Ulutash: Situata e sigurisë në Kosovë e qetë, por e brishtë, me mundësi të shpërthimit të tensioneve të reja

Ozkan Ulutaš
Burim: Kfor

Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por njëkohësisht edhe e brishtë, me mundësi të shpërthimit të tensioneve të reja, thotë në një intervistë për Kosovo online komandanti i KFOR-it, gjeneral-major Ozkan Ulutash, duke theksuar se KFOR-i është i gatshëm të përgjigjet ndaj çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

Ulutash thekson se është e domosdoshme të vazhdojë dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, si dhe se KFOR-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në mbështetje të këtij procesi.

“Para së gjithash, për mua është një privilegj që për herë të dytë drejtoj misionin më jetëgjatë, e aktualisht edhe më të madh të NATO-s, dhe që vazhdoj të siguroj që NATO, përmes KFOR-it, të kontribuojë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. KFOR-i është plotësisht i përqendruar në zbatimin e mandatit të tij, të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999, me qëllim të garantimit të një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), në përputhje me kompetencat e tyre si aktorë të sigurisë. Në përgjithësi, situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por njëkohësisht edhe e brishtë, me mundësi të shpërthimit të tensioneve të reja. Arsyet për këtë janë të shumta, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura, ndonjëherë retorikën e papërgjegjshme, si dhe përdorimin e vazhdueshëm të dezinformatave. Mbi të gjitha, ekzistojnë sfidat që lidhen me përparimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, të cilin NATO e mbështet plotësisht. Ky është kuadri në të cilin mund të zgjidhen çështjet e hapura dhe të gjenden zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve, gjë që është thelbësore për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal”, thotë Ulutash për Kosovo online.

Në periudhën e fundit ka pasur shumë raportime mediatike, si dhe pretendime nga përfaqësues të autoriteteve kosovare për incidente në vijën administrative. A ka pasur vërtet incidente apo bëhet fjalë për informacione të pasakta?

Deri më tani, KFOR-i nuk ka vërejtur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në dispozicionin e sigurisë, as incidente serioze në atë zonë që do të mund të rrezikonin stabilitetin rajonal. Ne mbetemi vigjilentë dhe ruajmë një prani të dukshme për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet lokale. KFOR-i vazhdon të monitorojë me kujdes situatën përgjatë vijës administrative, duke përfshirë patrullime të rregullta në anën kosovare të vijës. Gjithashtu, gjatë viteve KFOR-i ka zhvilluar një nivel të mirë bashkëpunimi me Ushtrinë e Serbisë. Kjo reflektohet në disa mënyra – ne zhvillojmë patrullime të rregullta dhe të sinkronizuara me pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë përgjatë të dyja anëve të vijës administrative, dhe jam në kontakt të vazhdueshëm me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjeneralin Millan Mojsiloviq. E gjithë kjo kontribuon në një vetëdije më të mirë situative, forcimin e transparencës dhe besimit të ndërsjellë, si dhe në uljen e rrezikut nga incidentet ose keqkuptimet.

Si e shihni situatën në veri të Kosovës dhe a ekzistojnë ende tensione?

Siç e kam thënë tashmë, situata e sigurisë në Kosovë, përfshirë edhe veriun, në përgjithësi është e qetë, por ende e brishtë, për arsyet që i kam përmendur më herët. Për këtë arsye, ne i ndjekim me kujdes të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë, përfshirë edhe në veri të Kosovës, përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile në terren, veçanërisht përmes patrullimeve të rregullta, kontakteve me komunitetet lokale dhe trajnimeve të vazhdueshme me qëllim ruajtjen e nivelit më të lartë të gatishmërisë operative. E gjithë kjo na mundëson që të parandalojmë, ose të paktën të zvogëlojmë rrezikun e ndonjë përshkallëzimi të mundshëm dhe të jemi të përgatitur të reagojmë ndaj çdo zhvillimi që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin tonë afatgjatë të Kombeve të Bashkuara. Njëkohësisht, mbajmë komunikim të rregullt dhe transparent me të gjithë partnerët kyç, përfshirë institucionet e sigurisë në Kosovë, EULEX-in dhe Ushtrinë e Serbisë.

Sa e rëndësishme është roli i KFOR-it në Kosovë?

Prania dhe roli i KFOR-it kanë qenë dhe mbeten thelbësore për sigurimin e një mjedisi të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Kjo vlen edhe sot. Prandaj, siç e theksova, ne jemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e përditshëm të mandatit tonë përmes aktiviteteve të ndryshme në terren. Pa dyshim, ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet sigurisë në Kosovë dhe stabilitetit rajonal. Mund të thuhet se KFOR-i, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, ka arritur të vendosë një kornizë sigurie që u ka mundësuar njerëzve në Kosovë të vazhdojnë jetën e tyre dhe t’i kthehen së ardhmes pas një periudhe të gjatë dhune. Ky nuk është një rezultat i vogël dhe nuk duhet të neglizhohet. Megjithatë, duhet të mbetemi të përqendruar. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet i pajisur mirë dhe i gatshëm të vazhdojë zbatimin të mandatit të tij. Nga ana tjetër, zgjidhja për një siguri të qëndrueshme në Kosovë nuk është ushtarake, por politike. Pikërisht për këtë arsye është e domosdoshme të vazhdojë dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. KFOR-i do të vazhdojë të japë kontributin e tij në mbështetje të këtij procesi.

A ndikon negativisht në situatën e sigurisë blerja e pajisjeve ushtarake nga Forcat e Sigurisë së Kosovës? Për shembull, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Mojsilloviq, ka protestuar për pajisjen e Kosovës me dronë luftarakë turq.

KFOR-i bashkëpunon me Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) brenda kornizës së mandatit të tyre fillestar për mbrojtje civile. Bashkëbiseduesi kryesor i FSK-së është Ekipi i NATO-s për Ndërlidhje (NALT), i cili është një strukturë e veçantë e NATO-s, e ndarë nga KFOR-i, edhe pse që nga viti 2016 ndodhet nën të njëjtën komandë. NALT ofron mbështetje për zhvillimin e FSK-së përmes ndërtimit të kapaciteteve, edukimit dhe koordinimit të trajnimeve. KFOR-i mban kontakte të rregullta me të gjithë aktorët rajonalë të sigurisë, përfshirë edhe Ushtrinë e Serbisë, me qëllim sigurimin e transparencës dhe parandalimin e keqkuptimeve të mundshme. Prioriteti ynë mbetet ruajtja e paqes dhe parandalimi i çdo përshkallëzimi që mund të rrezikojë sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

A mund t’i përdorin FSK dronët, përfshirë edhe “Bayraktarët”, përgjatë vijës administrative?

Menaxhimi i hapësirës ajrore mbi Kosovë është në kompetencën e komandantit të KFOR-it, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga viti 1999. Gjatë viteve, komandantët e KFOR-it e kanë ushtruar me sukses këtë rol të rëndësishëm, ndër të tjera falë bashkëpunimit të mirë me institucionet në Kosovë, duke mundësuar harmonizimin e përdorimit ushtarak dhe civil të hapësirës ajrore. Përdorimi i të gjitha kategorive të mjeteve ajrore pa pilot i nënshtrohet rregullave të rrepta dhe zonave të kufizuara të lëvizjes. Çdo operacion me dronë kërkon njoftim paraprak dhe miratim të shprehur nga KFOR-i. Sa i përket Forcave të Sigurisë së Kosovës, në përputhje me obligimet ekzistuese ndërmjet NATO-s dhe Prishtinës, FSK-ja mund të veprojë në veri të Kosovës vetëm me pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it.

A do të vazhdojë KFOR-i edhe në periudhën e ardhshme të sigurojë manastirin e Deçanit dhe të jetë i pranishëm në urën kryesore mbi Ibrin?

KFOR-i ndjek me kujdes të gjitha zhvillimet relevante të sigurisë dhe vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë. Ne mbetemi vigjilentë dhe ruajmë një prani të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën, me qëllim që në çdo moment, në mënyrë efikase dhe të paanshme, të zbatojmë mandatin tonë afatgjatë të Kombeve të Bashkuara. Aktualisht, KFOR-i mban një prani të përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicën e Kosovës, si dhe në manastirin e Deçanit.