Rama: Integrimi i Serbisë është i rëndësishëm për rajonin, por duhet të përmbushë kriteret e BE-së dhe ta njohë Kosovën
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi sot se integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonit, por se Beogradi zyrtar duhet të tregojë rezultate konkrete, që nënkuptojnë përmbushjen e kritereve të BE-së për anëtarësim dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ajo që di është se fituesi në Beograd, për mua dhe shqiptarët, nuk tregon hapje sa i përket njohjes së Kosovës. Kjo do të thotë se ‘muzika’ në Beograd nuk do të ndryshojë. Ne jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht pjesë e BE-së dhe jemi ne ata që dëgjojmë leksione, e jo ata që i japin ato, por Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor”, tha Rama në Samitin e Euronews në Bruksel.
Ai rikujtoi angazhimet e tij që të mos lejohet që Serbia “të marrë rrugën e gabuar dhe të largohet nga projekti evropian”.
“Kur bëhet fjalë për çështje të caktuara, Serbia ka treguar hezitim në raport me Kosovën, por edhe sa i përket qëndrimit që mban ndaj Rusisë dhe sanksioneve. Ne kemi nevojë që Serbia të jetë përkrah nesh, të jetë pjesë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe anëtare e plotë e BE-së, por ajo duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë anëtarësim, duke përmbushur ato kushte për të cilat nuk mund të negociohet me BE-në”, tha Rama.
Duke folur për integrimet evropiane të vendit të tij, Rama theksoi se synimi i Shqipërisë është t'i përfundojë negociatat me Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027.
“Kam përvojë në këtë drejtim, kam parë gjëra që nuk do t'i besonit. Nuk e di, ajo që e di me siguri është se kemi punuar jashtëzakonisht shumë. Gjatë këtij rrugëtimi ka pasur afate që nuk janë respektuar, kam parë se si BE-ja nuk i ka përmbushur premtimet e saj, por ka bërë edhe gjëra të mëdha. Ajo që e di me siguri është se po punojmë shumë në bazë të një plani të përbashkët, i cili mbështetet plotësisht nga Komisioni Evropian, për t'i përfunduar negociatat me BE-në deri në fund të vitit 2027”, tha Rama.
komentet