Jevtiq: Nuk do të heqim dorë nga pohimi se i përkasim popullit serb, nuk pres konstituimin e Kuvendit

dalibor_jevtic
Burim: Kosovo Online

Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, deklaroi se partia e tij sot në Kuvendin e Kosovës do ta propozojë sërish Slavko Simiqin për nënkryetar të parlamentit dhe se nuk do të heqë dorë nga përdorimi i shprehjes „populli serb“, pasi ky është një fakt.

Siç tha Jevtiq për RTS, ata nuk u befasuan nga fakti që të mërkurën kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e ndërpreu seancën konstituive të parlamentit, sepse gjatë propozimit të kandidatit serb për nënkryetar ishte përdorur shprehja „populli serb“.

„Ndoshta kjo është befasi për opinionin e gjerë, por për ne nuk është. Ajo që ndodhi të mërkurën është një shuplakë e Kurtit ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila vazhdimisht hesht përballë asaj që Kurti po bën. Tani Vetëvendosje dëshiron të na ndalojë që të deklarohemi si popull serb. Qëllimi përfundimtar, në kuptimin politik, krahas kësaj bllokade që zgjat prej gati dy vjetësh, është që në çdo mënyrë të mundshme të fshihet nga territori i Kosovës dhe Metohisë gjithçka që është serbe“, tha ai.

Ai shtoi se deputetët e Listës Serbe sot në seancë do të veprojnë njësoj si deri më tani.

„Nuk kemi hequr dorë as më parë, kur Lëvizja Vetëvendosje refuzonte të votonte për nënkryetarin serb. Propozimi ynë do të jetë i njëjtë, dhe ai është deputeti Slavko Simiq, i cili ka përvojë dhe prej një kohe të gjatë është në atë pozitë. Sigurisht që nuk do të heqim dorë as nga pohimi i asaj që është fakt, e ky është se i përkasim popullit serb. Nuk pres që Kuvendi të konstituohet sot, sepse Albin Kurti dëshiron të blejë kohë, në mënyrë që zgjedhjet, të cilat gjithsesi do t’i kemi, t’i caktojë në një datë që i përshtatet atij“, tha Jevtiq.

Ai vlerëson se bëhet fjalë për taktizim politik të Kurtit.

„Kurti dëshiron t’i ketë të gjitha levat e pushtetit, sepse nuk di ndryshe. Me një fitore eventuale të tillë në zgjedhjet e ardhshme, Kurti do të arrinte të zbatonte atë që është ideja e tij – atë që ai e quan 'republika e tretë'. Aty serbët nuk kanë hapësirë për të jetuar. Kjo 'republikë e tretë' është hyrje në qëllimin e tij përfundimtar, e ai është 'Shqipëria e Madhe'“, shpjegoi nënkryetari i Listës Serbe.

Kur bëhet fjalë për rrënimin e objekteve në mjediset serbe pranë Liqenit të Gazivodës, Jevtiq thotë se ky është edhe një shembull tjetër se në Kosovë nuk ka sundim të ligjit kur bëhet fjalë për serbët.

„Krahas arrestimeve të serbëve pa prova, si dhe rrënimeve në Liqenin e Gazivodës, është e qartë se nuk ka drejtësi për serbët. Në Kosovë dhe Metohi ka mijëra objekte të ndërtuara në mënyrë të paligjshme. Ekziston mundësia që ato të legalizohen, por në vend të kësaj, duhet të rrënohen pikërisht atje ku jetojnë serbët. Kam përmendur shembullin e Komunës së Shtërpcës. Kur isha kryetar komune, u miratua procedura për rrënimin e një objekti të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, pasi një biznesmen shqiptar kishte ndërtuar një shtëpi pushimi. Ai objekt as sot e kësaj dite nuk është rrënuar. Ky është një shembull i qartë i qëndrimit ndaj popullit serb“, tha Jevtiq.

I pyetur nëse pret që Bashkimi Evropian të kalojë nga fjalët në vepra, Jevtiq thotë se kjo pritshmëri ekziston, por rikujton gjithashtu se serbët nuk do të heqin dorë nga lufta e tyre.

„Se çfarë do të bëjë BE-ja, kjo nuk është pyetje për ne. Sigurisht që ekziston një pritshmëri. Ne u themise nuk kemi nevojë për fjalë dënimi, por për vendime konkrete kur bëhet fjalë për ndalimin e gjithçkaje që Kurti po bën, duke pasur parasysh se ai po ushtron terror institucional ndaj popullit serb“, shpjegoi Jevtiq.

Duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, ai thotë se ajo është gjithmonë e brishtë.

„Veçanërisht në një moment kur pritet aktgjykimi në Hagë. Ekziston shqetësim i madh për atë që mund të ndodhë, cilido qoftë aktgjykimi. Për nesër është paralajmëruar një marsh i madh në Prishtinë. Në bisedimet me përfaqësuesit e KFOR-it, kemi kërkuar që të garantohet siguri e plotë për serbët“, tha Jevtiq.