Ripaketimi i listave të votuesve: Sipas ligjeve apo me nuanca politike?
Që nga dimri i kaluar, kur u paraqitën rezultatet e regjistrimit të popullsisë, u theksua se ato nuk pasqyrojnë numrin real as të serbëve e as të shqiptarëve në Kosovë. Dyshime mbi shifrat ekzistojnë edhe tani, kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar sa votues ka në cilën komunë. Në komunat me shumicë serbe në veri numri i tyre është ulur, ndërsa në Graçanicë është rritur, ka theksuar Lista Serbe. KQZ i referohet aktivizimit të sistemit të adresave, ndërsa bashkëbiseduesit e Kosovo online dyshojnë se pas gjithçkaje fshihen motive politike dhe synimi për t’u siguruar aktorëve politikë shqiptarë pozita sa më të favorshme.
Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, dje ka theksuar rënien drastike të numrit të votuesve në zgjedhjet lokale që po afrojnë, krahasuar me ato parlamentare të mbajtura në shkurt.
Në komunën e Leposaviqit, sipas tij, numri i votuesve është ulur për 1.508, në Mitrovicën e Veriut për 1.264. Ndërkohë, në komunat serbe në jug të Ibrit është shënuar rritje e votuesve, dhe kështu në Graçanicë numri i tyre është rritur për 10 për qind, përkatësisht për 2.444 votues.
„Biologjikisht është e pamundur që aq shumë njerëz të fitojnë të drejtën e votës me mbushjen e moshës madhore përnjëherë“, tha Simiq dhe theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendime joligjore dhe jolegjinime në dëm të popullit serb dhe Listës Serbe, të cilën serbët e zgjedhin në shumicë.
Pasi përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paraqitur edhe ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, KQZ ka tentuar të shpjegojë se si ka ardhur deri te luhatjet në numrin e votuesve.
Ulja e numrit të votuesve për 6.770 krahasuar me zgjedhjet parlamentare, siç kanë theksuar, është shprehur në 30 komuna, ndërsa në tetë të tjera numri i votuesve është më i madh si pasojë e aktivizimit të sistemit të adresave nga Agjencia për Regjistrim Civil.
Ndryshimet në listën e votuesve në prag të zgjedhjeve lokale, të cilat shpjegohen me "aktivizimin e sistemit të adresave" sipas Millosh Pavkoviq, drejtor i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane, janë një tentativë për inxhinieri zgjedhore dhe ndërhyrje indirekte në organizim dhe rrjedhimisht në rezultatet e zgjedhjeve.
"Padyshim, aspirata është të sigurohet pozicioni më i mirë i mundshëm për akterët politikë shqiptarë, dhe pozicioni më i keq i mundshëm për përfaqësuesit politikë serbë, kryesisht Listën Serbe. Kjo është padyshim një vazhdim i presionit institucional mbi serbët në mënyrë që tu zvogëlohen sa më shumë të drejtat e tyre, të dekurajohen ata nga pjesëmarrja në proceset politike dhe t'u mohohet atyre mundësia për të qenë akterë politikë relevantë", tha Pavkoviq për Kosovo online.
rejtori programor i OJQ-së Qendra për Avokimin e Kulturës Demokratike nga Mitrovica e Veriut, Aleksandar Rapajiq, thekson se rritja e numrit të qytetarëve që janë regjistruar si votues, veçanërisht nga komuniteti shqiptar, nuk po ndodh vetëm në Graçanicë, por edhe në Mitrovicën e Veriut. Ai thotë se edhe në zgjedhjet e kaluara janë regjistruar mbi një mijë persona të rinj në listat zgjedhore.
„Me ndërtimin e shtëpive në veri dhe pjesërisht me kthimin, e pjesërisht me vendosjen e shqiptarëve nga komuna të tjera, po rritet numri i shqiptarëve në qytet“, thekson Rapajiq për Kosovo online.
Situatën në Graçanicë ai e sheh si pasojë e regjistrimit të popullsisë, kur një numër i madh njerëzish, edhe pse nuk kishin vendbanim në territorin e asaj komune, janë deklaruar se jetojnë aty.
„Pastaj këta njerëz, automatikisht, janë ftuar të ndryshojnë adresat e tyre. Njerëzit që kurrë nuk kanë votuar në Graçanicë, tani janë transferuar të votojnë atje, sepse gjatë regjistrimit janë regjistruar në territorin e asaj komune“, thekson Rapajiq.
Historiani Aleksandar Guxhiq thotë se KQZ-ja është udhëhequr nga motive politike kur ka vendosur që banorët e lagjes Marigona dhe të tjerëve në territorin e Graçanicës, ku jetojnë shqiptarë, të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këtë komunë, edhe pse në proceset e mëparshme zgjedhore këtë të drejtë e kanë realizuar në territore të komunave të tjera.
Sipas tij, një vendim i tillë i KQZ-së do të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve në Graçanicë, ku partitë shqiptare do të kenë rezultat më të mirë sesa në ciklin e kaluar zgjedhor dhe kështu do të kenë më shumë fuqi vendimmarrëse.
„Vendimi i KQZ-së është i çuditshëm, sepse pronarëve të shtëpive të fundjavës, njerëzve që jetojnë në Marigonë, por edhe në lagje të tjera ku jetojnë shqiptarë, nuk iu është lënë mundësia e zgjedhjes, por është vendosur në mënyrë arbitrare që ata do të votojnë në komunën e Graçanicës. Sipas mendimit tim, kjo është bërë me plan për të ndryshuar strukturën demografike dhe për të forcuar elementin shqiptar“, deklaroi Guxhiq për Kosovo online.
Ai shton se duhej të lihej mundësia që banorët e atyre lagjeve vetë të vendosnin se ku do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
„Që ta shpjegoj më qartë, unë mund të kem dhjetë shtëpi, por vetëm në një vend kam vendbanim, dhe aty mund ta ushtroj të drejtën time të garantuar me Kushtetutë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur“, thotë Guxhiq.
Megjithatë, ai thekson se problemi në Graçanicë nuk filloi dje, por ka vazhduar për 15 vitet e fundit.
"Në fazën fillestare, biznesmenët dhe kompanitë e ndërtimit shqiptarë ndërtuan objekte ilegalisht në territorin e komunës së Graçanicës, kështu që në fazën tjetër ato objekte u legalizuan nga zyrtarët e Komunës dhe tani jemi në situatën në të cilën jemi. Nuk duhej të ishim shumë të zgjuar dhe të konkludonim se çfarë mund të ndodhë në të ardhmen nëse lejojmë ndërtimin e shtëpive të shqiptarëve dhe vendosjen e shqiptarëve. Jo në këtë proces zgjedhor, por në zgjedhjet e ardhshme lokale ekziston një rrezik real që shqiptarët ta marrin Komunën e Graçanicës",është i mendimit ai.
Siç shton ai, një proces i ngjashëm ka ndodhur në Shtërpcë në të kaluarën, prandaj mendon se një problem i ngjashëm mund të pritet në komunën e Shtërpcës në të ardhmen. Partitë politike serbe, dhe mbi të gjitha Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen më të madhe të serbëve në Kosovë dhe Metohi, thotë se duhet të pengojë procese të tilla në të ardhmen.
Analisti politik Blerim Burjani tha për Kosovo online se lista e votuesve në Kosovë ndryshon çdo vit zgjedhor dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton vendimin për listën e re, e cila sipas ligjit duhet të jetë e përditësuar dhe e besueshme.
Ai thotë se lista ndryshon në varësi të faktorëve demografikë.
„Çdo komunë ka faktorët e vet demografikë dhe nuk ka standarde të tjera që ndikojnë në listë. Nëse ndodh diçka jashtë kësaj, kjo do të thotë se është kundër ligjit. Edhe adresat ndikojnë në listën zgjedhore, nëse qytetarët i ndryshojnë ato“, tha Burjani.
Nëse kanë informacione për standarde të dyfishta, siç theksoi ai, partitë mund të paraqesin ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Numri i votuesve në listën zgjedhore për Listën Serbe nuk është çështja e vetme kontestuese, por ata theksojnë se me shkeljen e ligjit dhe të rregullave zgjedhore po ulet edhe numri i kryesuesve në këshillat zgjedhorë që i delegon kjo parti. Si një nga shembujt kanë përmendur Shtërpcën, ku kjo parti do të ketë kryesues vetëm në dy nga 17 vendvotime, ndërsa në gjashtë vendvotime nuk do të ketë as kryesues e as anëtar të këshillit, megjithëse në zgjedhjet parlamentare në atë komunë kishte fituar 60,6 për qind të votave.
Në të njëjtën kohë, Vetëvendosje në atë komunë do të ketë shtatë kryesues, edhe pse në shkurt kishte fituar vetëm 12,8 për qind, pra pesë herë më pak vota se Lista Serbe.
Pavkoviq thotë se vendimet e KQZ-së në lidhje me komisionet e votimit janë gjithashtu një lloj presioni institucional.
Është e qartë, thotë ai, se ideja është të zvogëlohet numri i komisioneve zgjedhore ku do të kryesojë Lista Serbe dhe kështu të vështirësohet në mënyrë indirekte pozicioni i saj, duke përmirësuar njëkohësisht pozicionin e partive politike shqiptare.
"Dhe kjo është ajo që përputhet me të gjithë atë koncept në përgjithësi, ku Lista Serbe shihet si një strukturë armiqësore, që nuk është e mirëpritur. Gjithashtu kemi parë që asnjë përfaqësues nga radhët e Listës Serbe nuk u zgjodh si nënkryetar i Kuvendit. Pra, këtu ka një qëndrim të qartë armiqësor ndaj Listës Serbe dhe Vetëvendosja e thekson atë në çdo rast, nga KQZ-ja deri te Kuvendi i Kosovës, kudo që Lista Serbe shihet me mosbesim dhe përpiqet ta privojë atë nga ose t'i zvogëlojë të gjitha mundësitë e disponueshme ligjërisht", përfundon Pavkoviq.
Presionet ndaj komunitetit serb, është i bindur Rapajiq, do të vazhdojnë deri në ditën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale më 9 tetor, madje edhe në vetë ditën e zgjedhjeve.
„Që kur janë shpallur zgjedhjet lokale, shohim se ekziston një presion i madh sidomos mbi komunitetin serb. Ka pasur përpjekje që të mos pranohen listat dhe që të futet sa më pak njerëz në këshillat zgjedhorë. Ekziston një dozë e caktuar presioni mbi komunitetin serb në mënyrë që të tentohet të zvogëlohet numri i njerëzve që do të dalin në zgjedhje. Pres që do të ketë edhe pengesa për të ardhur njerëzit nga Serbia qendrore për të votuar, që do të ketë probleme pikërisht atë ditë, që shumë njerëz nuk do të jenë në listë për shkak se nuk është organizuar regjistrimi, kështu që mund të presim gjithçka,“ thekson Rapajiq.
komentet