Zgjedhjet e mundshme dhe dialogu me Beogradin: Justifikimi i vjetër-i ri pse nuk ka AKS

ilustracija_aljbin_kurti_eu
Burim: Kosovo Online

Nëse nyja politike në Kosovë në javët e para të pranverës pritet me caktimin e edhe një palë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës do të mbetet në hibernim. Brukseli, sipas bashkëbiseduesve të Kosovo online, do të thërrasë raunde teknike bisedimesh për të ruajtur formalisht përshtypjen se procesi vazhdon, por në këto rrethana nuk do të ketë negociata thelbësore, as zbatim të marrëveshjeve të pazbatuara. Kundërshtarët politikë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, madje janë të prirur të thonë se shmangia e zbatimit të marrëveshjeve nga Brukseli është arsyeja pse Kurti po e çon përsëri Kosovën drejt zgjedhjeve.

Shkruan: Dushica Radeka Gjorgjeviq

Ka kaluar vetëm një muaj që kur përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Kaja Kallas, duke e uruar Albin Kurtin për zgjedhjen e qeverisë së re, tha se është e gatshme së shpejti të presë një takim të nivelit të lartë në kuadër të dialogut me Beogradin, ndërsa partitë në Prishtinë tashmë janë me një këmbë në një fushatë të re parazgjedhore.

Pa një kombinim fitues për zgjedhjen e presidentit, Kosova është gjendur para dyerve të edhe një palë zgjedhjeve parlamentare.

Kurti sot tha se nuk është as e drejtë dhe as e dobishme që të shkohet në zgjedhje të reja. Megjithatë, nëse realizohen parashikimet e atyre që zgjedhjet i shohin si të pashmangshme, dialogu në muajt e ardhshëm vështirë se do të shënojë rezultate, ndërsa qeveria që do të jetë në mandat teknik do të ketë një alibi të vjetër-të ri pse nuk e nis procesin e formimit të Asociacionit të komunave me serbe(AKS).

Ish-deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, mendon se kryeministri Albin Kurti po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit për AKS.

“Ai kërkoi një partner në qeveri që do ta merrte ‘pataten e nxehtë’, por këtë herë ai partner nuk u gjet, gjë që sërish çoi drejt zgjedhjeve”, tha ai.

Akuza të ngjashme ka bërë edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti. Sipas tij, Kurti po shkakton kriza dhe po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të treta sepse dëshiron të shmangë detyrimet ndërkombëtare që i ka marrë në Bruksel dhe me aneksin e Ohrit.

Nëse shpallen zgjedhje të parazakonshme parlamentare, sipas vlerësimit të docentit të Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, Stefan Surlliq, kjo do të jetë një tjetër justifikim i ri që dialogu me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve të shtyhet dhe të mos ketë zgjidhje konkrete.

Surlliq supozon se në rast të shkuarjes në zgjedhje do të ekzistonte dialog në nivel teknik në formën e takimeve të ekipeve, në mënyrë që Brukseli të ruajë të paktën formalisht pamjen se ky proces vazhdon dhe se ka vazhdimësi.

“Por në fakt, prej vitesh nuk kemi asgjë thelbësore që është produkt i dialogut, para së gjithash nuk ka përparime konkrete në zbatimin e Asociacionit të komunave serbe në territorin e Kosovës, sepse shohim se të gjitha çështjet e tjera në dialog varen ekskluzivisht nga fakti nëse korniza për këto tema do të jetë Asociacioni i komunave serbe”, tha Surlliq për Kosovo online.

Lidhur me vlerësimet që mund të dëgjohen në Prishtinë – se kryeministri Albin Kurti po e çon Kosovën drejt zgjedhjeve të reja sepse po shmang detyrimin për të zbatuar marrëveshjen për AKS, Surliq thotë se në lojë janë disa elemente.

“Faktori i parë është sigurisht që dialogu të vihet në plan të dytë dhe të vazhdohet me veprime të njëanshme dhe incidente në veri të Kosovës. Qëllimi i dytë ishte të largonte Vjosa Osmanin, e cila megjithatë fitoi një lloj kredibiliteti shtesë si lidere, dhe i treti është të forcojë pushtetin absolutist në mënyrë që pastaj pengesë për të të mos jenë as serbët dhe as shqiptarët që janë opozitë në Kosovë”, thekson ai.

Megjithatë, Surlliq nuk beson se nëse mbahen zgjedhjet rezultati i tyre do të jetë pozitiv për Kurtin në kuptimin që ai do ta përsërisë rezultatin që kishte në zgjedhjet e mëparshme.

“Mendoj se ai është i vetëdijshëm për këtë dhe shumica e analistëve që e ndjekin me kujdes këtë situatë thonë se ai në këtë moment është tepruar, sepse ka vënë shumë karta në tavolinë, shumë hapur, dhe kjo përfshin edhe dialogun me Beogradin dhe vazhdimin e përndjekjes së serbëve në Kosovë”, thotë Surlliq.

Ish-ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Sylë Ukshini, është i mendimit se Marrëveshja e Ohrit po e humb gradualisht vlerën dhe se ky vit do të kalojë pa dialog thelbësor nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje, si dhe për shkak të, siç thotë ai, situatës së brendshme që ka Aleksandar Vuçiq.

“Mendoj se viti 2026 do të jetë plotësisht i humbur edhe për shkak të rrethanave të brendshme. E vetmja gjë që mund të ndodhë janë takime sporadike të ndërsjella, aq sa të kontrollohet situata dhe vetëm që të thuhet se serbët dhe shqiptarët po negociojnë në Bruksel, por jo që të arrihet përparim në pika të caktuara”, deklaroi Ukshini për Kosovo online.

Ai thekson se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit ka ngecur që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit dhe se nuk është optimist që kjo marrëveshje mund të zbatohet.

BE-ja, shton ai, është e përqendruar në luftën në Ukrainë dhe jo në këtë dialog.

“Zhvillimi i mëtejshëm pas Marrëveshjes së Ohrit është një dështim i BE-së për shkak të mënyrës së përgatitjes. Nga ana tjetër, as Kosova dhe as Serbia nuk kanë treguar shumë vullnet për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Vuçiq fliste për Asociacionin, Kurti kërkonte nënshkrimin, që do të thotë se ia hidhnin topin njëri-tjetrit. Pra, nuk kishte palë të gatshme që marrëveshja të zbatohej. Megjithatë, BE-ja dha premtime të mëdha, sepse kjo marrëveshje është sipas modelit të dy Gjermanive. Megjithatë, marrëveshja nuk i përmbushi pritjet dhe gradualisht po e humb vlerën. Dialogu me shumë gjasë do të fillojë me ndonjë marrëveshje tjetër. Nuk jam optimist se Marrëveshja e Ohrit mund të zbatohet”, thekson Ukshini.

Nëse mbahen zgjedhje, siç thekson docenti i Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Kosovës, Dushko Çeliq, do të ketë përsëri disa muaj shtyrje të të gjitha proceseve.

“Do të kishim një gjendje të zgjatur praktikisht të mandatit teknik pothuajse në vazhdimësi për më shumë se një vit e gjysmë, gjë që është një situatë për të cilën besoj se të paktën Perëndimi politik nuk e sheh me simpati. Të kujtojmë se vitin e kaluar kryetari i Kuvendit u zgjodh vetëm në përpjekjen e 58-të”, tha Çeliq për Kosovo online.

Një situatë e tillë, sipas tij, do t’i shkonte për shtat Kurtit, sepse sjellja e Prishtinës nën qeverisjen e tij ka kontribuar në zbehjen e thelbit të dialogut të Brukselit.

“Çfarëdo që mund të ishte dakorduar atje, ai e ka zbatuar në mënyrë të njëanshme ose nuk e ka zbatuar fare. Këtë herë kjo situatë do t’i shërbejë atij si justifikim që dialogu as formalisht të mos nisë, edhe pse ishte paralajmëruar një takim në nivel të lartë me Kaja Kallas në Bruksel. Kam frikë se kjo situatë mund të jetë një justifikim i shkëlqyer për të”, thekson Çeliq.

Dialogu dhe rruga drejt BE-së

Pasi Parlamenti Evropian para dy ditësh miratoi Strategjinë e zgjerimit të BE-së, njohësit e procesit të integrimeve evropiane në Kosovë kujtuan lidhjen mes përparimit në dialog dhe përparimit të Kosovës në procesin e integrimit në BE.

“BE-ja e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar të pranojë në radhët e saj anëtarë të rinj që kanë mosmarrëveshje bilaterale mes tyre. Prandaj çdo përparim në dialog, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, do të jetë përparim në rrugën drejt BE-së”, tha Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, për Kosovo Press.

Arifi konsideron se edhe situata e brendshme politike në Kosovë ka ndikuar në ngadalësimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit.

“Po hyjmë në vitin e dytë të krizës politike dhe se viti 2025 ishte vit stagnimi për Kosovën për shkak të kësaj krize. Si rrjedhojë, nuk kemi pasur përparim, jo vetëm në dialog, por as në reformat që janë drejtpërdrejt të lidhura me Bashkimin Evropian. Dhe në momentin ku ndodhemi sot, kur zgjerimi është prioritet për Bashkimin Evropian, nuk mund t’i lejojmë vetes kriza të reja politike që do të ndikonin në reformat për të cilat Kosova është zotuar në rrugën e saj të integrimit”, theksoi ajo.

Eksperti për integrime evropiane, Adrijan Zeqiri, thekson se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga kushtet kyçe për përparimin në procesin e integrimit.

“Këtë BE-ja e ka bërë të qartë si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë. Ky raport tregon se ka pasur ngecje në dialog dhe se pa përparim në këtë proces nuk do të ketë hapa të mëdhenj të Kosovës drejt integrimeve evropiane”, tha ai.