Çfarë tregon lista e publikuar e viktimave në procesin kundër Hashim Thaçit dhe liderëve të tjerë të UÇK-së?
Prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë ka publikuar aktakuzën e plotësuar kundër ish-udhëheqësve të UÇK-së dhe për herë të parë u bënë publike emrat e 102 viktimave. Sipas Velko Odaloviqit, kryetarit të Komisionit të Qeverisë së Serbisë për Personat e Zhdukur, lista e përmendur nga Haga përfshin gjithashtu lokacione që Prishtina vazhdimisht refuzon t'i kërkojë dhe të cilat dyshohet se përmbajnë eshtrat e serbëve të zhdukur dhe të tjerë joshqiptarë të cilët ishin rrëmbyer dhe vrarë nga UÇK-ja në periudhën nga marsi 1998 deri në shtator 1999.
Odaloviq për Kosovo online thekson se vetëm në Likoc, fshat afër Skënderaj ku ndodhej shtabi famëkeq i UÇK-së, janë ende në kërkim shtatë persona të zhdukur.
“Lista e përmendur do të thotë se Prokuroria ka evidentuar krime që padiskutim kanë ndodhur, deri më tani ka qenë mjaft përshkruese dhe tani janë shfaqur emra dhe vende konkrete.
E Shikova listën, ka lokacione ku ne ende kërkojmë persona të zhdukur, le të themi se jemi ende në kërkim të shtatë personave të zhdukur në Likoc”, thotë Odaloviq.
Sipas fjalëve të tij, në lokacionet e listuara nga prokuroria e Gjykatës Speciale, kishte fushë ku njerëzit rriheshin, torturoheshin dhe vriteshin në mënyra monstruoze.
“Këto janë viktima të vërteta, ngjarje reale dhe shpresoj që me dëshmitarë, procesi të mund të çohet deri në fund”, thotë Odaloviq.
Lista e përmendur shkaktoi një reagim të furishëm në Prishtinë, nga fakti se “lista është e fabrikuar”, deri tek fakti se pretendojnë se disa emra kanë dalë në proceset e mëparshme ndaj Limajt dhe Ramush Haradinajt.
Prokuroria Speciale nuk ka dhënë asnjë njoftim të mëtejshëm për këtë çështje, dhe përkujtojmë se pak më shumë se një javë më parë, me urdhër të Hagës, në Prishtinë është kryer bastisja e ish-këshilltarit të Thaçit, Adil Behramaj.
Avokati Goran Petronijeviq për Kosovo online thotë se është shumë e rëndësishme që emrat serbë të figurojnë për herë të parë në aktakuzë.
"Kjo ndryshon gjithçka. Deri më tani ka pasur gjykime për vrasjet e shqiptarëve nga shqiptarët për tri arsye - politike sepse ishin të opsionit të Ibrahim Rugovës dhe ishin kundërshtarë të UÇK-së, sepse ishin besnikë ndaj shtetit të Serbisë ose sepse dyshonin në UÇK se ishin me Rugovën apo Serbinë. Siç është, këto janë vrasje me motive etnike, dhe kjo jep një pasqyrë krejtësisht të ndryshme, ato e futin karakterin e konfliktit në një dimension tjetër. Kjo do të thotë se shteti i UÇK-së u krijua me eliminimin e pjesëtarëve etnikë të grupeve të tjera - serbëve, romëve dhe të tjerëve, pra me gjenocid. Serbët u vranë vetëm pse ishin serbë, jo kundërshtarë politikë, siç bëri UÇK-ja me shqiptarët. Megjithatë, nuk ka gjasa që ndonjë nga dëshmitarët shqiptarë të dëshmojë kundër shqiptarëve të tjerë për vrasjen e serbëve, por kur të vërtetohet dhe kur komandantët e UÇK-së të dënohen për vrasjet etnike të serbëve, atëherë do të mund të them se dalëngadalë po filloj të besoj në atë gjykatë dhe se kemi bërë një hap drejt drejtësisë”, tha Petronijeviq.
Hashim Thaçi dhe komandantët e tjerë të UÇK-së akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë ndalimin e paligjshëm, torturën, vrasjet dhe zhdukjet e qindra njerëzve. Gjyqi në Hagë është planifikuar të fillojë më 3 prill.
komentet