Asambleja Parlamentare e NATO: Dialogu Beograd-Prishtinë kyç për stabilitet të përhershëm të rajonit
Situate e mirë në Kosovë duhet që të krijojë hapësirë për përparim të ri politik, forcimin e institucioneve demokratike dhe besim të lartë mes komuniteteve, konkluduan anëtarët e Asamblesë Parlamentare të NATO pas vizitave informative të bëra në Prishtinë më datat 28 dhe 29 tetor. Ata paralajmëruan se tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride vijojnë që të paraqesin sfidë për stabilitet afatgjatë duke theksuar se dialogu Beograd-Prishtinë, normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i obligimeve egzistuese janë kyçe për stabilitet të rajonit.
Në bisedat gjatë vizitës informative në Prishtinë, u theksua se siguria dhe progresi politik duhet të zhvillohen njëkohësisht.
"Dialogu Beograd-Prishtinë nën ndërmjetësimin e Unionit Europian, mbetet kyç për stabilitetin e qëndrueshëm të rajonit. Progresi në normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimi i obligimeve egzistuese do të jetë me rëndësi vendimtare në të ardhmen e parashikueshme", thuhet në njoftimin e Asamblesë Parlamentare të NATO.
Anëtarët e Komitetit Politik diskutuan ambiciet e Kosovës për thellimin e integrimin euroatlantik dhe të kontribuojë më shumë në sigurinë rajonale.
Sikurse bëhet e ditur në njoftim, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë paraqitën prioritetet strategjike të Kosovës, përfshirë rritjen e investimeve në mbrojtje, blerjen e pajisjeve dhe rekrutimin, si dhe përpjekjet për të përmirësuar stërvitjet e FSK dhe ndërveprimin e tyre me forcat aleate.
"Liderët kosovarë përsëritën se anëtarësimi në NATO mbetet prioritet strategjik dhe theksuan mbështetjen e vazhdueshme politike dhe praktike të vendit për Ukrainën. Në bisedimet gjatë vizitës informuese, u vu në dukje konsensus i fortë në mbarë spektrin politik dhe në shoqërinë në Kosovë rreth mbështetjes për anëtarësimin në NATO dhe bashkëpunimin e ngushtë me Aleancën", bëhet e ditur në deklaratën e Asamblesë Parlamentare.
Delegacioni shqyrtoi zhvillimin e mjedisit të sigurisë dhe rolin e vazhdueshëm të NATO në Kosovë, përfshirë dhe vizitën në selinë e KFOR.
"KFOR vazhdon të luajë rol kyç në ruajtjen e mjedisit të sigurt, si dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet. NATO ka filluar përshtatje graduale të dislokimit të forcave të KFOR bazuar në vlerësimin e kushteve dhe përmirësimin e situatës së sigurisë, nën mbajtjen e aftësisë për të përshtatur praninë e vet nëse shkohet deri tek përkeqësimi i rrethanave", theksohet më tej.
Shtohet se Kosova tani ka mundësinë të përparojë reformat politike, forcojë institucionet demokratike dhe t’i afrohet më shumë aspiratave të saja euroatlantike.
"Në bisedat gjatë vizitave informative, si prioritete janë theksuar forcimi i sundimit të ligjit, mbikëqyrja parlamentare dhe përgjegjësia institucionale, si dhe ndërtimi i besimit më të madh mes komuniteteve që nuk janë shumicë, përmes mbrojtjes efikase të të drejtave gjuhësore e pronësore, pjesëmarrjes politike dhe qasjes në shërbimet publike” bën të ditur delegacioni në njoftim.
Anëtarët e delegacionit gjatë vizitës në Kosovë, u takuan me ministra, përfaqësues të grupeve parlamentare të partive qeverisëse dhe të opozitës, përfaqësues të komuniteteve jo-shumicë, zyrtarë të KFOR, UNMIK dhe EULEKS, si dhe ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
komentet