Pesë vite nga Marrëveshja e Uashingtonit: Sa i sigurtë është reanimacioni?

Vašingtonski sporazum
Burim: Predsedništvo Srbije

Ndonëse në qendër të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës, duhej që të pozicionohej ekonomia, llogaritë u ngatërruan nga politika që duhej të ishte "në pritje". Nga distanca prej pesë vitesh, bashkëbiseduesit e Kosovo Onlajn, vlerësojnë se Marrëveshja e Uashingtonit, e firmosur si sot pesë vite më parë në Shtëpinë e Bardhë, u zbatua vetëm në fragmente, por që nuk e hedhin poshtë plotësisht mundësinë që administrata amerikane t'i dhurojë sërish vëmendje në ndonjë moment.

Shkruar nga: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Nënshkruesit e Marrëveshjes së Uashingtonit, presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq dhe ish kryeministri kosovar Avdulla Hoti, duke përdorur terminologji të ndryshme, sot në thelb do të thoshin të njëjtën: frenat në zbatimin e marrëveshjes janë tërhequr në Prishtinë.

Presidenti sërb tha se kjo marrëveshje ishte mbi të gjitha ekonomike, por që Prishtina nuk donte t’a zbatonte ashtu sikurse nuk dëshiron të zbatojë asnjë marrëveshje.

Kujtoi se Xhozef Bajden i cili zëvendësoi Donald Tramp si president i SHBA jo shumë gjatë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, dëshironte që ajo të harrohej dhe të zbatoheshin disa të reja.

"Kemi patur, para së gjithash, marrëveshje rreth ekonomisë. Ata shtynë dhe pjesë të axhendës së tyre politike që nuk kishte lidhje me të, duam t’a pranojmë apo jo. Tentuan tek kjo, por unë refuzova. Kjo ishte para së gjithash marrëveshje ekonomike që nuk donin t’a zbatonin. Dhe nuk kam problem me ta... Tramp atëherë humbi pushtetin, erdhi Bajden, i cili donte të qërronte Marrëveshjen e Uashingtonit, e ndoshta të zbatohej ndonjë e re, ndërsa të harrohej Marrëveshja e Brukselit", tha Vuçiq duke thënë se do të duhej të zbatohej Marrëveshja e Brukselit dhe të formohej Bashkësia e Komunave Sërbe.

Avdulla Hoti, nënshkruesi i marrëveshjes në emër të Prishtinës, konkludoi sot, si shumë herë më parë, se marrëveshja u neglizhua nga institucionet kosovare që dolën nga zgjedhjet e vitit 2021.

Marrëveshjen që nënshkroi në Zyrën Ovale, ai e shikon si "mundësi të humbur për Kosovën", por edhe si arritje historike që krijoi mundësi unike për forcimin e partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA dhe vendosjen e Kosovës në qendër të zhvillimit ekonomik në rajon përmes projekteve të mëdha infrastrukturore.

"Nëse projektet e mëdha infrastrukturore të përfshira në këtë marrëveshje do implementoheshin, Kosova sot do të kishte marrë rolin e vet si qendër udhëtimi, hekurudhore dhe energjie në rajon e më gjerë. Në kuptimin politik, marrëveshja solli njohje nga Izraeli, duke thyer bllokadën shumëvjeçare të mungesës së njohjeve dhe duke përmirësuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës", tha Hoti.

Pika e fundit e marrëveshjes, kujtojmë, ndryshe formulohej në dokumentin e nënshkruar nga Vuçiq me administratën amerikane sesa pika e fundit e dokumentit të nënshkruar nga Hoti. Konkretisht, në versionin prishtinas, shkruhej se Kosova dhe Izraeli dakordësohen se njohin njëra-tjetrën.

Rezultati më i rëndësishëm i Marrëveshjes së Uashingtonit, sipas vlerësimit të Çarls Kopçanit hulumtues i lartë i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë dhe profesor i çështjeve ndërkombëtare në Universitetin Xhorxhtaun, ishte simbolika e saj, sesa pasojat e vërteta praktike.

Simbolika numri një i kësaj marrëveshjeje, tha Kapçan për Kosovo Onlajn, ishte në atë që SHBA ishte e gatshme të përfshihej në zgjidhjen e konfliktit afatgjatë mes Kosovës dhe Sërbisë.

"Numri dy është që të mund të arrihet përparim, që Prishtina dhe Beogradi me të vërtetë të mund të arrijnë marrëveshje për diçka, madje dhe nëse kjo është e natyrës ekonomike dhe jo për çështje më të gjera politike. Por problemi është se prej atëherë asgjë nuk ka ndodhur. Në fakt, do të thoja se proçesi ka shkuar pas, pavarësisht marrëveshjes që Unioni Europian e vendosi në tryezë. As Beogradi dhe as Prishtina nuk ishin në pozitën që të lëviznin topin para në proçesin e normalizimit", thotë Kapçan.

Marrëveshja e Uashingtonit në masën më të madhe lidhej me marrëdhëniet tregtare, kujton ky profesor dhe thotë se ai është dikush që nuk beson se tregtia me të vërtetë mund të bëjë dallim.

"Duhet t’a kuptosh politikën siç duhet, e pastaj integrimi ekonomik mund të ndihmojë në arritjen e marrëveshjes. Por nëse nuk e kuptoni politikën e duhur, tregtia dhe investimet nuk do të ndihmojnë. Dhe problemi është në atë që politikat ishin të gabuara nën drejtimin e kryeministrit Kurti. Kosova në një farë mënyre, ndiqte politikë shumë nacionaliste. Kurti mori disa vendime në lidhje me targat, për kryekomunarët në veri që nuk përparuan drejt Bashkësisë së Komunave Sërbe, çka në shumë aspekte, ktheu pas çështjen e Kosovës para Europës dhe para SHBA. Njerëzit nisën të fajësonin Prishtinën për problemin, ndërsa në shumë aspekte, Beogradi është ai që e ka zvarritur", vlerëson Kapçan.

Nga perspektiva politike, shton se as Prishtina as Beogradi nuk ishin në pozitën të përparonin me marrëveshjen.

"Dhe si pasojë e kësaj, mendoj se do të jetë i nevojshëm angazhim i ripërtërirë nga administrata e Tramp që proçesi të vihet në lëvizje", mendon ai.

Duke pasur parasysh se Tramp, sikurse thotë, është i interesuar të jetë paqebërës dhe të arrijë marrëveshje, ai tani mund të riangazhohet, por më shumë nga kjo varet nga ajo nëse Tramp beson se ka “hapësirë të mjaftueshme për frymëmarrje”.

"Ai ka shumë punë me Rusinë dhe Ukrainën, me Izraelin, Gazën, gjithë Lindjen e Mesme dhe Iranin që tenton të arrijë marrëveshje të re bërthamore. Merret me ngritjen e Kinës dhe, si pasojë, Kosova e Sërbia nuk arrijnë menjëherë në nivelin e vëmendjes presidenciale, por që duket se janë në radarin e Tramp. Ai mund t’a shikojë Kosovën dhe Sërbinë si 'fruta ultas të varura', një konflikt i pazgjidhshëm në të cilin mund të bëjë përparim të konsiderueshëm. Ndaj dhe mund të kthehet tek Rik Grenell, apo anëtarë të tjerë të ekipit të tij, sikurse Steven Vitkof dhe të shikojë nëse mund të arrijë ndonjë përparim në Ballkan", rezonancon Kapçan.

Dhe sipas vlerësimit të profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Prishtinë Afrim Hoti, udhëheqësia politike në SHBA momentalisht është më shumë e fokusuar në disa kriza të tjera, por që ai beson se pas zgjidhjes së konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, vëmendja e Amerikës do të kthehet tek Marrëveshja e Uashingtonit.

“Ai definitivisht mund të jetë referencë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve” mendon Hoti i cili thotë se kjo marrëveshje ka qenë një prej më të mirave deri më tani.

"Nuk patëm fat sepse Presidenti Tramp pas nënshkrimit të marrëveshjes, nuk ishte më në detyrë. Erdhi deri në ndryshimin e Shtëpisë së Bardhë dhe duket se për demokratët, Xho Bajdenit kjo marrëveshje nuk ishte qëllim, nuk ishte referencë për marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Sërbisë. Tani kur presidenti Tramp është në mandatin e dytë, mendoj se Marrëveshja e Uashingtonit mund të bëhet lehtësisht një nga pikat apo pika kryesore e axhendës politike, sepse para së gjithash ka lidhje me perspektivën ekonomike", ka thënë Hoti për Kosovo Onlajn.

Diçka ndryshe e shikon Igor Novakoviq, bashkëpunëtori i lartë i Qendrës për Çështje Ndërkombëtare dhe Sigurisë në Beograd i cili thotë se nuk është i sigurt nëse do të ishin normalizuar raportet mes Beogradit dhe Prishtinës para pesë viteve me arritjen e marrëveshjes.

“Normalizimi i marrëdhënieve ka dy dimensione. I pari është teknik, çka nënkupton që Beogradi dhe Prishtina mund të koegzistojnë normalisht, dhe i dyti është narrativ. Problemi më i madh është se nuk ka normalizim të tillë narrativ, por më duket se momentalisht jemi në problem më të madh se kurrë. Ajo në të cilën ndoshta do të kontribuonte ajo marrëveshje, është aspekti teknik i normalizimit” ka thënë Novakoviq për Kosovo Onlajn.  

Ai thekson se politika amerikane ndaj rajonit është tërësisht e painteresuar, për të cilën beson se nuk duhet të ketë iluzione që në këto momente të punohet për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit.

"Pa personin kyç që e udhëhoqi atë dhe në atë moment ishte zoti (Riçard) Grenell, nuk duhet të kemi iluzione se tani do të punohet në zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit", vlerëson Novakoviq.

Duke folur rreth domeneve të marrëveshjes së Shtëpisë së Bardhë, vëren se pak është zbatuar, përveç njohjes izraelite të pavarësisë së Kosovës.

"Disa pjesë infrastrukturore të Marrëveshjes së Uashingtonit do të përmbushen pavarësisht nga vetë marrëveshja, sikurse ndërtimi i autostradës, sepse momentalisht ajo financohet nga fondet e Bashkimit Europian. Për çështjet e tjera, sikurse hekurudha siç shihet, pas arritjes së marrëveshjes, është i nevojshëm sigurimi i financimit të projekteve të tilla, për të cilat nuk ka", thotë ai.

Ndërkaq pyetjes nëse është e mundshme "Marrëveshje Uashingtoni Dy", Novakoviq thotë se  teorikisht është e mundur, por përsërit se duhet të kihet parasysh se në këtë moment administrata në Uashington nuk është shumë e interesuar për këtë rajon.

“Mund të jetë e mundur që në gjysmën e dytë të mandatit të Tramp, të kthehet ai interesim, apo rikthim eventual i Riçard Grenell në ndonjë funksion që do të ishte i rëndësishëm për rajonin. Në këtë moment, nuk ka”, pohon ai.

Ndihmësdrejtori i Sektorit për Analizë Strategjike, Shërbime dhe Ndërkombëtarizim të Odes Ekonomike të Sërbisë, Bojan Staniq, thotë se idea e Marrëveshjes së Uashingtonit ishte që përmes bashkëpunimit ekonomik, të zgjidhen dhe mosmarrëveshjet politike në negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës, por duke tërhequr vijën pas pesë vitesh, pohon se mund të konkludohet se politika ishte "fajtore" që marrëveshja për normalizimin ekonomik të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtines, nuk u zbatua deri në fund, ashtu siç ishte menduar.

Duke pasur parasysh se marrëveshja parashikonte që të dyja palët t’i bashkoheshin "Zonës Mini-Shengen", çka më vonë u riemërua Ballkani i Hapur, Staniq thotë se ideja ishte të krijohej treg i përbashkët bazuar në qarkullimin e lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit.

“Por, që nga ai viti 2020 e deri më sot, ndodhën bllokada të vendosjes së mallrave nga Sërbia në tregun e Kosovës e Metohisë dhe ky ishte absolutisht vendim i njëanshëm nga autoritetet prishtinase i cili nuk ishte vetëm shkelje e marrëveshjes CEFTA, por edhe një shkelje e nevojave të popullsisë në Kosovë, të cilët panevojshmërisht ishin të ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve, për arsyen e thjeshtë se ata duhej të importonin mallra nga tregje të tjera që janë më pak konkurruese se tregu në Sërbi”, thotë Staniq për Kosovo Onlajn.

“Patëm, megjithatë, situatë ku, pas pandemisë, kriza gjeopolitike “u shartua” para së gjithash tek lufta në Ukrainë çka ndikoi në atë që prioriteti i të gjithë, kushtimisht, sponsorëve të iniciativave të bashkëpunimit ekonomik dhe vëmendja e tyre ndaj kësaj hapësire ra në planin e pestë e të gjashtë. Vetëm për këtë, politikanët vendas u shfaqën sërish si ndikues në skenë që t’a ndalin njëanshmërisht atë proçes”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Ai kujton se Marrëveshja e Uashingtonit parashikonte që Amerika me investimet e veta do ta mbështeste këtë zonë dhe thotë se në Sërbi investimet nga Amerika, përshembull, në 18 muajt e fundit kanë qenë më të mëdha sesa të Gjermanisë.

"Por që nga ato histori se këtu do të formohet qendër që do të merret me investimet, në të vërtetë është vetëm fjalë dhe praktikisht asgjë ose shumë pak në aspektin e zbatimit", thotë Staniq.

Duke komentuar pikat e marrëveshjes që lidheshin me ndërtimin e infrastrukturës, sikurse është autostrada dhe hekurudha që duhej të lidhte Beogradin dhe Prishtinën, bashkëbiseduesi ynë thekson se realizimi i tyre do të ishte kryesisht me rëndësi për Prishtinën.

"Territori i Kosovës nuk mundet që ekonomikisht të mbahej zhvillimi pa bashkëpunim me Sërbinë apo Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, sepse nuk ka as dalje në det dhe i pozicionuar gjeografikisht që praktikisht asnjë nga rrugët paneuropiane të mos kalojë nëpër atë territor, por mund të anashkalohet", thekson bashkëbiseduesi ynë.

Dakordësim i(pa)përmbushur

Marrëveshja parashikonte që të dyja palët të bashkoheshin me "zonën mini-Shengen", e cila u shpall nga Sërbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në tetor 2019, por që Kosova nuk u bë kurrë pjesë e kësaj iniciative.

Sekretariati Amerikan për Energji dhe Laboratori Kombëtar i Paqësorit Veriperëndimor i paraqitën në qershor të vitit 2021 qeverive të Sërbisë dhe Kosovës raport rreth menaxhimit të liqenit të Ujmanit çka ishte një nga pikat e marrëveshjes dhe sugjeronte që të merret në konsideratë marrëveshje në përputhje me Marrëveshjen SHBA-Kanada për lumin Kolumbia.

Mund të thuhet se u përmbush pika që e detyronte Prishtinën për moratorium njëvjeçar për arritjen e anëtarësimeve të reja në organizmat ndërkombëtare, pra që Beogradi të bënte pauzë me fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Marrëveshja, mes të tjerash, i detyroi të dy palët të përshpejtonin përpjekjet për lokacionet dhe identifikimin e eshtrave të personave të zhdukur.

Izraeli njohu Kosovën, ndërsa Prishtina hapi ambasadë në Jerusalem. Ishte planifikuar dhe zhvendosja e Ambasadës së Sërbisë nga Tel Avivi në Jerusalem deri më 1 korrik 2021, por që kjo nuk ndodhi për shkak të njohjes së Kosovës nga Izraeli.