Si të qeveriset pa përgjegjësi: A i përshtatet Kurtit mandati teknik?
Nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani varet edhe “fati” i qeverisë së Kosovës. Nëse në fund të këtij muaji gjykata vendos që Kosova të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, qeveria “Kurti 3” do të jetë në mandat teknik deri në mbajtjen e tyre. A i përshtatet pushteti i kufizuar kryeministrit të Kosovës Albin Kurti – mendimet e bashkëbiseduesve tanë për këtë çështje janë të ndryshme. Ndërsa disa vlerësojnë se një situatë e tillë do të ishte e favorshme për të, sepse do të shmangte detyrimet në dialogun me Beogradin dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të tjerë mendojnë se një qeveri në mandat teknik do të ishte në dëm të Kurtit në planin afatgjatë.
Shkruan: Millena Milladinoviq
Çështja e zgjedhjes së presidentit të Kosovës ka tronditur sërish skenën politike në Prishtinë në një moment kur, me 51 për qind të votave dhe një shumicë stabile në Kuvendin e Kosovës, kryeministri Albin Kurti formoi qeverinë dhe për herë të tretë mori mandatin.
Në një periudhë të shkurtër “stabiliteti” u miratua buxheti për këtë vit, i cili arrin pothuajse katër miliardë euro, si dhe u ratifikuan marrëveshje ndërkombëtare që lidhen me financimin nga Plani Evropian i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Menjëherë pas kësaj pasoi një turbulencë e re. Konsensusi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës nuk u arrit. Ndërsa opozita kërkonte marrëveshje partiake për këtë çështje, Kurti dëshironte “njeriun e tij” në këtë post, megjithëse deri në momentin e fundit nuk dihej emri i tij, ndaj në media qarkulluan emra të ndryshëm, nga Murat Jashari, Andin Hoti, Veton Surroi… për të arritur në fund te Glauk Konjufca.
“Lojërat politike” vazhduan edhe në ditën e fundit, kur kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, theksoi se nuk mund të thërrasë seancën për zgjedhjen e presidentit sepse nuk kishte kandidat tjetër përveç Konjufcës, megjithëse Vetëvendosje me 66 vota të sigurta në parlament mund të propozonte edhe një kandidat tjetër, duke qenë se për kandidaturë nevojiten 30 nënshkrime të deputetëve.
Sipas “kalendarit të kuvendit”, rezultoi se mbetej edhe një ditë për zgjedhjen e presidentit, ndaj vetëm tre orë para skadimit të afatit, Vetëvendosje propozoi edhe një kandidate tjetër, Fatmire Kollçaku.
Në seancën e pasuksesshme të Kuvendit të Kosovës po atë mbrëmje nuk u zgjodh presidenti i ri. Pasoi shpallja e zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani, por edhe ankesa e Vetëvendosjes, si dhe kërkesa e Albulena Haxhiut. Për të gjitha këto, Gjykata Kushtetuese do të vendosë deri më 31 mars.
Janë dy skenarë në të cilët Kosova mund të gjendet pas kësaj date: kthimi i seancës për zgjedhjen e presidentit në fillim, ose shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Nëse vjen deri te zgjedhjet e reja, qeveria e Kosovës do të jetë në mandat teknik deri në mbajtjen e tyre, ndaj shtrohet pyetja nëse Kurti e ka “rrëzuar” qeverinë e tij për të vendosur dikë nga partia e tij në postin e presidentit dhe nëse i përshtatet të jetë kryeministër në mandat teknik, ku mund të menaxhojë buxhetin, projektet, tenderët… por pa marrë vendime të vështira si formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe obligimet e tjera nga dialogu me Serbinë.
Mendimet e bashkëbiseduesve tanë janë të ndara.
Në mandat teknik pa obligime dhe përgjegjësi
Dushan Radakoviq nga organizata joqeveritare “Demokracia në Veprim” deklaroi për Kosovo online se Kurtit i përshtatet një qeveri në mandat teknik, sepse nuk ka përgjegjësi, si dhe nuk ka dialog me Beogradin në të cilin, siç thekson ai, Kurti do të duhej të “gëlltiste edhe pilulën e hidhur”.
Radakoviq thekson se të gjitha çështjet që lidhen me serbët në periudhën e fundit në Kosovë janë realizuar përmes udhëzimeve administrative.
Sipas tij, nëse qeveria e Kosovës do të ishte në mandat të plotë, presioni ndaj Kurtit do të ishte më i madh.
„Nëse do ta kishte qeverinë plotësisht funksionale, sigurisht që dialogu do të kishte nisur, sigurisht që do të duhej ta dërgonte Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese, dhe presioni ndaj tij dhe ndaj gjithë qeverisë do të ishte shumë më i madh. Ai pati një qeveri funksionale për dhjetë ditë, miratoi ligjet që i duheshin për Bashkimin Evropian, iu hoqën sanksionet dhe tani ai vazhdon të funksionojë dhe do të vazhdojë të funksionojë kështu“, tha Radakoviq.
Bashkëbiseduesi ynë konsideron se Kurti po përgatit terrenin që zgjedhjet të mbahen gjatë verës, kur diaspora do të jetë sërish në numër të madh në Kosovë, megjithëse, siç thotë Radakoviq, duke mos i dhënë mbështetje presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për një mandat tjetër, ai ka humbur edhe votat e diasporës.
„Mendoj se po përgatitet terreni që zgjedhjet të mbahen në një periudhë verore, prandaj kemi një, dy, tre kërkesa në Gjykatën Kushtetuese që zgjedhjet të mbahen në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, kur diaspora është sërish këtu. Deri atëherë – ai është në pushtet, qeveris, emëron ministra dhe zëvendësministra sipas dëshirës së tij – nëse është sipas ligjit apo jo. Kurti prej dy vitesh qeveris përmes udhëzimeve administrative dhe me qeveri teknike. Mendoj se ka pasur minus në raport me presidenten, sepse ajo ka mbështetje të madhe në Zvicër, Austri, Gjermani e kështu me radhë, prandaj mbetet të shihet sa mbështetje do të marrë ai“, shtoi Radakoviq.
Deri atëherë, sipas Radakoviq, Kurti nuk ka përgjegjësi as në dialogun me Serbinë, duke shtuar se kjo është gjëja më e rëndësishme për kryeministrin e Kosovës.
„Në dialogun në Bruksel sigurisht që disa gjëra nuk do të jenë të njëanshme, por do të duhet të gëlltisë disa ‘pilula të hidhura’ për shkak të çështjeve që do të duhet të nënshkruhen. Në këtë mënyrë, ai ka një qeveri teknike, nuk ka dialog, qeveris si të dojë, funksionon... Përgatit terrenin për zgjedhje të reja, dhe më pas sigurisht që presioni ndaj tij do të jetë shumë më i madh“, theksoi Radakoviq.
AKS nuk varet nga qeveria e Kosovës
Analisti Nexhmedin Spahiu tha se një qeveri e Kosovës në mandat teknik do të ishte në dëm të Kurtit, si dhe se formimi i Asociacionit të komunave serbe nuk varet nga fakti nëse Qeveria e Kosovës është në mandat të plotë apo teknik.
Spahiu për Kosovo online deklaroi se çështja e formimit të AKS-së varet nga Marrëveshja e Brukselit.
“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk varet nga fakti nëse Kurti është në mandat teknik apo të plotë. Ai nuk e ka zgjidhur këtë çështje as kur ka qenë në mandat të plotë. Kjo lidhet me Marrëveshjen e Brukselit, dhe Kurti pret që Asociacioni i komunave serbe të formohet njëkohësisht me hapjen e përfaqësive të përhershme diplomatike të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, që do të thotë njohje de facto dhe de jure të Kosovës”, tha bashkëbiseduesi ynë.
Spahiu thekson se Kurti në periudhën e kaluar nuk e ka përdorur në mënyrë të rregullt mandatin teknik, duke qenë se nuk ka pasur reagim nga partitë opozitare.
“Ai e ka shfrytëzuar atë vakum për të bërë gjëra që i duheshin, ndërkohë që në fakt nuk duhej t’i bënte”, shtoi ai.
Qeveria në mandat teknik, sipas vlerësimit të Spahiut, është në dëm të Kurtit.
“Atij i përshtatet që ta përfundojë mandatin e plotë, sepse i fitoi zgjedhjet me 51 për qind të votave. Ai po bllofonte, mendonte se opozita do të frikësohej nga zgjedhjet dhe donte të zgjidhte njeriun e tij për president, por opozita nuk ra në këtë kurth. Tani, me shumë gjasë, do të duhet të shkohet në zgjedhje dhe me shumë gjasa nuk do të marrë rezultatin që kishte më 28 dhjetor”, përfundoi Spahiu.
Me një qeveri teknike në një terren të vështirë
Drejtori i strategjisë në Qendrën për Politika Evropiane nga Beogradi, Millosh Pavkoviq, theksoi se një qeveri e Kosovës në mandat teknik do ta nxirrte dialogun me Serbinë jashtë agjendës, por se një qeveri e tillë nuk do t’i përshtatej kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në plan afatgjatë.
Pavkoviq për Kosovo online thekson se për Kurtin, nëse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese qeveria e Kosovës do të ishte në mandat teknik deri në zgjedhjet e jashtëzakonshme, kjo do të ishte një justifikim i mirë për të mos u marrë me çështjen e dialogut dhe të Asociacionit të komunave serbe.
“Kurti aktualisht nuk është në mandat teknik, duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ngrirë të gjithë procesin deri në fund të marsit, kjo në fakt do të thotë se ekziston mundësia që ai të jetë në mandat teknik nëse shpallen zgjedhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, ai do të vazhdojë të jetë kryeministër me mandat të plotë. Nëse ndodh mandati teknik, ai do të ketë një justifikim të mirë për të mos u marrë me çështjen e dialogut, normalizimin e marrëdhënieve dhe krijimin e Asociacionit të komunave serbe”, tha Pavkoviq.
Megjithatë, shton bashkëbiseduesi ynë, Kurti me një qeveri në mandat teknik do të hynte në një terren politik shumë të vështirë.
“Çdo zgjedhje sjell një lloj pasigurie. Mendoj se ai do të synojë të mbetet në mandat të plotë dhe të shmangë zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe mandatin teknik, gjë që e ka sinjalizuar edhe në disa deklarata. Mandati teknik do të nënkuptonte patjetër që të gjitha çështjet që lidhen me dialogun të nxirren jashtë agjendës dhe kjo do t’i shkonte për shtat Kurtit, megjithatë, në përgjithësi, mandati teknik nuk do t’i shkonte në favor në plan afatgjatë”, thekson Pavkoviq.
0 komentet