Raundi i ri i dialogut në Bruksel: Pse AKS nuk është temë për Prishtinën dhe BE-në?
Asgjë e re nga Brukseli. Kështu mund të përshkruhet raundi i djeshëm i dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e të dërguarit të ri evropian, Peter Sorensen. Për analistët në Prishtinë ka një shpjegim të thjeshtë: Besnik Bislimi nuk ka legjitimitet për këtë punë. Nga Beogradi vjen mesazhi se pa formimin e Asociacionit të Komunave Serbe është e dyshimtë nëse bisedimet e mëtejshme kanë fare kuptim.
Shkruan: Gjorgje Baroviq
„Ajo që kemi thënë në të gjitha takimet dhe për të cilën kemi këmbëngulur është se menjëherë, urgjentisht duhet të vijë deri te formimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili është parakusht që të mund të vazhdojmë më tej, sepse nëse nuk ka Asociacion të Komunave Serbe, atëherë shtrohet pyetja e mbijetesës së popullit serb në Kosovë e Metohi. Për ne kjo është tashmë çështje humanitare“, ka thënë drejtori i Zyrës për KeM pas takimit të djeshëm të pasuksesshëm në Bruksel.
Ai shtoi se takimi i drejtpërdrejtë me negociatorin e Prishtinës, Besnik Bislimi, „nuk ka qenë aspak i këndshëm“ dhe se Bislimi nuk ka dashur të diskutohet për deeskalimin e situatës në Kosovë, gjë që ishte kërkesë e BE-së që nga qershori 2023.
Nga ana tjetër, Bislimi pas takimit deklaroi se ideja e takimit ishte të arrihej përparim në krijimin e Komisionit të përbashkët për personat e zhdukur, por se pala serbe ka insistuar që „së pari të zbatohet pjesa e marrëveshjes për themelimin e AKS-së“.
„Qëndrimi i Serbisë mund të përkthehet shumë thjeshtë, së pari parakushti për AKS-në, pastaj vijat e kuqe të Serbisë, që do të thotë se në fakt Serbia është tërhequr nga Marrëveshja Bazë ose refuzon të bisedojë për marrëveshjen bazë“, tha Bislimi.
Korrespondenti i Kohës nga Brukseli, Augustin Palokaj, tha se me takimin e djeshëm u konfirmua se nuk ka kuptim të mbahen takime vetëm për të konstatuar vazhdimin e dialogut.
„Propozimet nuk janë për ndryshimin e marrëveshjes, por këto janë kërkesa të Kosovës për të ndryshuar renditjen në atë plan të sekuencimit të zbatimit të marrëveshjes. Planin e sekuencimit e kishte hartuar kohë më parë ish i dërguari për dialog, Miroslav Lajçak. Atë plan pala kosovare e kishte refuzuar sepse parashikonte që Kosova fillimisht të krijojë AKS-në, e më pas të pasojnë hapat e tjerë“, shpjegoi ai.
Ai shtoi se njëkohësisht nuk ka ndonjë këmbëngulje të vërtetë nga Bashkimi Evropian ndaj palëve që marrëveshja të zbatohet në tërësi.
„Ata që ndjekin situatën në Kosovë dhe Serbi nuk kanë asnjë shpresë se mund të ketë përparim të shpejtë në procesin e dialogut“, tha Palokaj.
Nga ana tjetër, për opozitën kosovare dështimi i një raundi tjetër dialogu është në plan të dytë.
Çështja kyçe është – legjitimiteti i Bislimit për të udhëhequr negociatat në Bruksel.
LDK ka deklaruar se vendimi i qeverisë në mandat teknik për të dërguar Bislimin në Bruksel për bisedime në kuadër të dialogut është „i pajustifikuar dhe pa asnjë legjitimitet qytetar e institucional“.
Legjitimiteti i qeverisë
Këtë pohon në një intervistë për Kosovo online diplomati dhe ish-ambasadori i Kosovës në Itali, Albert Prenkaj.
"Mendoj se Bislimi nuk është në pozicion për të marrë ndonjë përgjegjësi vendimtare për shkak të situatës politike. Siç e dini, që nga fillimi i këtij viti, konkretisht pas zgjedhjeve në shkurt, Kosova nuk ka pasur një qeveri legjitime dhe ligjore që mund të merrte përgjegjësi për çdo temë të politikës së brendshme dhe madje edhe të jashtme", pohon Prenkaj.
Prenkaj kujton se Marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit nga viti 2023 është një "dokument detyrues për Kosovën dhe Serbinë", i cili u pranua nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
"Qëllimi përfundimtar i asaj marrëveshjeje është të krijojë një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë", deklaron ky diplomt.
Ai sqaron se mesazhet kryesore të Marrëveshjes së Ohrit, veçanërisht pikat 4 dhe 5, rregullojnë në mënyrë eksplicite që të dyja palët do të mbështesin urgjentisht Deklaratën për Personat e Zhdukur, e cila është negociuar tashmë, dhe se Kosova do të fillojë menjëherë negociatat brenda dialogut të udhëhequr nga BE-ja, me qëllim arritjen e një niveli adekuat të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialog.
"Të gjitha pikat e marrëveshjes janë të detyrueshme për të dyja palët në dialog, kështu që për Kosovën është zbatimi i Asociacionit të Komunave me Serbe, dhe pala serbe është e detyruar të bashkëpunojë në dorëzimin e trupave të të zhdukurve", saktësoi Prenkaj.
Ai thekson se këto janë vetëm dy nga shumë pikat e negociatave të Brukselit 2023, pra Marrëveshja e Ohrit, të cilat ishin objekt i negociatave trepalëshe në Bruksel dje.
Kur bëhet fjalë për formimin e AKS-së, ai shpjegon se kjo është një çështje që i përket Gjykatës Kushtetuese dhe se i takon qeverisë së re të Kosovës ta paraqesë atë dokument këtij institucioni.
Dialogu dhe „regjistrimi i pikëve"
Ish-diplomati Zoran Milivojeviq nuk mendon kështu.
Ai pohon se takimi i djeshëm në Bruksel tregoi se në fakt "nuk ka kushte për një dialog serioz".
"Për fat të keq, kemi një vazhdim të procesit që patëm me përfaqësuesin e lartë të mëparshëm. Nuk ka asgjë të re", thotë Milivojeviq për Kosovo online.
Ai nxjerr dy përfundime nga vazhdimi i dështuar i djeshëm i dialogut.
"E para është se nuk ka kushte për një dialog serioz sepse pala e Prishtina nuk e ndryshon qëndrimin e saj. Përfundimi i dytë është se as ndërmjetësit nuk janë të përgatitur. Dhe ndërmjetësi i ri veproi nga të njëjtat pozicione: është e rëndësishme të ketë një takim të dyfishtë dhe të "regjistrohet" një pikë politike, por pa rezultate", beson Milivojeviq.
Ai kujton se kjo është mbledhja e tretë e BE-së, e cila "shfaqet nga të njëjtat pozicione".
"Kishim dy takime të pasuksesshme me (Federica) Mogherinin dhe më vonë me Borellin, Lajçakun, dhe tani kemi me Sorensenin. Jemi në të njëjtën pozicion", shpjegon ky diplomat.
Ai thekson se problemi kryesor është se tema e formimit të Asociacionin e Komunave Serbe nuk është më në "axhendë" të dialogut.
"Serbia ka dërguar mesazhe të qarta pas këtyre dy blloqeve të pasuksesshme të negociatave se nuk ka ndërmend të bëjë më lëshime dhe se këmbëngul në respektimin e detyrimeve të marra më parë. AKS dhe Marrëveshja e Brukselit janë në plan të parë sepse ky është një kusht për mbijetesën e popullit serb dhe mundësinë e diskutimit të çdo lloj normalizimi", thekson Milivojeviq.
Ai deklaron se çështja e mosrespektimit të gjithçkaje të rënë dakord deri më tani "është përkeqësuar në tre vitet e fundit" nga politika e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit.
“Ajo vazhdon dhe praktikisht vë në pikëpyetje mbijetesën e popullit serb në ato zona dhe kuptimin e negociatave mbi temën e normalizimit dhe atë që duhet të jetë baza për një zgjidhje politike”, pohon Milivojeviq.
Ai thotë se konfirmimi i kësaj vjen nga deklaratat e Besnik Bislimit pas raundit të djeshëm të dialogut.
“Bislimi ishte shumë i qartë: ky është një mesazh se kemi vazhdimësi të politikave edhe pse nuk kemi një qeveri të re, dhe se nuk ka kushte që kjo situatë të përkeqësohet, se AKS nuk figuron fare në asnjë axhendë që nënkupton vazhdimin e negociatave për normalizimin midis Beogradit dhe Prishtinës kur bëhet fjalë për palën e Prishtinës”, thotë Milivojeviq.
Ai beson se problemi është ajo që ndërmjetësi evropian në dialog, Peter Sorensen, mendon për këtë qasje.
"Thjesht, dje ishte e qartë se nuk do të kishte rezultate. Ishte e qartë se Bislimi nuk do të fliste për asgjë. Ai dëshiron të flasë vetëm për njohje, të paktën kështu më duket mua. Pra, nuk është e qartë se çfarë mendon ndërmjetësi për këtë dhe si mendojnë në BE që ky proces duhet të vazhdojë fare", thotë Milivojeviq.
Ish-diplomati paralajmëron se nëse takimet e mëparshme ishin "prova", atëherë mesazhi është i qartë.
"Në atë rast, nuk ka kuptim të flitet për vazhdimin e negociatave, për disa takime të reja, përveç qëndrimit të ndërmjetësit, dhe pastaj palës së Prishtines, në lidhje me detyrimet e marra më parë dhe kushtin pa të cilin, duhet të jemi të qartë, nuk ka vazhdim të negociatave, dhe ai është Asociacioni i Komunave Serbe", beson Milivojeviq.
Ai sqaron se është një "kusht i të gjitha kushteve" që po fiton peshë për shkak të ngjarjeve aktuale që synojnë komunitetin serb në Kosovë.
"Kjo merr peshë sidomos kur kemi masa shtypëse të administratës së Prishtinës në baza ditore dhe kur kemi elementë të vazhdimit të një lloj spastrimi etnik të popullit serb dhe e bëjmë jetën normale të pamundur", është i bindur Milivojeviq.
Si shembull, ai citon sekuestrimin e djeshëm të objekteve të Postës së Serbisë në Graçanicë dhe pjesë të tjera të Kosovës.
"Kjo me zyrat postare është thjesht një shenjë se nuk po heqim dorë prej saj, dhe në kushte të tilla është e vështirë të flitet pa garanci se serbët mund të mbështeten në një jetë normale në përgjithësi. Është garancia e parë dhe themelore që ne mund të diskutojmë disa çështje të tjera që kanë të bëjnë me normalizimin ose një zgjidhje politike", përfundon Milivojeviq.
„Histori e vjetër - e ngrirë"
Analisti politik nga Prishtina, Shkëlzen Maliqi, e përshkruan dialogun midis Beogradit dhe Prishtina-s si "një histori të vjetër dhe të ngrirë".
"Është një takim paksa rutinë. Ekipet që punojnë për këtë, evropiane e kështu me radhë, duhet të bëjnë diçka. Dialogu praktikisht ka qenë i ngrirë për dy vjet dhe një ekip i ri po përgatitet për në terren. Ende ka kohë për të zgjidhur gjërat”, thot Maliqi për Kosovo online.
Ai shton se në Bruksel ishte caktuar një takim ku duhej të flitej për personat e zhdukur, por se është vazhduar „historia e vjetër“.
„Ishte caktuar një takim ku duhej të flitej për të zhdukurit, por më pas në Bruksel u hapën temat aktuale: çka është më me rëndësi – Asociacioni apo të zhdukurit. Kjo është histori e vjetër, nuk ka ndryshime“, thotë Maliqi.
Ai thotë se në Kosovë aktualisht priten zgjedhjet lokale dhe se formimi i AKS-së dhe tema të tjera do të hyjnë në rend dite pasi të formohet qeveria e re.
Ai paralajmëron se nëse sërish vjen deri te një bllokadë institucionale, atëherë është krejtësisht e pasigurt në çfarë drejtimi do të shkojë Kosova.
„Mendoj se Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë opsion tjetër, përveç nëse nuk ka marrëveshje të mëdha gjeostrategjike, sepse gjithçka po ndryshon në skenën globale“, thekson Maliqi.
Kundërshtimin e rolit të Besnik Bislimit në Bruksel nga opozita në Kosovë ai e interpreton si faktin që ai nuk mund të ushtrojë „funksion të dyfishtë“, edhe si zëvendëskryeministër, edhe si deputet.
„Opozita mendon se në fakt ai po uzurpon pozitat, sepse nuk mundeni sipas Ligjit dhe Kushtetutës, ligjit që vetë qeveria e Kurtit e ka sponsorizuar, të mbani dy pozita – të jeni në pushtet dhe në organet ekzekutive, por edhe deputet. Duhet të zgjedhë njërën. Ky është një përplasje që zgjat tash e shtatë muaj“, përfundon ky analist.
„Çështje urgjente” për dialogun
Bashkëpunëtori i organizatës joqeveritare „Iniciativa e Re Shoqërore“, Aleksandar Shluka, konsideron se në qendër të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel duhet të jetë mbyllja e institucioneve serbe.
Ai thekson se hyrja e sotme në RFZO dhe në Fondin PIO në Mitrovicën e Veriut është vetëm e fundit në një varg „çështjesh urgjente“ për serbët në Kosovë.
„Dialogu sigurisht që duhet të zhvillohet, por në rrethana të tilla dialogu duhet të fokusohet pikërisht në këto çështje. Në një situatë kur kemi mbyllje të (institucioneve), dhe kjo është vetëm një nga një numër i madh mbylljesh gjatë një viti e gjysmë të kaluar, mendoj se dialogu para së gjithash duhet të fokusohet në zgjidhjen e kësaj krize, sepse kjo është diçka nga e cila qytetarët vuajnë më shumë“, thotë Shluka për Kosovo online.
Ai thekson se të gjitha çështjet e tjera brenda dialogut të Brukselit janë të rëndësishme, por se këtu bëhet fjalë për një "çështje urgjente" ndaj së cilës BE-ja dhe të tjerët "heshtin dhe e tolerojnë".
"Kjo është heshtje në një kuptim thelbësor për mbylljen e institucioneve që janë me rëndësi esenciale për qytetarët e Kosovës. Jo vetëm për ata nga komuniteti serb, por edhe të tjerët, përfshirë edhe shqiptarët. Nëse kemi heshtje që çon në përkeqësimin e gjendjes në komunitet, atëherë të gjitha ato çështje të tjera, nëse jo tani, në të ardhmen do të duken si të parëndësishme ose më pak të rëndësishme", thekson ky analist.
Ai shton se dialogu në Bruksel duhet të zhvillohet edhe për ato "çështje të neglizhuara".
"Siç kemi një krizë të re, neglizhojmë çështjet e mëparshme. Çfarë ndodhi me çështjen e dinarit? Kishim shtatë-tetë takime që u ndërprenë, nuk u arrit asnjë zgjidhje dhe nuk pamë asnjë epilog të asaj çështjeje. Njerëzit ende shkojnë jashtë Kosovës për të tërhequr paratë e tyre nga buxheti i Republikës së Serbisë. Kjo është vetëm një nga krizat e shumta që mbeti e pazgjidhur", saktëson Shluka.
Prandaj, ai konsideron se thelbi i dialogut duhet të jetë ajo që "aktualisht ngarkon më së shumti qytetarët".
"E kur kjo të zgjidhet, kur të vendoset njëfarë normalizimi dhe deeskalimi, atëherë do të ketë terren më pjellor për zgjidhjen e çështjeve më të mëdha", saktëson.
Duke komentuar takimin e djeshëm në Bruksel të përfaqësuesve të Prishtinës dhe Beogradit, Shluka thotë se pas deklaratave të tyre duket "sikur nuk kanë qenë në të njëjtin takim".
"Përveç faktit që nuk ka asnjë rezultat, sërish kemi deklarata të kundërta nga të dyja palët. Pra, gjërat që thanë Petkoviq dhe Bislimi na tregojnë sikur ata në fakt nuk kanë qenë në të njëjtin takim. Dhe mendoj se ky është një problem që vazhdon prej kohësh dhe që sipas mendimit tim duhet ta zgjidhë Bashkimi Evropian, respektivisht Sorenseni tani si fasilitator", beson Shluka.
Ai është i bindur se ai ose BE-ja duhet të dalë me një deklaratë pas secilit takim dhe të specifikojë se çfarë ishte në rend të ditës, çfarë u diskutua në të vërtetë dhe çfarë paraqitën të dyja palët.
Ai deklaron se prova më e mirë është çështja e formimit të Komisionit për Personat e Zhdukur, e cila, bazuar në informacionet e mëparshme, mendohej se ishte zgjidhur.
"Në dhjetor të vitit të kaluar, u tha se komisioni ishte formuar de facto dhe se pritet të fillojë punën. Dhe të gjithë prisnim që të ishte përparimi i parë diku, domethënë, një çështje humanitare që është në interes të të dyja palëve të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur, se mund të ketë disa përparime që në janar, shkurt të këtij viti. Por tani nga këto deklarata, të paktën nga e Bislimit, pala serbe e kupton se ende ka disa rezerva në lidhje me punën dhe funksionimin e atij komisioni, dhe se kjo vetëm tani është hequr gjoja. Me faktin se ajo nuk ka filluar punën ende, ajo nuk e ka pasur ende takimin e saj të parë", thekson Shluka.
Ai vlerëson se qeveria e Kosovës, e cila është në një mandat teknik, nuk ka legjitimitetin për të zhvilluar një dialog me ngjyra politike.
"Nuk duhet të marrë vendime të mëdha, prandaj quhet teknik, të marrë, pra, vetëm vendime teknike, dhe dialogu, megjithëse është në një nivel teknik në Bruksel, është thellësisht me ngjyra politike. Dhe ka shumë çështje të ndjeshme për qytetarët e të dyja palëve, dhe tani dikush që ka legjitimitet të dyshimtë për të shkuar dhe për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës mund të jetë mjaft problematik", thotë Shluka.
Ai shtoi se qeveria aktuale e Kosovës, megjithëse nuk ka besimin e qytetarëve, po përpiqet të ruajë pamjen e forcës politike dhe ende po pyet për çështjet kryesore.
0 komentet