A mundet që forcimi i të djathtës në Europë do të sjellë ndryshimin e politikës së Perëndimit ndaj Kosovës?

kosovo nemačka
Burim: Facebook

Në disa vende të caktuara të Bashkimit Europian, partitë e djathta kohët e fundit po fitojnë popullaritet dhe mbeten faktor i pashmangshëm në formimin e qeverive e meqenëse qëndrimi i shumicës së tyre është se bashkësia ndërkombëtare ka gabuar në qëndrimin e vet ndaj Sërbisë për çështjen e Kosovës, lind pyetja-a mundet forcimi i së djathtës të çojë në ndryshimin e qëndrimit ndaj Prishtinës, e cila prej dekadash ka qenë "i preferuari i Perëndimit".

Partitë e djathta si Alternativa për Gjermaninë(AfD) apo Partia e Lirisë së Austrisë në vendet e tyre po përfitojnë gjithmonë e më shumë mbështetje të qytetarëve, e përafërt dhe në Francë ku po forcohet Fronti Kombëtar, ndërsa në zgjedhjet e fundit në Spanjë, Partia Popullore e qendrës së djathtë mori numrin më të madh të votave, ndërsa qeverinë italiane e udhëheq ultra e djathta Xhorxhia Meloni.

Situata në Gjermani është veçanërisht interesante, meqenëse Berlini vlerësohet si një nga mbështetësit më të rëndësishëm të Prishtinës ndërsa politikën e jashtme të këtij vendi tashmë e udhëheqin “të Gjelbërit”, të cilët po lobojnë haptazi për Kosovë të pavarur.

Ndërsa sipas sondazheve në këtë vend, AfD tashmë mund të llogarisë 22% të votave, çka pozicionohet si forca e dytë politike në vend, pas CDU/CSU e cila momentalisht mundet të fitojë 26% të votave.

Partia qeverisëse SPD e kancelarit Olaf Sholc momentalisht ka 18% të votave, Të Gjelbërit 14%, ndërsa Partia e Lirisë (FDP) 7%.

Popullariteti i AfD rritet nga java në javë si pasojë e pakënaqësisë së qytetarëve me politikën që ndjek "koalicioni i semaforit" SPD-Zeleni-FDP.

Shefi i Këshillit të Politikës së Jashtme në grupin e deputetëve të AfD, deputet në Budestag Petr Bistron thotë për Kosovo onlajn se kjo parti do të rishqyrtojë rrënjësisht politikën e jashtme gjermane.

"Prioritetet tona do të ishin ruajtja e sovranitetit kombëtar, siguria dhe interesat kombëtare. Do të pasonim qasje në politikën reale që lë mënjanë paragjykimet ideologjike dhe forcon pozitën e Gjermanisë në botë" ka thënë Bistron.

Kur bëhet fjalë për raportet ndaj Kosovës, thekson se AfD do të mbante qëndrim të balancuar ku do të sigurohej që të gjitha detyrimet ndërkombëtare të përmbushen.

"Qëllimi ynë do të ishte inkurajimi i stabilitetit dhe paqes në rajon dhe kjo do të thotë pozicion më kritik ndaj Prishtinës” shton ai.

Në lidhje me Beogradin, thotë se marrëdhëniet me Sërbinë duhet të vendosen mbi baza solide që reflekton interesat e përbashkëta.

Njëkohësisht kjo do të thotë dhe forcim të bashkëpunimit ekonomik dhe diplomatik, si dhe mbështetje për Sërbinë në dialogun me Kosovën.

I pyetur se si do t’a vlerësonte politikën aktuale ndaj Sërbisë dhe Kosovës, e cila mbi të gjitha udhëhiqet nga Partia e Gjelbër, përkatësisht nga ministria Analena Berbok, Bistron vuri në dukje njëanshmërinë dhe fanatizmin ideologjik.

"Politika e të Gjelbërve është e njëanshme, e bazuar në ideologji. Pozicioni i tyre injoroi realitetin kompleks në rajon dhe nuk mori parasysh interesat afatgjata të Gjermanisë. Nevojitet pozicionim i ri. Do të kërkonim konsideratë thelbësisht të re të politikës sonë ndaj Sërbisë dhe Kosovës, bazuar në drejtësinë, realizmin dhe mbrojtjen e interesave tona kombëtare” nënvizoi Bistron.

Pyetjes nëse Gjermania është e njëanshme, konfirmoi përgjigjen duke theksuar se politika gjermane ka treguar njëanshmëri që duhet korrigjuar.

“Na nevojitet qasje e balancuar që merr në konsideratë interesat dhe hallet e të gjtha palëve të përfshira” ka thënë Bistron dhe vazhdon se Gjermania duhet të luajë rol aktiv në rajon sesi të promovojë dialogun dhe bashkëpunimin, e jo të mbajë anë.

Qëndrim të njëjtë kanë dhe deputetët e të djathtës në Austri ku sipas sondazheve të fundit, Partia e Lirisë e Austrisë (FPO) është forca politike më e fortë në vend e cila mund të llogarisë 30% të votave, para Partisë Popullore qeverisëse (OVP) me 24%, Partia Socialdemokrate (SPO) e cila mbështetet nga 22% e qytetarëve dhe Të Gjelbërit me 10% të mbështetjes.

Kështu që FPO mbetet faktor i pakthyeshëm në formimin e qeverisë së ardhshme, duke pasur parasysh se OVP dhe SPO vështirë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët rreth shumë çështjeve.

Shefi i Këshillit për Politikë të Jashtme të FPO në Vjenë dhe shefi i klubit të deputetëve në parlamentin vjenez Maksimilian Kraus, për Kosovo Onlajn thekson se Sërbia i ka bërë "detyrat e shtëpisë" çka nuk mund të thuhet për Kosovën, duke qortuar Të Gjelbrit austriakë për lobim për Kosovën.

Ai thekson se FPO është mbrojtësi i neutralitetit të Austrisë, të cilin pushteti aktual, thotë ai, po e shkel vazhdimisht dhe si shembull sjell rolin e të Gjelbërve në Ballkan.

"Partia e Gjelbër lobon aktivisht për Kosovën, në vend që të marrë në konsideratë interesat e të dyja palëve. Nëse FPO do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme federale, roli neutral i vendit tonë do të jetë sërish prioritet. Austria prej dekadash ka luajtur rol aktiv ndërmjetësues dhe duhet t’a bëjë këtë edhe në të ardhmen. Përsa i përket politikës ndaj Beogradit dhe Prishtinës, ndershmërisht duhet thënë se Sërbia ka bërë detyrat e saj të shtëpisë në këtë konflikt, gjë që fatkeqësisht nuk mund të thuhet për Kosovën. Prandaj BE duhet të bindë qeverinë e Kosovës që t'i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit" ka qenë i qartë Kraus.

Megjithatë, është pak e besueshme që edhe në rast të ndryshimit të pushtetit në këto vende, të ketë ndryshime tektonike në raportet e tyre me çështjen e pavarësisë së Kosovës.

Ndërkohë që në Austri egziston numër i madh lobistësh, e më i madhi mes Të Gjelbërve siç është Kati Shneberger apo eurodeputeti Tomas Vajc, eurodeputeti tjetër i OVP Lukas Mandl.

Ata lobojnë haptazi për pavarësinë e Kosovës në BE e përmes publikimeve të vazhdueshme aktualisht, kërkojnë sanksione ndaj Sërbisë dhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Prishtinës, madje edhe Shneberger, kur qeveria e Prishtinës u gjend në shënjestër të kritikave ndërkombëtare, organizoi protestë në mbështetje të qeverisë së Kurtit në Vjenë.

Docenti i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, beson se tek ndryshimi i qëndrimit të Gjermanisë, Austrisë apo Francës për statusin e Kosovës, nuk do të finalizohet pavarësisht forcimit të së djathtës në këto vende, por është e mundshme të shkohet deri në “zbutje të politikës”.

Surlliq për Kosova Onlajn thotë se fakti është se mbështetja ndaj Alternativës për Gjermaninë dhe Partinë e Lirisë së Austrisë, është në rritje dhe se arsyet për këtë, janë para së gjithash pakënaqësia me gjendjen e brendshme, standardin ekonomik, çka paraqet hapësirë ​​të shkëlqyer për lulëzimin e mesazheve ekstremiste dhe ajo çfarë zgjedhësit nga këto parti dëshirojnë të dëgjojnë-ndonjë lloj ndryshimi radikal.

Siç shton ai, në planin e politikës së jashtme, ato përfaqësojnë diçka që është më ndryshe në raport me atë të rrymës kryesore, si dhe për çështjen e Kosovës.

“Dhe derimë tani nga përfaqësuesit e tyre mund të dëgjonim sulme ndaj vendimit për bombardimin e RF të Jugosllavisë në vitin 1999, por edhe ndaj vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, kujton Surlliq.

Megjithatë, ai beson se edhe nëse vijnë në pushtet, ndryshimi drejt pavarësisë së Kosovës nuk do të ndodhë.

“E para është pak e besueshme që ata të vijnë në pushtet, sepse janë të vetmuar, nuk kanë kapital koalicioni dhe partitë e tjera po bashkohen kundër tyre, ndaj është thjesht e paimagjinueshme që vetëm ata të fitojnë më shumë se 50%. Edhe sikur të vijnë në pushtet, është treguar në të kaluarën se shumë parti ekstremiste i zbusin qëndrimet e tyre, i përshtaten politikës reale, kontekstit të politikës së jashtme”, tha Surlliq dhe tregoi ekstremistët italianë nga të cilët, siç thotë ai, pritej shumë, por siç tha, u kthyen në rjedhën kryesore.

"Në rastin e Kosovës, për perëndimin kolektiv, kjo është temë e mbyllur. Mund të shkohet deri në zbutje të politikës, por në thelb nuk do të ketë tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës", thotë Surlliq.

Si shembull për zbutjen e politikës, Surlliq përmend Hungarinë dhe thotë se është vend që njeh Kosovën e pavarur, por i kupton qëndrimet e Sërbisë dhe për shkak të afërsisë që egziston momentalisht mes Beogradit dhe Budapestit, Hungaria votoi kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës, pra për të mos t’a vendosur në rendin e ditës.

Por, siç shton ai, askush nuk pret që Hungaria, përkundër miqësisë së madhe me Sërbinë, të ndryshojë qëndrimin e vet për pavarësinë e Kosovës.

“Besoj se edhe ky do të ishte rast hipotetik me këto vende, sepse ndonëse besojnë se ka qenë gabim, asnjë përfaqësues i tyre nuk ka thënë “kur të vijmë në pushtet do t’a ndryshojmë”, por veçse konstatojnë se ishte gabim politik, por janë të vetëdijshëm se është shumë e vështirë të ndryshohet diçka që tashmë është fakt i kryer” përmbyll Surlliq.