është një problem shtesë.

„Është e qartë që do të kërkohet sërish mendimi i Gjykatës Kushtetuese nëse pas 30 ditësh ose tre tentimeve nuk vjen deri te zgjedhja e kryetarit të parlamentit, gjë që e zgjat pasigurinë“, thotë ky analist.

Ai shton se nga perspektiva aktuale, duket se nëse lind një pyetje e re, Gjykata Kushtetuese duhet të ofrojë përgjigje përfundimtare.

"Thjesht për të shmangur një zgjatje shtesë të të gjithë krizës politike, por sigurisht që kjo mbetet një pyetje për aktorët politikë dhe Gjykatën Kushtetuese në Kosovë. Por edhe një pyetje për bashkësinë ndërkombëtare, nëse do të ketë ndonjë lloj ndërhyrjeje, sugjerimi apo presioni mbi aktorët politikë për të zgjidhur krizën. Këto janë të gjitha pyetje të hapura për momentin," thekson Pavkoviq.

Koalicione të dobëta” dhe “ujë i kthjellët”

Duke komentuar situatën e re pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, analisti politik nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, pohon se “pëlqeu apo jo”, gjyqtari ka vendosur.

„Nuk ka arbitër tjetër. Gjykatësi ka vendosur, të pëlqen ose jo. Ju e keni kërkuar dhe nuk ka mekanizëm tjetër, prandaj Vetëvendosja duhet ose të qetësohet dhe të pranojë këtë, sepse është e qartë që nuk ka vota as për zgjedhjen e kryetarit të parlamentit – që është kusht që procesi të ecë më tej – e as për qeverinë“, thekson Maliqi për Kosovo online.


Duke komentuar serinë e re të seancave konstituive të cilat, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të zgjasin më shumë se 30 ditë dhe deputetët kanë vetëm tre tentime që me votim publik të zgjedhin kryetarin e ri të parlamentit, Maliqi thotë se kjo procedurë duhet të respektohet, ndërsa është mbi Lëvizjen Vetëvendosje që të arrijë shumicën e nevojshme.

„Kanë 48 deputetë, por kjo nuk mjafton për të qenë në pushtet siç kanë qenë më herët“, ka saktësuar Maliqi.

Ai shpjegon se në një situatë kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është e vendosur që të mos dëshirojë një koalicion të tillë, ndërsa shumica me partitë e minoriteteve është vështirë e realizueshme, Vetëvendosjes i mbetet vetëm koalicioni me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

„Gjë që në njëfarë mënyre do ta rrëzonte tërë konceptin e tij (të Kurtit). Ai ka qenë kundër asaj qeverie, kundër Hashim Thaçit, dhe tani është pyetje çfarë do të ndodhte nëse ata do të bënin koalicion“, konsideron ky analist.

Ai e sheh zgjidhjen ose në një "qeveri të dobët" ose në zgjedhje të përsëritura.

Ai është i bindur gjithashtu se për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është me rëndësi që të “qartësojë” situatën duke pasur parasysh se në tetor mbahen zgjedhjet lokale në Kosovë.

„Në tetor janë zgjedhjet lokale dhe deri atëherë ai do ta qartësojë situatën rreth mbështetjes. Herën e kaluar Kurti ka kaluar katastrofikisht në zgjedhjet lokale. Ka fituar tre ose katër komuna. Është e qartë se po humb mbështetje, ndërsa ky periudhë vakumi i ka vetëdijesuar edhe disa njerëz të tjerë“, thotë Maliqi.

Ai precizon gjithashtu se lideri i Lëvizjes Vetëvendosje krenohet me faktin se në zgjedhjet e kaluara ka marrë mbi 50 për qind të votave, megjithëse 100 mijë vota ia sollën Vjosa Osmani dhe ish-votuesit e LDK-së.

„Ky është ai kontingjent votash që ‘lëviz’. Në zgjedhjet e kaluara LDK ka kaluar më mirë, prandaj kjo duhet të qartësohet. Kur uji qëndron, ai qartësohet kur fryn ndonjë erë“, porosit Maljiqi.

Politika, detyrimet dhe pengesat

Dragan Pashiq, një avokat nga Beogradi, beson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës është i detyrueshëm dhe se kryeministri në mandatin teknik, Albin Kurti, pengohet nga motive politike.

„Albin Kurti, i udhëhequr qartazisht nga motive politike, po pengon vendimin gjyqësor edhe pse është i vetëdijshëm se ai është detyrues, pasi gjykata është një pushtet i pavarur, i pavarur si nga ekzekutivi ashtu edhe nga legjislativi, por edhe garant i kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë“, ka deklaruar Pashiq për Kosovo online.


Ai saktëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës i datës 8 gusht ka hyrë në fuqi në momentin kur është arsyetuar, dhe se atëherë ka filluar të rrjedhë afati i paraparë prej 30 ditësh për konstituimin e kuvendit.

„Megjithatë, ai është detyrues për të gjithë, e sidomos për ata që janë në të ashtuquajturën qeveri teknike“, ka precizuar Pashiq.