Strategjia e re buxhetore e NATO-s: A mund t’i përballojnë vendet e Ballkanit Perëndimor shpenzimet më të larta ushtarake?

Vendet anëtare të NATO-s mund të përballen me një kërkesë të pakëndshme në samitin e qershorit në Holandë: që shpenzimet për mbrojtje të rriten në 3.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Në një situatë kur shumë vende të Evropës Perëndimore nuk e përmbushin as standardin aktual prej 2 për qind, pyetja thelbësore është si do të arrijnë këtë kuotë vendet më të varfra, veçanërisht ato të Ballkanit Perëndimor.
Shkruan: Gjorgje Baroviq
Sipas burimeve të Reuters-it, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, tashmë i ka propozuar vendeve anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 3.5 për qind të PBB-së, si dhe të angazhohen për një 1.5 për qind shtesë për shpenzime më të gjera të sigurisë.
Në total, kjo do të ishte ajo “pesë përqindëshja magjike” e ndarë nga PBB-ja, të cilën e propozoi fillimisht ish-presidenti amerikan Donald Trump.
Në mes të shkurtit, ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegset, deklaroi se Trump nuk ka hequr dorë nga kjo ide dhe se aleatët evropianë brenda NATO-s duhet të “marrin përgjegjësinë për mbrojtjen e kontinentit të tyre” dhe të përballen me “realitetet strategjike”.
“Kjo kërkon rritje të buxheteve të mbrojtjes. Dy për qind ishte vetëm një fillim, por nuk mjafton. As tre, as katër për qind nuk janë të mjaftueshme – pesë për qind është një investim real në mbrojtje”, tha Hegseh.
NATO planifikon që këtë vit të mbledhë rreth 4.6 miliardë euro përmes kontributeve të drejtpërdrejta dhe tërthorazi nga vendet anëtare.
“Këto mjete (rreth 4.6 miliardë euro për vitin 2025) i mundësojnë NATO-s të ofrojë kapacitete dhe të menaxhojë të gjithë organizatën dhe komandat e saj ushtarake”, thuhet në deklaratën e kësaj aleance.
Më shumë se 100 vende kanë rritur shpenzimet ushtarake
Sipas një hulumtimi të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqe në Stokholm (SIPRI) nga prilli, shpenzimet ushtarake globale në vitin e kaluar janë rritur në 2.718 miliardë dollarë, që përbën një rritje prej 9,4 për qind – rritja më e madhe vjetore që nga viti 1988.
„Më shumë se 100 vende në mbarë botën i kanë rritur shpenzimet ushtarake në vitin 2024. Meqenëse qeveritë i japin gjithnjë e më shumë prioritet sigurisë ushtarake, shpesh në dëm të fushave të tjera buxhetore, kompromiset ekonomike dhe shoqërore mund të kenë pasoja të rëndësishme për shoqëritë në vitet që vijnë“, tha Xiao Liang, studiues në Programin për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve në SIPRI.
Sipas të dhënave nga ky hulumtim, SHBA dhe Kina përbënin gati gjysmën e të gjitha shpenzimeve ushtarake globale në vitin e kaluar.
„Rritjet më të mëdha përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm në këtë grup janë regjistruar në Izrael (+65%) dhe Rusi (+38%), gjë që tregon ndikimin e konflikteve të mëdha në tendencat e shpenzimeve gjatë vitit 2024. Me 997 miliardë dollarë në vitin 2024, shpenzimet ushtarake të SHBA-së ishin 5,7% më të larta se në vitin 2023 dhe 19% më të larta se në vitin 2015. SHBA mbetet konsumatori më i madh në botë, duke shpenzuar 3,2 herë më shumë se Kina, vendi i dytë në listë. SHBA përbënin 37% të shpenzimeve globale ushtarake në vitin 2024 dhe 66% të shpenzimeve të vendeve anëtare të NATO-s“, thuhet në këtë raport.
Kur bëhet fjalë për Evropën, shpenzimet ushtarake të Gjermanisë janë rritur për 28 për qind, duke arritur në 88,5 miliardë dollarë, çka e bën atë konsumatorin më të madh në Evropën Qendrore dhe Perëndimore dhe të katërtin më të madh në botë. Shpenzimet ushtarake të Polonisë u rritën për 31 për qind, duke arritur në 38,0 miliardë dollarë në vitin 2024, që përbën 4,2 për qind të PBB-së së këtij vendi.
Megjithatë, jo të gjitha vendet e BE-së përmbushin standardin e nevojshëm.
Italia, për shembull, shpenzon 1,49 për qind të PBB-së, Portugalia 1,55, Sllovenia 1,29, dhe Spanja 1,28 për qind të PBB-së për nevoja ushtarake.
Vendet e Ballkanit Perëndimor, të paktën në letër, janë afër nivelit të parashikuar të shpenzimeve ushtarake që u vendosën që në vitin 2006.
Sipas të dhënave të NATO-s për vitin 2024 Shqipëria shpenzon 2,02% të PBB-së, Kroacia – 1,81%, Mali i Zi – 2,2%, Maqedonia e Veriut – 2,22% të PBB-së.
Numrat mashtruese
Megjithatë, analisti ushtarak Aleksandar Radiq shpreh dyshime se këto vende në të vërtetë i kanë ndarë këto shuma.
Ai këtë e shpjegon me “statistikë elegante”.
"Ushtritë e Ballkanit Perëndimor janë të vogla dhe sigurisht kur ke një sistem potencialisht më të vogël, është e mundur të kryesh një matje statistikore më lehtë dhe më elegante, sesa sistemet e mëdha që fillimisht të ngarkojnë me një numër të madh pagash, kosto të mëdha për mbajtjen e ushtrimeve... Ushtria e Malit të Zi, për shembull, ka dy kompani këmbësorie dhe gjithçka sillet rreth tyre. Nëse zgjedh formatin e ushtrive më të mëdha, atëherë zgjedh një batalion, një brigadë. Këto janë kosto të mëdha dhe sigurisht që tani qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të djersiten shumë dhe do të gjejnë një mënyrë për të kaluar dy përqind, si të konsolidohen në atë nivel statistikash dhe të shkojnë drejt tre përqind. Është e lehtë të flasësh për statistika. Por diferenca prej 0.1 është një sfidë e madhe për secilin prej këtyre vendeve", thotë Radiq në intervistën për Kosovo online.
Ai shton se vendet e Ballkanit Perëndimor ndajnë sa më shumë që munden për mbrojtje, dhe në të njëjtën kohë duan të marrin armë të reja.
"Sigurisht, të gjithë po përpiqen të arrijnë dy përqindëshin që ishte premtuar më parë. Tani problemi i madh është se si ta rrisim atë në tre përqind e gjysmë, dhe modeli i financimit varet nga vendi. Sepse, diçka nën dy përqind është ajo që tani përdoret nga Kroacia dhe Mali i Zi, Maqedonia e Veriut për të financuar personelin dhe nevojat operacionale", shpjegon Radiq.
Ai thekson se ndryshimi kyç në përqindje krijohet nga blerjet kapitale.
Ai kujton se Mali i Zi e filloi këtë proces duke mbledhur një kredi shumëvjeçare, Kroacia hyri në një proces të madh modernizimi dhe se Maqedonia e Veriut po përpiqet gjithashtu të shpenzojë para për buxhetin ushtarak.
“Anëtarët e NATO-s nga rajoni ynë po përpiqen të tregojnë se mund të arrijnë dy përqind, por janë afër. Ata llogarisin pensionet, kostot shtesë, kështu që statistikat vjetore janë rreth dy përqind. Dhe tani, rritja e saj në tre e gjysmë përqind për momentin, në rrethanat ekzistuese, duket si një sfidë shumë serioze për vendet e Ballkanit Perëndimor”, saktëson Radiq.
Ai paralajmëron se kërkesa për alokime më të larta ushtarake për anëtarët e NATO-s nga Ballkani Perëndimor do të jetë një sfidë shumë serioze.
"Do të ketë probleme. Nuk do të jetë aq e lehtë për t’u bërë, nëse ‘lufta’ për dy përqind ka vazhduar prej vitesh. Ky prag deri më tani ka rezultuar i vështirë për t’u arritur. Tre përqind e gjysmë është larg kësaj shifre”, tha Radiq.
I pyetur se si kjo mund të reflektohet në vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në NATO, ky analist shpjegon se bëhet fjalë për forca të vogla të armatosura.
Pavarësisht rekomandimeve dhe dëshirave të qarta, ky analist ushtarak thotë se NATO nuk ka mekanizma për të ndëshkuar anëtarët për mosarritjen e nivelit të dëshiruar të shpenzimeve ushtarake.
"Sigurisht, kjo nuk është në përputhje me detyrimet e partneritetit, por prapëseprapë një e treta e vendeve të NATO-s ende nuk mund të arrijnë as dy përqind. Pra, vendet e Ballkanit mund të gjejnë justifikim për veten e tyre, nëse disa vende të mëdha mesdhetare nuk janë ende në gjendje të mburren në Bruksel se i kanë përmbushur detyrimet e tyre të partneritetit", thotë Radiq.
Drejtim i gabuar
“Të vegjlit vuajnë jo vetëm për marrëzitë e tyre, por edhe marrëzinë e të tjerëve, më të mëdhenjve”, thotë analisti politik Nexhmedin Spahiu.
Në këtë mënyrë, ai komenton mbi mundësinë e lëshimeve më të mëdha ushtarake brenda NATO-s. Ai paralajmëron se kjo padyshim do të ketë një ndikim negativ në Kosovë.
"Meqenëse, përveç Serbisë, Bosnjës dhe Kosovës, të gjitha vendet e rajonit janë në NATO, kjo do të thotë se do të jetë një konsum i madh për të gjithë fqinjët tanë, dhe për këtë arsye ekonomitë e tyre do të përkeqësohen. Prandaj, do të ketë një rënie edhe në Kosovë. Ne do të vuajmë. Të vegjlit do të vuajnë jo vetëm për marrëzitë e tyre, por edhe marrëzinë e të tjerëve, më të mëdhenjve", thotë Spahiu për Kosovo online.
Ai shpjegon se njoftimi për alokime më të larta për NATO-n tregon se ekonomia globale është në rënie dhe se zonat e varfra vuajnë më shumë në marrëdhënie të tilla.
"Kur NATO investon më shumë, edhe palët e tjera investojnë më shumë, dhe e gjithë kjo ndikon në ekonominë globale. Për shkak të kësaj, zonat e varfra si e jona vuajnë më shumë. Në fakt, kur shohim konfliktin në Ukrainë, Izrael, Palestinë dhe tani midis Indisë dhe Pakistanit, na krijohet përshtypja se bota është çmendur, se po shkon në drejtimin e gabuar. Në vend të paqes dhe qetësisë, zhvillimit të teknikës dhe teknologjisë, dhe mirëkuptimit dhe marrëveshjes më të madhe midis njerëzve, po zhvillohen gjithnjë e më shumë konflikte që e vënë planetin në rrezik të madh" paralajmëron Spahiu.
Barazia ushtarake
Analisti dhe kryeredaktori i Suri TV, Bledian Koka, beson se kërkesa për investime shtesë ushtarake nga anëtarët e NATO-s duhet të interpretohet si "sigurim" kundër sfidave të mundshme dhe se një rrezik i tillë tregohet jo vetëm nga lufta në Ukrainë, por edhe nga konfliktet në të gjithë botën.
"Kjo dikton këtë kërkesë për rritje të shpenzimeve ushtarake. Kjo nuk lidhet thjesht me atë që mendon ndonjë zyrtar apo vend si SHBA-ja, i cili papritmas u kërkon vendeve të tjera të bëjnë diçka kaq të vështirë ekonomikisht. Kjo tregon se rreziku potencial nga ata që unë i quaj kundërshtarë, jo armiq, është se, në çdo rast, ne duhet të jemi të paktën të barabartë me të tjerët në një konflikt të mundshëm, të cilin shpresoj se nuk do të ndodhë kurrë. Kjo e detyron aleancën të kërkojë një gjë të tillë nga anëtarët e saj. Pra, është një kërkesë për barazi ushtarake dhe një përgjigje ndaj asaj që po bën kundërshtari juaj. Nëse të tjerët bëhen më të fortë, ne nuk mund të dobësohemi”, thotë Koka në një intervistë për Kosovo online.
Megjithatë, ai beson se do të jetë shumë e vështirë për Shqipërinë të përmbushë kërkesën që anëtarët e NATO-s të ndajnë 3.5 përqind të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto (PBB) për nevojat e mbrojtjes në të ardhmen.
"Mendoj se kërkesa për një buxhet mbrojtjeje prej 3.5 përqind, në kushtet e Shqipërisë, është shumë e vështirë për t'u përmbushur, madje pothuajse e pamundur. Kjo për shkak të shumë sfidave ekonomike me të cilat po përballet Shqipëria, dhe për shkak të shumë objektivave që qeveria aktuale i ka vënë vetes në lidhje me investimet në infrastrukturë, apo edhe koncesionet, që është një element me një ndikim të madh në buxhetin e shtetit shqiptar", thotë ai.
Ai kujton se kjo ishte edhe tema e zgjedhjeve parlamentare të sapopërfunduara në Shqipëri.
"Duhet të kemi parasysh se pati premtime parazgjedhore në lidhje me këtë çështje, si nga shumica aktuale ashtu edhe nga opozita. Opozita parashikon një rritje të pagave dhe pensioneve, dhe kjo do të ishte një barrë ekonomike që do ta bënte të pamundur që Shqipëria të investonte deri në 3.5 përqind të buxhetit të saj në ushtri dhe armatime", kujton Koka.
Ai beson se pas presionit të ri për të rritur shpenzimet ushtarake qëndron qëllimi që anëtarët e NATO-s të respektojnë kuotën bazë të investimeve prej dy përqind të PBB-së.
“Mendoj se ky presion për të arritur në 3.5 përqind është një mënyrë për t’i detyruar vendet e NATO-s që të paktën të respektojnë atë që konsiderohet kuota bazë e investimeve ushtarake, dy përqind. Sipas informacionit tim, që kur Shqipëria u bashkua me NATO-n në vitin 2008 e deri më sot, ky nivel rrallë është respektuar në buxhetet vjetore të qeverive shqiptare, qoftë gjatë kohës së Berishës apo gjatë tre mandateve qeverisëse të Ramës”, thekson Koka.
I pyetur se si investimet e reja ushtarake mund të ndikojnë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, ky analist thotë se Beogradi nuk ka arsye të shqetësohet për shkak të forcimit të ushtrisë së Shqipërisë.
"Dikur, gjatë 45 viteve të sundimit të diktatorit Enver Hoxha, Shqipëria kishte një nivel shpenzimesh për mbrojtjen deri në dhjetë përqind të buxhetit vjetor të asaj kohe. Edhe pse vendi ishte i varfër, ne pamë, veçanërisht pas rënies së atij regjimi, se çfarë potenciali ushtarak, në municione dhe armë, krijoi vendi ynë. Pavarësisht se çfarë mendimi kemi për regjimin e Titos ose Hoxhës, apo Millosheviqit, mendoj se Shqipëria nuk ka qenë kurrë një faktor që synonte të minonte paqen dhe stabilitetin në rajon", beson Koka.
Prandaj, ai arrin në përfundimin se forcimi i NATO-s nuk duhet të kuptohet si kërcënim, por si garanci për vendet e tjera, përfshirë edhe Serbinë.
"NATO nuk është kërcënim për të tjerët, por garanci për të gjithë, dhe aq më tepër për Serbinë. Për aq sa di unë, nuk ka munguar ftesa për Serbinë që të jetë pjesë e kësaj aleance, dhe besoj se do të ketë ftesa të tilla edhe në të ardhmen", është i bindur ky analist.
Pasojat financiare
Presidenti i Këshillit Euro-Atlantik të Maqedonisë së Veriut, Ismet Ramadani, thotë për Kosovo online se kërkesa e NATO-s për investime më të mëdha në shpenzimet ushtarake të anëtarëve të saj ishte e pritshme, por që vendet e Ballkanit Perëndimor do të vuajnë pasoja financiare si rezultat.
"Mendoj se kjo është e pritshme pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Nuk është e re, sepse edhe gjatë mandatit të fundit të presidentit, kërkesat nga SHBA-të ishin rritja e buxhetit të anëtarëve të NATO-s në mënyrë që të kemi një NATO që i përgjigjet vërtet sfidave të imponuara nga gjeostrategjia dhe kushtet gjeopolitike", beson Ramadani.
Ramadani shpjegon se kjo rritje nuk do të pasojë menjëherë dhe se SHBA-të kanë të drejtë kur u kërkojnë anëtarëve të tjerë të NATO-s të ndajnë më shumë se më parë.
"Sot, amerikanët marrin pjesë në NATO me diku rreth 900 miliardë dollarë, dhe e gjithë Evropa, pra shtetet anëtare evropiane me rreth 420 miliardë. Në të vërtetë, barra amerikane në raport me buxhetin e NATO-s është shumë e madhe. Prandaj, kërkesat dhe pritjet e tyre janë kryesisht mbi Francën dhe Gjermaninë, të cilat ende kanë kapacitet për të marrë pjesë ekonomikisht në buxhetin e NATO-s me atë përqindje", thotë Ramadani.
Ai kujton se edhe Polonia ka një “kapacitet” të tillë, i cili ndan midis 3.5 dhe 4 përqind të PBB-së, dhe se Spanja është një përjashtim, e cila nuk përmbush as 2 përqindëshin bazë të investimeve.
"Fatkeqësisht, do të thoja se Putini dhe politikat e tij dhe ajo që ndodhi në Ukrainë i kanë detyruar vendet evropiane që janë anëtare të NATO-s, madje edhe Shtetet e Bashkuara, të hyjnë në një lloj gare armatimesh, dhe qëllimi përfundimtar është ndoshta ajo që bëri dikur Presidenti amerikan Reagan, për ta futur Rusinë në atë garë armatimesh. Nëse Rusia vazhdon me këtë kapacitet armatimi, kjo do të ndikojë në ekonomi dhe standardin e jetesës së qytetarëve të saj. Pra, ky nuk është vetëm armatim, por edhe qëllimi gjeopolitik i vendeve me dominim euroatlantik, pra anëtarëve të NATO-s", është i bindur Ramadani.
Ai beson se nuk është mirë që anëtarët e NATO-s vihen në një situatë për të rritur buxhetet e tyre ushtarake.
“Nuk është mirë që na sjellin në një situatë ku ndahen burime kaq të mëdha financiare për armatime, sepse pyetja është se cili është qëllimi përfundimtar, çfarë do të thotë armatimi. Kjo do të thotë konflikte, luftëra, dhe humbet në atë që do të thotë të investosh në ekonomi, të investosh në të mirat e njerëzimit, në standard, në mirëqenien e qytetarëve, pavarësisht nëse janë në vendet evropiane apo jo”, specifikon Ramadani.
Në një situatë të tillë, shpjegon ai, del në pah një industri e përkushtuar dhe presioni për të blerë dhe prodhuar sa më shumë armë të jetë e mundur.
"Në fund të fundit, mendoj se kjo ka një ndikim negativ në jetën normale, jetën në paqe dhe në të mirë të njerëzimit. Kjo vlen veçanërisht për qytetarët në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët tani do të duhet të vuajnë atë që do të thotë financimi i armëve, pra arritja e asaj përqindjeje, e cila është ende shumë e lartë për këto vende", theksoinRamadani.
Ai beson se do të jetë e vështirë të bindësh vendet e rajonit që të pranojnë fonde shtesë për ushtrinë.
"Mendoj se është e vështirë t'i bindësh ata sepse kjo ndikon drejtpërdrejt në humorin e qytetarëve të vendeve anëtare të NATO-s. Por, kur bëhet një krahasim me sigurinë e qytetarëve, pra me atë që i shqetëson qytetarët për shkak të një agresioni ose lufte të mundshme, veçanërisht tani njerëzit mendojnë për Rusinë dhe Kinën dhe të gjitha ato vende që në një farë mënyre konkurrojnë me vendet e NATO-s me armë", specifikon ky ekspert.
Ai përfundon se shpërndarjet e reja brenda NATO-s janë ende një zgjidhje më e mirë sesa formimi i forcave të armatosura evropiane, gjë që do të kërkonte burime dhe financim të ri, por edhe një organizim të ri, prokurim të sistemeve dhe teknologjive të reja ushtarake.
“Në një organizatë që tashmë ka një traditë prej më shumë se 75 vitesh, mendoj se gjithçka do të shkonte shumë më lehtë, edhe nëse do të ishte 3.5 përqind për vendet. Sigurisht, kjo nuk është e nevojshme për një vit, me shumë mundësi, për aq sa di unë, 3.5 përqind duhet të arrihet diku në pesë vitet e ardhshme, plus 1.5 përqind në dhjetë vjet”, përfundon Ramadani.
0 komentet