Dëshmitari në Hagë: Ushtarët e UÇK-së më rrëmbyen, më rrahën dhe më keqtrajtuan në paraburgim afër Kaçanikut
Në vazhdim të gjykimit në Hagë të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi dhe të bashkëakuzuar për krime lufte në Kosovë dhe Shqipëri, dëshmitari i prokurorisë Agim Idrizi deklaroi se UÇK-ja e kishte ndaluar ilegalisht në pranverën e vitit 1999 dhe e kishte keqtrajtuar në paraburgim rreth Kaçanikut, raporton Beta.
Idrizi (63) është dëshmitari i parë shqiptar që dëshmoi pa masa mbrojtëse në gjykimin e Thaçit dhe të bashkëakuzuarve të Shtabit Kryesor të UÇK-së, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ai dëshmoi se UÇK-ja “e kishte rrëmbyer më 5 mars 1999” në fshatin e tij Lanishtë afër Kaçanikut.
Ai ka konfirmuar se ka qenë hajdut pylli, gjegjësisht se “ka shitur ilegalisht dru” të cilët janë blerë edhe nga policët serbë.
Dëshmitari po ashtu tha se ishte përkrahës i partisë së Ibrahim Rugovës, Bashkimit Demokratik të Kosovës dhe se nuk i është bashkuar UÇK-së.
Pas arrestimit, sipas Idrizit, pjesëtarët e UÇK-së e kanë marrë në pyetje atë dhe shqiptarët e tjerë të paraburgosur, i kanë rrahur dhe torturuar rëndë, duke i mbajtur në kushte çnjerëzore dhe pa ushqim të mjaftueshëm në disa lokacione në komunën e Kaçanikut.
Dëshmitari dhe të burgosurit e tjerë shqiptarë, disa prej të cilëve më vonë u liruan, u morën në pyetje nga ushtarët e UÇK-së për "kontakte me serbët", si dhe për shqiptarë të tjerë për të cilët ata dyshonin se bashkëpunonin me autoritetet serbe, tha Idrizi.
Ai dëshmoi se pasi ka qenë në katër ndalime të improvizuara, ka arritur të ikë nga bagazhi i veturës në të cilën po e transferonin ushtarët e UÇK-së, kur vetura është përmbysur.
Prokurori Xhejms Paç i tha dëshmitarit se ai ishte në listat e anëtarëve të “forcave lokale të sigurisë” të formuara nga autoritetet serbe në Kaçanik, por Idrizi mohoi se kjo ishte e vërtetë.
Asnjëherë nuk kam aplikuar për asgjë. Nuk kam qenë as në forcat e sigurisë as në polici”, tha dëshmitari.
Idrizi i hodhi poshtë si të pavërteta pretendimet se disa shqiptarë kanë përfunduar në burg për shkak të tij dhe se ai “ka kërkuar nga policia serbe që të digjen disa shtëpi shqiptare”.
Në vazhdim të gjykimit, prokurorët sollën para gjyqtarëve në cilësinë e dëshmitarit Fred Abrahams, përfaqësues i organizatës ndërkombëtare Human Rights Watch.
komentet