Sorensen në vizitën e tij të parë në Prishtinë: Fillim energjik, çështje të pazgjidhura dhe më shumë seç duhet

Sorensen
Burim: Kosovo Online

Ai e vazhdoi itinerarin e paraardhësit të tij, Miroslav Lajçak – fillimisht vizita në Prishtinë, pastaj në Beograd. Në fund të ditës së parë të vizitës triditore në Kosovë, bisedimet me nikoqirët i përshkroi si një “fillim i mirë”. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, Peter Sorensen, gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë nuk zbuloi planet për vazhdimin e dialogut, por “mati pulsin” si të përfaqësuesve të pushtetit, ashtu edhe të opozitës – a mund të përparojë fare ky proces?

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Draft statuti evropian i Bashkësisë së Komunave Serbe, gjendja e sigurisë në Kosovë dhe perspektivat për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës ishin çështje që Sorensen i diskutoi dje dhe sot me Presidentin dhe Kryeministrin e Kosovës, përfaqësues të opozitës dhe komandantin e KFOR-it.

Pavarësisht energjisë së dukshme të diplomatit danez dhe përvojës së tij të pasur, siç vlerësojnë bashkëbiseduesit e Kosovo online, do të nevojiten shumë përpjekje për të zhbllokuar dialogun dhe për të zbatuar marrëveshjet e arritura. Ose për të nisur nga e para.

"Kam bashkëbisedues në Prishtinë, por gjithashtu duhet të shkoj edhe në Beograd. Kur t’i përfundoj këto bisedime, do të jem në gjendje të vlerësoj se ku ndodhemi. Megjithatë, është shumë e qartë se procesi i dialogut ka sjellë një sërë zhvillimesh të rëndësishme dhe mbi këtë duhet të ndërtojmë më tej", tha dje Sorensen.

Siç shtoi ai, thelbi i dialogut është arritja e kompromisit, por u takon palëve të vendosin për këtë.

Pas bisedimeve me përfaqësuesit e opozitës, ai theksoi se ata e dinë që procesi i normalizimit është i rëndësishëm për Kosovën dhe se të gjithë duhet ta mbështesin atë.

Sot, ai vizitoi pikën kufitare në Bërnjak, pas së cilës shkroi në rrjetin social "X" se duhet të përfundohet pa vonesa ajo që ka mbetur, pra të lejohet lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave.

Gjatë takimit me Sorensenin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti "nevojën për heqjen e masave të padrejta" që BE-ja i vendosi Kosovës në qershor të vitit 2023, duke theksuar dëmin që i shkaktojnë ato procesit të dialogut, duke e bërë atë "të pabalancuar". Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e shfrytëzoi bisedën me ndërmjetësin e BE-së për dialog për të theksuar se masat ndëshkuese duhet të hiqen menjëherë.

Koordinatori i Grupit Punues të Konventës Kombëtare për BE-në për kapitullin 35, Dragisha Mijaçiq, megjithatë thotë për Kosovo online se përderisa është e natyrshme që zyrtarët e Kosovës të shprehin qëndrimet e tyre në lidhje me heqjen e masave ndëshkuese të BE-së, pasi kjo është një çështje e madhe për Kosovën, Sorensen nuk është adresa e vetme ku mund të zgjidhet çështja.

"Kosova pritet të përmbushë disa masa që të hiqen këto masa ndëshkuese, por nga ana tjetër varet edhe nga vetë vendet anëtare të BE-së. Kur të vijë koha, Sorensen mund të thotë nëse Kosova i ka përmbushur disa detyrime apo jo, por vendimin përfundimtar e merr Këshilli Evropian, i cili përbëhet nga presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare, dhe kjo është në dorën e tyre nëse ata duan të vendosin masat ndëshkuese".

Duke pasur parasysh se përfaqësuesi i BE-së, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me mbylljen e institucioneve serbe në Kosovë, tha në Prishtinë se në këtë temë duhet të punohet dhe se njerëzit duhet t'i marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme, Mijaçiq thotë se kjo çështje është padyshim një nga çështjet më urgjente.

“Pritet që çështja e ofrimit të shërbimeve për serbët dhe të tjerët që përdorin shërbime të financuara nga Qeveria e Republikës së Serbisë dhe që veprojnë në Kosovë dhe Metohi, të zgjidhet përmes funksionimit të Bashkësisë së Komunave Serbe, dhe funksionimi i Bashkësisë së Komunave Serbe është një nga çështjet kyçe në dialog. Sorensen mund të ketë dhënë një përgjigje diplomatike, por ishte vërtet e saktë - se do të bëhen përpjekje për të institucionalizuar disi gamën e shërbimeve të marra kryesisht nga serbët dhe joshqiptarët e tjerë në Kosovë, të cilët mbështeten nga Qeveria e Republikës së Serbisë, deri në atë pikë sa të mos kemi inkursione të dhunshme dhe akte të njëanshme për mbylljen e tyre. Kjo është me të vërtetë një nga çështjet e mëdha që do të trajtojë zoti Sorensen, dhe ne do të shohim nëse ai do të ketë sukses në këtë," thekson Mijaçiq.

Si befasinë më të madhe ai veçon faktin se vizita e Sorensen në Kosovë zgjat tre ditë dhe thotë se do të jetë interesante të shihet nëse ai do të qëndrojë i njëjtë gjatë vizitës së tij në Beograd dhe me kë do të takohet, nëse do të jenë vetëm përfaqësues të qeverisë apo përfaqësues të opozitës dhe disa aktorëve të tjerë.

“Sorensen po viziton rajonin për herë të parë dhe ka marrë të njëjtën rrugë që ka përdorur Lajçak, me vizitën e parë në Prishtinë dhe më pas në Beograd.Ai tashmë është takuar me përfaqësuesit e Prishtinës në Konferencën e Mynihut, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe ai për Integrime Evropiane të Serbisë, kështu që ai pati bisedimet fillestare me përfaqësuesit e Serbisë dhe Kosovës, por kjo është vizita e tij e parë në Kosovë ku ai është në mision për të mësuar për faktorë të ndryshëm, për pritje të ndryshme, çfarë duhet bërë në kuadër të këtij procesi”, thotë Mijaçiq.

Sipas mendimit të Nemanja Bishevacit, ish-kryetar i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, përfaqësuesi i ri i BE-së për dialog ndoshta gëzon mbështetje më të fortë nga Bashkimi Evropian sesa paraardhësi i tij, Miroslav Lajçak, për të punuar në rigjallërimin e dialogut. Megjithatë, ai vlerëson se autoritetet në Prishtinë kanë treguar gjatë periudhës së kaluar se nuk janë aspak të gatshme për dialog, ndonëse Beogradi ka përmbushur gjithçka që i është kërkuar në 12 vitet e fundit.

"Mendoj se do të nevojiten shumë përpjekje, edhe pse zoti Sorensen është një diplomat me përvojë, për të zhbllokuar dialogun dhe për ta drejtuar atë në kahun e duhur. Pamë që ai pati takime edhe me liderët e opozitës, gjë që tregon se as Bashkimi Evropian nuk ka një vizion të qartë se kush do të jetë në pushtet në Prishtinë", tha Bishevac për Kosovo online.

Në krahasim me Lajçakun, Sorensen, vlerëson Bishevac, ka një energji më të madhe, edhe pse thotë se kjo mund të jetë vetëm energji fillestare dhe se si do të zhvillohet situata më tej, mbetet të shihet.

“Kur të shkojë në Beograd, mesazhet e Sorenesenit ndoshta do të jenë të njëjta si në Prishtinë, mirëpo, duke u mësuar nga përvojat e viteve të kaluara, ndoshta do të jetë më i ashpër ndaj Beogradit, edhe pse Beogradi është ai që bëri gjithçka për ta mbajtur gjallë atë dialog dhe, në një farë mënyre, ekziston ende”, thotë bashkëbiseduesi ynë.

Profesori universitar Mazllum Baraliu thotë për Kosova online se autoritetet dhe institucionet e Kosovës duhet të analizojnë mesazhet dhe rekomandimet e përcjella nga Sorensen gjatë vizitës së tij në Prishtinë dhe se pavarësisht tyre, Kaja Kallas, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, duhet të angazhohet për reformimin e procesit të dialogut.

“Duhet të nisë nga fillimi. Duhet të shikohet nëse marrëveshja e fundit nga Brukseli, i ashtuquajturi propozimi franko-gjerman por dhe ai amerikan, mund të riaktivizohet ose duhet të nisë nga e para për ndonjë projekt-marrëveshje tjetër që do të jetë definitive, finale në kuptimin e njohjes reciproke të Kosovës dhe Serbisë dhe zgjidhjes së këtij problemi që rëndon si Kosovën por më shumë Serbinë, sepse ky është i vetmi problem i pazgjidhur mes ish-republikave jugosllave dhe krahinave që mbetën në Serbi” ka thënë Baraliu.

Sipas vlerësimit të tij, Bashkimi Europian në përpërjen e mëparshme nuk ishte i suksesshëm kur është fjala për politikën e jashtme të Zhozef Borellit e aq më tepër për çështjen e dialogut Beograd-Prishtinë dhe marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj të Ohrit.

“Këto marrëveshje në fakt janë jo egzistuese pasi Serbia në Bruksel tha se nuk do t’ipranojë. Gjithashtu radha e hapave që duhej të ndërmerrej nga ana e Prishtinës dhe Beogradit nuk u zbatua nga asnjë palë, kështu që ajo politikë e mëparshme ishte afatshkurtër, pa vizion dhe pa rezultat të caktuar dhe duket se kjo politikë e jashtme e BE vazhdon. BE është në krizë të thellë dhe si pasojë e kësaj nuk e ka ndryshuar politikën e saj të jashtme dhe vazhdimi i kësaj politike nënkupton mossukses dhe humbje kohe si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, për popujt këtu dhe për vetë BE. Nëse kjo vazhdon kështu dhe ngelen të njëjtat kërkesa ndaj Kosovës, por edhe për Serbinë, mendoj se nuk do të përfundojë suksesshëm” vlerëson Baraliu.