Liberalizimi i vizave për Kosovën “shpërblim” pas 10 vitesh mosrespektim të Marrëveshjes së Brukselit

Priština
Burim: Kosovo Online

Në 10 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe një dekadë pritjeje që Prishtina të përmbushë obligimin e saj dhe të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe, nga Brukseli ka mbërritur “shpërblimi” për Kosovën – Parlamenti Evropian miratoi vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës në seancën plenare. Për ish-diplomatin Zoran Millivojeviq, nuk ka dyshim se ky është vetëm një hap i perëndimit në “rrumbullakimin e pavarësisë së Kosovës”, ndërsa Dragisha Mijaçiq, nga Konventa Kombëtare për BE-në, thotë se pavarësisht marrjes së liberalizimit të vizave, Qeveria e Kosovës nuk mund t'i shpëtojë obligimit të saj të formimit të BKS-së.

Parlamenti Evropian ratifikoi sot Marrëveshjen e arritur në fund të nëntorit ndërmjet Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian për liberalizimin e regjimit të vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës. Kjo marrëveshje u konfirmua në dhjetor nga ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, dhe në janar nga Komiteti për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Evropian, në mënyrë që të mbetet vetëm ky ratifikim formal në Parlamentin Evropian që të bëhet i vlefshëm ligjërisht. Qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e Shengenit vetëm kur të jetë funksionalizuar Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit, gjë që do të ndodhë jo më vonë se 1 janari i vitit të ardhshëm.

Marrëveshja e Brukselit është nënshkruar më 19 prill 2013 dhe po atë ditë, një dekadë më vonë, vendimi për liberalizimin e vizave duhet të nënshkruhet nesër solemnisht nga liderët e Parlamentit Evropian dhe Presidencës suedeze të BE-së. Dhe jo vetëm kaq, siç la të kuptohet Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, nesër, kur Prishtina ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe ka refuzuar të formojë BKS-në, procedura për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës mund të fillojë. Më saktësisht, aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, pas stanjacionit disa mujor, mund të jetë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate.

Ish-ambasadori Zoran Millivojeviq në një prononcim për Kosovo online thotë se nuk ka dyshim se liberalizimi i vizave për Kosovën është “një hap tjetër i Perëndimit drejt konfirmimit të shtetësisë së Kosovës dhe se është pjesë e strategjisë me të cilën lidhet plani evropian, bazuar në propozimin Shollc-Makron, i cili, sqaron, duhet të mundësojë anëtarësimin e veçantë të Serbisë dhe të ashtuquajturës Kosovë në Bashkimin Evropian”.


Ai rikujton se Komisioni Evropian dikur ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën si entitet dhe se “kjo është pjesë e strategjisë së lëvizjes së atij procesi dhe përfshirjes së të ashtuquajturës Kosovë në ato institucione dhe hapësira të kontrolluara nga Perëndimi”.

“Këtu e kam parasysh edhe Këshillin e Evropës, i cili është ekskluzivisht nën kontrollin e shteteve të BE-së, pasi Rusia nuk është më aty, që është edhe pjesë e përpjekjes për të forcuar shtetësinë e Kosovës. Është i njëjti mozaik, liberalizimi i vizave është vetëm një pjesë e tij. Liberalizimi i vizave duhet të ketë efekte edhe në skenën e brendshme të Prishtinës dhe disi të forcojë procesin e integrimeve evropiane të Kosovës dhe ta çojë përpara. Ky është kuptimi i gjithçkaje dhe dhënia e erës pas shpinë të autoriteteve të Kosovës. Kur ia shtojmë kësaj ngjarjet e fundit në Kosovë e Metohi, qëndrimin e Prishtinës në lidhje me BKS-në, e cila padyshim nuk ka ndërmend ta kryejë atë, duke mbajtur me çdo kusht zgjedhje të pakuptimta, të paligjshme dhe jolegjitime në veri - atëherë, sipas mendimit tim, e gjithë kjo tregon se në thelb qeveria e Kosovës me politikën e saj radikale ka mbështetje në Perëndim”, thotë Millivojeviq, i cili nuk pret ndonjë presion të veçantë ndaj Prishtinës për të ecur në drejtim të formimit të BKS-së.

Bashkëbiseduesi ynë përmend se zgjedhjet në veri të Kosovës të planifikuara për 23 prill janë pjesë e “pakos së njëjtë me liberalizimin e vizave”.

“Është pjesë e strategjisë që deri në fund të vitit të zgjidhet çështja e Kosovës në atë mënyrë që t'i përshtatet Perëndimit, gjatë mandatit të kësaj administrate në BE dhe SHBA. Konkretisht, vendimi për liberalizimin e vizave është diçka që praktikisht është rënë dakord edhe më parë, tani vetëm procedura po i vjen fundi, po e përsëris, ata e trajtojnë Kosovën si shtet dhe bëjnë gjithçka për ta konfirmuar atë shtet në çdo hap”, shton Millivojeviq.

Ai pret që të ketë ngecje në dialogun për normalizim sepse Serbia nuk do të heqë dorë nga qëndrimi i saj se BKS është çështje preliminare dhe se kjo është parakusht për vazhdimin e negociatave për çështje thelbësore.

“Marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohet dhe BKS të zbatohet siç është përcaktuar në marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015. Për Serbinë ky është kusht i të gjitha kushteve, pa atë nuk ka përparim në negociata, pavarësisht se çfarë është shkruar në Ohër. Marrëveshja, në fund të fundit, merret vetëm si platformë për negociata, nuk është as kontratë e as obligim. Ne kemi pranuar që do të jetë platformë për negociata dhe kemi pranuar dy gjëra atje - njëra është një marrëveshje për të zhdukurit dhe që të formohet një agjenci për të monitoruar zbatimin e marrëveshjes. Kjo nuk kontestohet. Por pala serbe nuk do të vazhdojë dialogun, përveç disa çështjeve teknike që njerëzit të jetojnë normalisht, për shembull për lirinë e lëvizjes. Por nuk ka negociata për çështje thelbësore derisa të zbatohet Marrëveshja e Brukselit dhe të formohet BKS. Vetëm mbi këtë bazë serbët mund të kenë disa garanci për mbijetesë dhe për një jetë normale dhe për pjesëmarrje në proceset politike, të kthehen në institucionit dhe për të vazhduar njëfarë dialogu për normalizimin.

Koordinatori i Konventës Kombëtare të BE-së për kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, mendon se vendimi i Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave nuk duhet të lidhet me dhjetëvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit apo me obligimet që ka Kosova ndaj formimit të BKS-së.

"Këto janë procese të ndara dhe duhet të shihen si të tilla. Komisioni Evropian ka konfirmuar në vitin 2018 se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet lidhur me liberalizimin e vizave, por ka munguar vullneti politik brenda Këshillit të BE-së për ta miratuar përfundimisht atë vendim. Në fund të vitin 2022, liberalizimi i vizave u miratua, ndër të tjera, për të rikthyer besueshmërinë e tronditur të Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe për t'i mundësuar Miroslav Lajçakut dhe Zhosep Borelit që të përfundojnë me sukses negociatat për Marrëveshjen për Normalizimin e Marrëdhënieve, e cila u arrit në shkurt të këtij viti”, thotë Mijaçiq për Kosovo online.


Kur bëhet fjalë për BKS-në, obligim për formimin e saj është përfshirë në Marrëveshjen për Normalizim, vëren Mijaçiq.

“Përveç kësaj, formimi i BKS-së është një kusht që i është dhënë Prishtinës për t'u anëtarësuar në Këshillin e Evropës dhe ndoshta do të jetë edhe kusht për marrjen e kandidaturës për anëtarësim në BE. Prandaj, Qeveria e Kosova nuk mund t'i shpëtojë obligimit për formimin e BKS-së, por pyetja është se në çfarë forme dhe me çfarë kompetencash do të formohet BKS-ja”, thekson Mijaçiq.

Profesori i shkencave politike nga Prishtina Nexhmedin Spahiu thotë për Kosovo online se vendimin për liberalizimin e vizave nuk e sheh si shpërblim për Kosovën, por si sugjerim se deri në fund të vitit pritet të arrihet një marrëveshje me Serbinë, e cila do të hapi rrugën për shpresën për një të ardhme më të mirë në Kosovë, në mënyrë që njerëzit të mos emigrojnë masivisht në Perëndim, veçanërisht kur hiqen vizat.

“Situata aktuale në Kosovë, sidomos në aspektin psikologjik te populli, është e tillë që llogaritet se edhe gjysma e popullsisë mund të largohet nga Kosova. Vendet e BE-së më herët mendonin se do të ishte më e dëmshme për Kosovën nëse hiqen vizat, sesa ndihmë. Tashmë pritet që zgjidhja e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ta ndalë trendin e emigrimit, të qetësohen gjërat dhe të krijohet një atmosferë zhvillimi. Prandaj u vendos që nga viti i ri qytetarët e Kosovës mund të udhëtoni në vendet e BE-së pa viza. Pse vetëm Kosova të jetë përjashtim, pa liberalizim të vizave”.


Fakti që vendimi për heqjen e vizave është caktuar në përvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit, kur pritet fillimi i formimit të BKS-së, për Spaihun nuk është kontestuese. Ai thotë se “Perëndimi pret që të formohet Bashkësia e Komunave me shumicë serbe” dhe se për këtë janë përkushtuar edhe autoritetet e Kosovës.

"Këtë e ka premtuar edhe qeveria e Kurtit dhe nuk është më kontestuese. Ajo që mund të diskutohet është nëse Serbia do t'i përmbushë obligimet e saj, për shembull, kur është fjala për hapjen e misioneve diplomatike në Beograd dhe Prishtinë. Kjo do të nënkuptonte njohje të heshtur e Kosovës, nëse Serbia hap mision në Prishtinë apo pranon misionin e Kosovës në Beograd, kjo është ajo që me ankth pritet jo vetëm në Kosovë por edhe në Perëndim”, thotë Spahiu.