Pse ka çnjohje të Kosovës dhe cilat janë pasojat?
Përgjatë 15 vjetëve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, Qeveria në Beograd pretendon se 27 vende e kanë tërhequr njohjen e kësaj pavarësie, transmetoi REL.
Çnjohjet janë “akte të çrregullta ndërkombëtare”, të cilat kanë pasoja të shumëfishta për Kosovën, thotë eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Gëzim Visoka.
Më 16 janar, Ministri i Puneve të Jashtme të Togos, Robert Disej, bëri të ditur tërheqjen e njohjes së Kosovës, pas një takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq.
Sipas pretendimeve të Beogradit zyrtar, Togoja - shtet në Afrikën Perëndimore - nuk është e vetmja që ka marrë këtë vendim.
Në fillim të janarit, Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se nëntë vende të tjera kanë vendosur të bëjnë të njëjtën gjë.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë lidhur me këtë çështje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Kur është e mundur të tërhiqet njohja?
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, i cilëson çnjohjet e pavarësisë si “akte të çrregullta ndërkombëtare”, që, siç thotë, nuk janë të rregulluara mirë në të drejtën ndërkombëtare, “prandaj lënë hapësirë edhe për dyshime, keqkuptime, por edhe manipulime”.
Sipas tij, tërheqja e njohjes së pavarësisë së një vendi ka kuptim vetëm në rastet kur kanë ndryshuar rrethanat që nga njohja e pavarësisë - për shembull kur një shtet bashkohet me një tjetër ose e humb territorin.
Në këtë kontekst, ai thekson se shpallja e pavarësisë – për të cilën Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 konstatoi se nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – nuk ka ndryshuar.
Për këtë arsye, ai beson se çnjohjet e tilla janë pasojë e fushatës së palës serbe.
“Në esencë, çnjohja nuk vjen si vullnet i vendit çnjohës, por vjen si produkt i presionit nga ish-shteti amë ose bazë, i cili e përdor çnjohjen si instrument për ta shantazhuar, nënvlerësuar dhe dëmtuar shtetin e ri ose shtetin para njohjes”, thotë Visoka për REL-in.
Togoja e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2014, gjatë kohës sa Ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës ka qenë Enver Hoxhaj, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryediplomati aktual i Togos, Robert Disej, ka ofruar mbështetje për kandidaturën e Hoxhajt në zgjedhjet e vitit 2021 për kryeministër të Kosovës.
Hoxhaj thotë se nuk ka pasur kontakte me Disej pas vitit 2021, ndërsa fajëson Qeverinë e Kosovës për, siç thotë, tërheqjet e njohjeve.
“Në dy vjetët e fundit, Kosova nuk po zhvillon fare komunikim diplomatik, as vizita bilaterale, në një kohë kur Serbia po bën një fushatë të ndyrë kundër Kosovës. Prandaj, edhe tërheqja e njohjeve po ndodh”, thotë Hoxhaj për REL-in.
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla, tha më 16 janar se çnjohja e Kosovës nga Togoja “ka ndodhur në vitin 2019”, ndërsa diplomatët kosovarë i kanë intensifikuar takimet me homologët e tyre që vijnë nga shtetet që Serbia pretendon se kanë tërhequr njohjen e Kosovës.
Serbia, me vite, ka qenë e angazhuar në fushatë për çnjohjen e Kosovës.
Moratoriumi njëvjeçar nga Marrëveshja e Uashingtonit, me të cilin Serbia mori përsipër të ndalonte fushatën dhe Kosova të mos kërkonte pranimin në organizatat ndërkombëtare, skadoi në shtator të vitit 2021.
Më herët, Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ka thënë se qëllimi i Beogradit është që numri i vendeve që e njohin Kosovën, të bjerë nën gjysmën e anëtarëve të OKB-së, përkatësisht nën 193.
Në uebfaqen e Ministrisë së Puneve të jashtme të Kosovës ka një listë prej 117 shtetesh, për të cilat thotë se e kanë njohur Kosovën. Në mesin e tyre është edhe Togoja.
Visoka thotë se vendet me demokraci të zhvilluar dhe me traditë në diplomaci, nuk e përdorin praktikën e çnjohjeve, dhe përmend si shembull qasjen e shteteve perëndimore në raport me Iranin, të cilit nuk ia kanë tërhequr njohjen, përkundër mosmarrëveshjeve.
“Në shumicën e rasteve, çnjohjet ndodhin prej rreth 15-20 shteteve që janë kryesisht vende post-koloniale, të cilat nuk kanë traditë të gjatë diplomatike dhe njihen për politikë të ndryshueshme të jashtme, të cilën e ndërrojnë varësisht prej ndihmës financiare, ekonomike, bile edhe ushtarake, që marrin prej fuqive rajonale ose ndërkombëtare”, thotë Visoka.
Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja përse Egjipti “e ka ngrirë” vendimin për njohjen e Kosovës.
Megjithatë, edhe ngrirja e marrëdhënieve mund të sjellë pasoja, sipas Visokës.
“Ngrirja e njohjes është si akt që dërgon sinjale, aty bën pazare pastaj, sepse procesi mund të kthehet ose të devijojë tutje”, shpjegoi Visoka, duke shtuar se këto çnjohje, pastaj, përdoren për ta shantazhuar palën kosovare për të bërë kompromise në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Çfarë pasojash ka çnjohja?
Eksperti i së drejtës ndërkombëtare, Visoka, tha se Serbia nisi fushatën për çnjohje në vitin 2017, për t’i bërë presion Kosovës në një kohë kur refuzohej zbatimi i Marrëveshjes për formimin e Bashkësisë të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Marrëveshja për Bashkimin është arritur në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe është një pengesë në vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve. Derisa Beogradi insiston që të realizohet, Prishtina e refuzon me arsyetimin se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Ajo ka qenë, në njëfarë forme, agresion diplomatik dhe presion i Serbisë, që po e kthen prapë si vegël diplomatike për t’i treguar Kosovës që nëse nuk bën lëshime ose kompromis, ne jemi në gjendje t’ju tërheqim njohje, t’ju zvogëlojmë hapësirën ndërkombëtare dhe t’jua bëjmë të pamundur ekzistimin si shtet i pavarur”, thotë Visoka.
Deputeti nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, thotë se Kosova rrezikon anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, pasi që njohjet përkthehen në vota pro anëtarësimit të Kosovës.
“Kjo është një goditje e madhe ndaj sovranitetit të Kosovës, është një fushatë e egër e Serbisë, e cila po ndodh në nivele të ndryshme dhe është shans i fundit që Qeveria [e kryeministrit Albin] Kurti ta hartojë një plan veprimi, një strategji, dhe të lëvizë kudo që Serbia pretendon se mund të ketë çnjohje të reja dhe t’i parandalojë”, thotë Hoxhaj.
Visoka thotë se çnjohjet mund të jenë edhe më masive.
“Sa më shumë çnjohje që ndodhin, aq më shumë do të vijnë. Kjo është e keqja, e kanë njëfarë efekti të topthit të borës - kur fillon ky proces, mund të devijojë edhe në drejtime të padëshirueshme”, përfundon Visoka.
0 komentet