Spahiu: Çështja e Asociacionit nuk varet nga qeveria e Kosovës në mandat teknik apo të plotë

Spahiu
Burim: Kosovo Online

Analisti Nexhmedin Spahiu tha se një qeveri e Kosovës në mandat teknik do të ishte në dëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk varet nga fakti nëse Qeveria e Kosovës është në mandat të plotë apo teknik.

 

Spahiu për Kosovo online deklaroi se çështja e formimit të AKS-së varet nga Marrëveshja e Brukselit.

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk varet nga fakti nëse Kurti është në mandat teknik apo të plotë. Ai nuk e ka zgjidhur këtë çështje as kur ka qenë në mandat të plotë. Kjo lidhet me Marrëveshjen e Brukselit, dhe Kurti pret që Asociacioni i komunave serbe të formohet njëkohësisht me hapjen e përfaqësive të përhershme diplomatike të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë, që do të thotë njohje de facto dhe de jure të Kosovës”, tha bashkëbiseduesi ynë.

 

Spahiu thekson se Kurti në periudhën e kaluar nuk e ka përdorur në mënyrë të rregullt mandatin teknik, duke qenë se nuk ka pasur reagim nga partitë opozitare.

“Ai e ka shfrytëzuar atë vakum për të bërë gjëra që i duheshin, ndërkohë që në fakt nuk duhej t’i bënte”, shtoi ai.

Qeveria në mandat teknik, sipas vlerësimit të Spahiut, është në dëm të Kurtit.

“Atij i përshtatet që ta përfundojë mandatin e plotë, sepse i fitoi zgjedhjet me 51 për qind të votave. Ai po bllofonte, mendonte se opozita do të frikësohej nga zgjedhjet dhe donte të zgjidhte njeriun e tij për president, por opozita nuk ra në këtë kurth. Tani, me shumë gjasë, do të duhet të shkohet në zgjedhje dhe me shumë gjasa nuk do të marrë rezultatin që kishte më 28 dhjetor”, përfundoi Spahiu.