Tarifat e Trumpit dhe rajoni: Cilat janë pasojat, cila është zgjidhja?

Donald Tramp
Burim: X/Bela kuća

Në vendet e rajonit ndaj të cilave presidenti amerikan Donald Trump fillimisht vendosi tarifa reciproke deri në 37 për qind, e më pas shpalli një pauzë prej 90 ditësh para se ato të hynin në fuqi, deri tani propozimet më të zëshme janë që tarifat ndaj mallrave amerikane të hiqen, ose të arrihet një marrëveshje “zero për zero” për produkte të caktuara. Nëse vendimi i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë do të hynte në fuqi, kjo – siç theksojnë ekspertët – do të nënkuptonte që ndërmarrjet që eksportojnë mallrat e tyre në tregun amerikan, nuk do të kenë më vend atje.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Në vend të tarifave, në disa raste të frikshme, të cilat presidenti amerikan i paralajmëroi më 2 prill për rreth 60 vende, në fuqi ka hyrë vetëm një normë doganore prej 10 për qind, përjashtuar Kinën, për të cilën që nga para dy ditësh vlen një taksë prej 125 për qind.

Sipas tabelave që Trump i lexoi atë ditë që ai e quajti “dita kur industria amerikane u rilind”, tarifat reciproke të dedikuara për Serbinë janë 37 për qind, për Bosnjë dhe Hercegovinën 35, për Maqedoninë e Veriut 33, ndërsa për Malin e Zi, Shqipërinë dhe Kosovën nga 10 për qind secila.

Pushimi prej 90 ditësh ka filluar të rrjedhë.

Ashtu si edhe vendet e tjera, edhe rajoni shpreson në një rezultat sa më pozitiv të bisedimeve tregtare që do të zhvillohen gjatë kësaj periudhe.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi dje se synimi është arritja e një marrëveshjeje “pa asnjë tarifë”. Siç theksoi ai, që në ditën e parë kur u vendosën tarifat, Beogradi ka hyrë në kontakt me zyrtarët amerikanë dhe ka kërkuar vendin dhe kohën për bisedime. Ai zbuloi se kishte ardhur një këshillë për të tentuar lidhje rajonale në mënyrë që të lehtësohej procesi për të arritur deri te bisedimet.

“Kontaktuam të gjithë nga rajoni dhe krijuam një lidhje të përbashkët me të gjithë. Gjetëm një emërues të përbashkët, dërguam letra të reja. Kam folur me dy zyrtarë amerikanë përmes kanaleve plotësisht private, duke u përpjekur të arrijmë deri te njerëzit kryesorë për të zgjidhur këto probleme”, tha Vuçiq.

Humbja e konkurrencës

Ndihmësdrejtori i Sektorit për analiza strategjike, shërbime dhe ndërkombëtarizim në Odën Ekonomike të Serbisë, Bojan Staniq, thotë për Kosovo online se, sipas paralajmërimeve jozyrtare, gjatë një ose dy muajve të ardhshëm pritet një takim në nivelin më të lartë midis Serbisë dhe SHBA-së, në të cilin mund të arrihet një rezultat i arsyeshëm në lidhje me tarifat amerikane ndaj mallrave serbe, që do të mundësonte qëndrueshmëri në eksportin e Serbisë në tregun amerikan.

Sipas fjalëve të Staniqit Serbia tashmë po përgatit një delegacion për bisedime me palën amerikane dhe se argumentet po plotësohen me të dhëna të ndryshme statistikore, fakte që tregojnë se bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve është në zhvillim të vazhdueshëm – si në fushën e mallrave dhe shërbimeve, ashtu edhe të investimeve të huaja direkte dhe numrit të kompanive që po hapen këtu me kapital shumicë nga SHBA.

“Siç ka propozuar Bashkimi Evropian, edhe nga ana jonë mund të dalë një propozim që tarifat të hiqen plotësisht mes dy vendeve, veçanërisht kur bëhet fjalë për produktet industriale – dhe që tarifa të jetë zero si për produktet që vijnë nga Amerika në Serbi, ashtu edhe për ato që eksportohen atje. Mirëpo, është e qartë se pala amerikane vepron nga një pozicion force dhe thotë se mund të hyjë në negociata vetëm nëse merr diçka shumë të vlefshme për ta”, thotë Staniq.

Sipas Staniqit, në Serbi janë rreth 660 kompani që eksportojnë mallrat e tyre në SHBA dhe mallrat serbe nuk do të ishin më konkurruese në raport me prodhuesit amerikanë nëse do të mbetej në fuqi taksa doganore prej 37 për qind.

“Vlera totale e eksporteve në vitin 2024 ka qenë 620 milionë euro, ndërsa në dy muajt e parë të këtij viti eksportet e mallrave kanë arritur në 100 milionë euro. Këto janë kryesisht pjesë makinash dhe goma makinash, ka edhe produkte të industrisë së dedikuar, pra municione, lloje të ndryshme armësh, ushtarake apo gjuetie. Kemi edhe produkte të caktuara bujqësore, fruta të ngrira, ushqim për kafshët shtëpiake... Eksportet janë të përqendruara në duart e 10 deri në 15 eksportuesve më të mëdhenj, të cilët mbulojnë rreth 70 për qind të totalit të eksporteve nga Serbia, dhe të gjitha kompanitë janë të shqetësuara për trajtimin e mallrave në Amerikë. Shumë kompani që nuk janë pjesë e kompanive shumëkombëshe, të cilat janë, për shembull, të vogla apo të mesme, dhe në të njëjtën kohë përqendrojnë pjesën më të madhe të eksporteve të tyre në tregun amerikan, do të zhdukeshin absolutisht nga ai treg në rastin e tarifave 37 për qind”, thekson Staniq.

Pezullimi i tarifave

Një ditë pas vendimit të Trump për tarifat, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kërkoi nga Qeveria që të pezullojë detyrimet e importit për të gjitha produktet amerikane. Shkumbin Misini, profesori i ekonomisë në Universitetin “AAB” në Prishtinë, thotë për Kosovo online se propozimi i saj është përkrahur nga Oda Ekonomike Amerikane dhe se kjo është një gjë e mirë.

„Ky propozim do të thotë që disa produkte që i importojmë nga Amerika mund të përjashtohen nga taksat ose të kenë një ulje prej 10 për qind. Qeveria e Kosovës ka propozuar disa lehtësime, por diçka e tillë nuk mund të zbatohet për momentin sepse vetë Qeveria nuk ka marrëdhënie të veçanta të mira bilaterale me Departamentin Amerikan të Shtetit. Megjithatë, duhet të jemi të kënaqur që qeveria amerikane ka vendosur taksat më të ulëta për Kosovën në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor“, thotë Misini.

Me tarifa prej 10 për qind, sipas vlerësimit të tij, produktet e Kosovës në SHBA nuk do të mund të shiten më me çmimet me të cilat shiteshin më parë, dhe kompanitë prodhuese që eksportonin në tregun amerikan nuk do të ishin më konkurruese në raport me konkurrencën vendase në SHBA, gjë që automatikisht do të ndikojë në uljen e sasisë së kërkuar të produkteve, sepse një taksë prej 10 për qind rrit çmimin e njëjtë të produkteve të Kosovës. Taksat e tilla në Kosovë, shton ai, në radhë të parë do të preknin kompanitë që eksportonin tekstile në masë të madhe në SHBA.

“Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë sepse automatikisht mund të çojë në ulje të prodhimit të atyre kompanive, që më tej ndikon në largimin e punëtorëve nga puna, dhe rrjedhimisht në rritjen e shkallës së papunësisë në Kosovë”, thekson Misini.

Lidhur me vendimin e fundit të presidentit amerikan Donald Trump, për shtyrjen me 90 ditë të aplikimit të tarifave reciproke për mallrat e importuara nga Amerika, bashkëbiseduesi ynë thotë se mund të interpretohet si një hap strategjik për zgjidhjen e presioneve ekonomike dhe tregtare dhe se vonesa mund të shërbejë për të lehtësuar tensionet tregtare, veçanërisht në marrëdhëniet me partnerët kryesorë ekonomikë, si dhe për t'u dhënë kohë palëve për të negociuar zgjidhje më të qëndrueshme.

Shfrytëzimi i pauzës

Maqedonisë së Veriut i kanoset një tarifë prej 33 për qind, dhe analisti ekonomik nga Shkupi, Abil Baush, thotë për Kosovo online se shtyrja e vendimit të SHBA për tarifat reciproke për 90 ditë i jep këtij vendi hapësirë shtesë për fleksibilitet eksporti dhe mundësi për të përmirësuar marrëdhëniet tregtare me SHBA-në.

"Kjo pauzë mund të shfrytëzohet për pozicionimin e kompanive maqedonase në zinxhirët e furnizimit që kërkojnë alternativa jashtë vendeve me tarifa më të larta," thekson Baush.

Me një tarifë prej 33 për qind, sipas Baushit, do të prekeshin zonat e zhvillimit teknologjiko-industrial.

„Amerika nuk është ndër dhjetë vendet e para ku eksportojmë, që do të thotë se nuk do të kemi një krizë ekonomike të drejtpërdrejtë në vend, por do të ketë ndikime indirekte në ekonominë tonë për shkak të marrëdhënieve partnere që kemi me vendet e Bashkimit Evropian, veçanërisht me Gjermaninë, e cila do të preket drejtpërdrejt nga tarifat e SHBA-së dhe presidentit Trump“, vlerëson Baush.

Ai thotë gjithashtu se tarifat, të përcaktuara më 2 prill, me siguri do të godasin industrinë e automobilave, ndërtimit, IT-së dhe ushqimit.

“Do të preket industria e automobilave, do ta ndjejmë në vendin tonë, sepse kemi kapacitete që prodhojnë pjesë automobili, industria e ndërtimit, çeliku...”, thotë Baush.

Rritje spekulative të çmimeve

Eksperti ekonomik dhe analisti në kompaninë “Altax” në Tiranë, Eduart Gjokutaj, vlerëson për Kosovo online se kostot që do të rriten në zinxhirin e furnizimit nga vendet e prekura nga tarifat amerikane do të ndikojnë në ekonomitë e rajonit të varura nga importi, dhe siç thekson ai, Shqipëria, e aq më pak Kosova, nuk janë eksportues neto, por importues neto.

"Vendet e prekura nga tarifat marrin masa për të mbrojtur ekonomitë e tyre, duke vendosur tarifa shtesë ose duke marrë masa të tjera. "Valët" goditëse në këtë rast janë si valëzime që formohen në një pellg uji. Sa më i madh të jetë goditja, aq më i përhapur efekti. Shqipëria, si një vend që ka një pozicion të mirë dhe mundësi ekonomike, duhet të veprojë për të minimizuar efektet e ndikimit nga njëra anë, dhe nga ana tjetër të përfitojë nga e gjithë kjo situatë, e cila ka anët e saj negative dhe pozitive”, shprehet Gjokutaj.

Efekti negativ, thotë ai, do të jetë inflacioni, sepse priten rritje çmimesh, qoftë edhe për arsye spekulative, të cilat do të ndikojnë në importet e Shqipërisë.

“Vendi ynë importon burime energjetike si karburante madje edhe energji elektrike në periudha të caktuara të vitit kur nuk ka reshje. Ne gjithashtu importojmë lëndë të para për industrinë e ndërtimit dhe përpunimit, si dhe ushqime dhe mallra të tjera të përditshme.”, thotë ky analist.

Inflacioni në Shqipëri, siç vlerëson ai, do të arrijë në nivelin që kishte pas fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Shqipëria apo vendet e tjera të rajonit që varen nga importi, si Kosova, duhet të veprojnë shpejt për të diversifikuar bazën e tyre ekonomike. Duhet të vënë theksin në prodhimin vendas, duke i dhënë përparësi atyre sektorëve të ekonomisë me potencialin më të shpejtë të eksportit”, thekson bashkëbiseduesi ynë.

Ai shton se duhet analizuar se çfarë mungesash do të ketë në tregun evropian apo me partnerë të tjerë.

"Nga ana tjetër, ndihma financiare duhet t'u jepet sektorëve më të dobët ose më të rrezikuar të ekonomisë përmes subvencioneve dhe politikave stimuluese fiskale. Kjo duhet bërë për të lehtësuar presionin që do të bjerë mbi buxhetin. Buxheti ndoshta do të duhet të rishikohet ose të ketë një plan B, për t'u përballur me skenarin më të keq. Duhet të parashikojmë një skenar pesimist dhe një skenar liberal, sepse në këtë rast nuk ka vend për optimizëm”, përfundon Gjokutaj.