Dodik: Kurti bëhet hero pa mbulesë
Bashkësia e komunave serbe duhet të ketë kompetenca ekzekutive dhe në një pjesë të ngjajë me Republikën Serbe, të cilën Sarajeva e ka kthyer në një “mashtrues” me sulme dhe akuza të vazhdueshme, thotë presidenti i Republikës Serbe, Millorad Dodik në një intervistë për Kosovo Online në Vjenë.
Ai thekson se propozimi franko-gjerman nuk ndryshon shumë nga disa në të kaluarën, duke qenë se bazohet në kërkesën që Serbia, të paktën në heshtje, ta njohë Kosovën, gjë që, thekson ai, nuk duhet të ndodhë kurrë, duke shtuar se duhet besuar presidentit Alleksandar Vuçiq kur thotë se Serbia refuzon mundësinë e njohjes së Kosovës në çfarëdo mënyre dhe dhënies së pëlqimit që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.
Bashkësisë ndërkombëtare nuk duhet t'i besohet, por duhet diskutuar dhe çdo propozim që nuk respekton qëndrimin kombëtar dhe shtetëror serb duhet të refuzohet, tha Dodik.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë sollën një propozim franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se nuk ka asgjë të mirë për Serbinë në të, por se duhet diskutuar. Cili është mendimi juaj për atë plan, a e keni parë atë?
Kam folur me Alleksandar Vuçiqin, sigurisht për sfidat e atij propozimi. Nuk ndryshon shumë nga ajo që kemi parë në të kaluarën, bazohet në faktin se Serbia në një mënyrë duhet ta njohë në heshtje Kosovën. E cila, natyrisht, është një pamundësi serioze për vetë Serbinë. Presidenti Vuçiq absolutisht, si çdo burrë shteti përgjegjës, e ka marrë dhe nuk ka mundur ta refuzojë në momentin kur i është dorëzuar dokumenti, por është dashur të bëjë një diskutim publik. Qasja e Vuçiqit për të shkuar në parlament dhe për ta diskutuar me fraksione të ndryshme politike është pjesë e përgjegjësisë që ai tregon ndaj temës. Serbia, siç tha ai, refuzon mundësinë e njohjes së Kosovës në çfarëdo mënyre dhe dhënies së pëlqimit që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, edhe sikur të ishte pëlqim i heshtur. Kjo është diçka që i gjithë kombi mund ta dëgjojë në parlament dhe duhet besuar.
Që kur Kosova është bërë një çështje ndërkombëtare, për të cilën është përgjegjës Perëndimi dhe jo Serbia, shumë gjëra kanë ndryshuar në botë, e cila nuk duket më njësoj. Bota nuk është më unipolare, megjithëse Amerika është ende një vend i fuqishëm. Për BE-në askush nuk mund të mendonte se do të mbetej pa Britaninë e Madhe, dhe tani është ashtu, askush nuk priste që BE-ja të reagonte keq përballë epidemisë së kovidit dhe krizave të tjera. Por ajo që ata këmbëngulin është një propozim antiserb për Serbinë, por edhe për ne në Republikën Serbe. Nuk duhet t'u besoni atyre, duhet të bisedoni me ta, por duhet të refuzoni çdo propozim që nuk respekton qëndrimin kombëtar dhe shtetëror serb.
E kuptova qëndrimin e Beogradit zyrtar dhe ne e mbështesim që të mos njihet Kosova. Bosnja dhe Hercegovina nuk do ta njohë Kosovën, sepse Republika Serbe nuk do ta bëjë këtë, duke ndjekur politikën e Beogradit. Më kanë bërë shumë herë presion për ta bërë këtë, dhe nuk e kam bërë. Po kështu, vetë Vuçiq dhe lidershipi i Serbisë çdo ditë janë të ekspozuar ndaj kërkesave të ndryshme në përpjekje për të krijuar një atmosferë presioni që duhet të çojë në zgjidhjen e nevojshme. Kjo duhet të diskutohet dhe pajtohem me Vuçiqin kur tha se vazhdon diskutimet që nga momenti i formimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, me funksionet ekzekutive që duhet t'i ketë sipas marrëveshjes. Në këtë drejtim, nuk duhet të vazhdohen bisedimet derisa BKS të formohet në kapacitetin e dakorduar dhe jo siç po ndërmjetësojnë tani shqiptarët. Pa funksione ekzekutive, nuk ka kuptim të ndërtohet një guaskë e zbrazët që nuk shërben për asgjë.
Perëndimi po përpiqet gjithashtu me këmbëngulje ta bëjë Republikën Serbe një guaskë të zbrazët pa asnjë përmbajtje. Ky është i gjithë problemi. Këtë herë ata duan të bëjnë një guaskë të zbrazët nga BKS. Mendoj se presidenti Vuçiq është i vetëdijshëm për këtë dhe se duhet të përmbushet vetëm ajo që është dakorduar në Bruksel, kur Serbia ka bërë lëshime serioze për të ecur drejt dialogut, dhe jo disa risi.
Serbia është nën presion të madh për të pranuar propozimin franko-gjerman, sa ndikojnë këto presione te Republika Serbe dhe te serbët në Bosnjë e Hercegovinë në përgjithësi?
Sa herë që shfaqet një lidership autentik politik në Banja Luka, Perëndimi "vrapon" drejt Beogradit për të bindur këdo, tani Vuçiqin, se është e nevojshme që ai të përfshihet në zgjidhjen e problemeve në Republikën Serbe, sepse atje ka “ndonjë Dodik kokëfortë” të cilit vetëm Serbia mund të vendosë në rregull. Natyrisht, nëse ka një rrymë të dobët politike në Banja Luka, atëherë Perëndimi i thotë Serbisë të mos ndërhyjë dhe se do ta zgjidhin ata. Por kur dikush është i fortë, ata i kërkojnë Serbisë të përfshihet, për të fajësuar më tej Serbinë për dështim. Nuk bëhet fjalë për shpikjen e ujit të nxehtë. Ne vetëm duam që letra e Marrëveshjes së Dejtonit të zbatohet. Perëndimi është një mashtrues i madh, kryesisht amerikanët, britanikët, madje edhe një pjesë e madh të BE-së. Ata, edhe kur të bëhet nënshkrimi, në të njëjtën ditë, para se të thahet boja në nënshkrim, do të fillojnë të shkatërrojnë atë që kanë marrë serbët dhe do të përpiqen të ndryshojnë pozicionin e serbëve përmes negociatave shtesë, qoftë në kuptim shtetëror-juridik të Serbisë ose në pozicionin e Dejtonit të Srpska.
Pas mësimdhënies së tyre në Malin e Zi për kaq shumë vite, që kur u bë i pavarur, Mali i Zi nuk ka qenë kurrë në një situatë më të keqe politike. Tani, sipas matricës tradicionale që përdoret në Perëndim, sërish do të fajësonin Serbinë për dështimin e tyre, kështu që thonë “Vuçiq gjithmonë ndërhyn, ja edhe Dodik, ai nuk është i pastër, po mashtron me rusët...”. Ata flasin edhe për ndonjë ndikim rus, i cili nuk ekziston fare, dhe askush nuk flet për ndikimin e tyre, i cili është në mënyrë dramatike katastrofik për Malin e Zi dhe për të gjithë ne në Ballkanin. Shteti që duan të krijojnë nga Bosnjë e Hercegovinë është i pamundur. Është një shtet i pamundur. Një shtet i mundshëm është ai i shkruar në Dejton. Por ai është përdhosur ndjeshëm dhe nëse Bosnjë e Hercegovinë nuk i kthehet germës së kushtetutës së Dejtonit, nuk do të ketë asnjë mundësi në të ardhmen. Ky është thelbi, jo Vuçiq, jo Serbia.
Serbia nuk i përshtatet si e fortë, ajo i përshtatet Perëndimit si të dobët, muslimanëve si të dobët, atyre kuazi malazezëve që e quajnë veten kështu, madje edhe shqiptarëve. Meqenëse Vuçiq e bëri Serbinë dukshëm të fortë në rrethanat që janë të mundshme, ai nuk do të jetë i përshtatshëm për Perëndimin pas disa muajsh. Ai tashmë është një shqetësim serioz për ta. Pas disa muajsh do të ketë sulme publike ndaj tij. Në këtë drejtim, vetëm duhet të përgatiteni, dhe unë jam një shembull i qartë se si duket.
Presidenti Vuçiq tha se situata në Ukrainë do të komplikohet dhe se presioni ndaj Serbisë dhe serbëve, për shkak të Kosovës dhe Rusisë, vetëm do të rritet. Çfarë prisni në lidhje me atë?
Këto presione tashmë janë rritur. Ata nuk humbin rastin të kërkojnë sanksione, si dhe të na tërheqin, të hedhim një hap të keq ndaj Rusisë apo Putinit, sepse mendojnë se ai është i keq. Mendoj se perëndimi në thelb ka politikën arrogante, në të cilën nuk i ka pranuar asnjëherë dhe nuk i ka konsideruar realisht kërkesat e Rusisë për të mos iu afruar kufijve të saj. Por, pasi e kanë bërë këtë, tani po fajësojnë Putinin për të krijuar një atmosferë në Perëndim - "këtu është fajtori për problemet tona". A është faji i Putinit që nuk ka drita rrugore në Bruksel. Kush tjetër e ka fajin? Dodik, natyrisht, dhe tani Vuçiq. Ata shkojnë sipas këtyre matricave.
Historikisht, ky është një momentum si shumë ngjarje që i shohim nga Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Parë Botërore... Mënyra se si sillemi është shumë e rëndësishme. Nëse do të thoshim se dënojmë Rusinë, Putinin, respektojmë sanksionet, vendosim viza për rusët në Bosnjë dhe Hercegovinë, a mendon dikush se do të merrnim diçka nga perëndimi? Dhe do të humbnim përgjithmonë miqtë që dëshmuan se ishin mbështetja jonë e vetme në histori. Kjo është përgjigja jonë për miqtë tanë dhe për të investuar në të ardhmen, sepse nuk mund të presim asgjë nga Perëndimi. Pa marrë parasysh se ofrojnë jetë demokratike, prosperitet ekonomik. Gjermania mund të ishte ekonomikisht e begatë, sepse për vite e dekada ajo tërhoqi lëndë të para të lira nga Rusia, sepse Rusia ishte e paqëndrueshme. Atyre u përshtatet që Rusia është e paqëndrueshme, jo Putini që bashkoi dhe forcoi Rusinë.
Papritmas ndodhet se Putini ka armë më të forta se Perëndimi, kështu që ka panik në Perëndim. Tani duan të shohin se çfarë kanë rusët, për të përdorur në Ukrainë që të mund të veprojnë. Natyrisht, rusët nuk janë budallenj. Është një tallje me tregimet për konceptet politike. Ata flasin për ndikimin rus, dhe Dodik, i cili është ndër të parët, por askush nuk ka ndikim tek unë, vetëm populli serb. Unë jam një njeri i popullit serb, i Republikës Serbe, u përgjigjem vetëm atyre që kanë votuar për me, vetëm kështu sillem. Nëse Putini do të më kërkonte të bëja diçka që nuk është në interesin tonë, nuk do të ndodhte. Ai kurrë nuk e ka kërkuar një gjë të tillë dhe Perëndimi e bën gjithmonë. Kudo që takohemi, ata gjithmonë kërkojnë. Prandaj, qëndrimi ynë për këtë është i qartë.
Evropa po humbet pozicionin e saj dhe do të humbasë dy gjëra të fuqishme - do të humbasë Rusinë, sepse rusët po i diversifikojnë ofertat e tyre. Per çdo gjë që mund të shesim në perëndim na kërkojnë gjithmonë një lloj certifikimi sidomos për prodhimet bujqesore dhe meqenëse kanë mungesë energjie ne tregjet e tyre na thonë - nuk ka rendesi mund te prodhosh nga lëndët e para më të pista, na jep vetëm energji elektrike dhe ju helmoni veten. Ky është qëndrimi i tyre ndaj nesh. Tani që nuk ka energji elektrike, tani do ta merrnin përmes disa komuniteteve rajonale evropiane të energjisë, për të kontrolluar investimet tona, prodhimin për të rritur çmimet, dhe kështu ata do të tërhiqnin të gjithë energjinë elektrike dhe ne do të mbetemi të varfër në kuptim energjetik.
Në Prishtinë çdo ditë dëgjohen krahasimet mes Bashkësinë e Komunave Serbe dhe Republikës Serbe, gjegjësisht mesazhi se një BKS e tillë që do t'i ngjante me Republika Serbe është i pamundur. A janë këto vetëm justifikime që BKS të mos formohet, duke pasur parasysh gjashtë kushtet e Kurtit për formimin e Bashkësisë?
Nuk ka kushte Kurti, vetëm marrëveshje, e cila duhet të zbatohet. Dihet se çfarë është dakorduar. Çfarë do të thotë kjo, që çdo kryeministër i ri që vjen mund të vendosë kushtet e tij të reja.... Myslimanët në Sarajevë, të cilët janë në kontakt me shqiptarët në Kosovë, arritën ta denigrojnë Republikën Serbe deri në atë nivel, saqë ne jemi si një lloj mashtrues për Kurtin. Unë nuk jam marrë me ta, veç se kam ndjekur politikën e Serbisë, por tani do të them - Serbia kurrë nuk duhet t'i japë pavarësinë Kosovës e Metohisë. Le të bëjnë çfarë të mendojnë se duhet, mund të qeshin, ne do të presim, por historia është plot ndryshime. Amerikanët dhe evropianët duan të thonë se kufijtë në Ballkan kanë mbaruar, por nuk janë.
Sido që të jetë, qëndrimi i tyre se Kosova e Metohia është një rast i veçantë, se nuk vlen për të tjerët, është mesazh edhe për ne në Republika Serbe - mos e imitoni këtë, nuk vlen për ju... Kurti bëhet hero pa mbulesë. Ai ka vetëm fuqinë amerikane dhe NATO-n pas tij, dhe ata po mbrojnë të porsalindurin e tyre të abortuar diku në histori, që dëshiron të jetë një shtet. Nëse duan të luajnë shtete, edhe Republika Serbe është shtet. BKS duhet të ketë pushtet ekzekutiv dhe në një pjesë duhet t'i ngjajë me Republikën Serbe, dhe kjo është e saktë.
0 komentet