FEJTON Amerikanët, sërbët dhe shqiptarët në Luftën e Parë Botërore(5)
Shkruar për Kosovo onlajn: Dragan Biseniq, gazetar
"Roli i presidentit amerikan Tafta në federatën ballkanike“
Ndërsa ndodhej në Sërbi, Trocki, megjithë entuziazmin publik pro-rus të politikanëve kryesorë dhe masave, gjeti vetëm disa njerëz që flisnin rusisht. Ose, siç shkruante ai, “numri i sërbëve që flisnin rusisht mund të numërohej me gishtat e njërës dorë”.
Vuri në dukje egzistencën e fraksioneve të ndryshme tek përparimtarët, një prej të cilave udhëhiqej prej Zhivojin Periqit, dëshironte që Austria të "absorbonte Sërbinë". Gazeta e quajtur “Gazeta e Vogël“ nuk kurseu asnjë skandal, nënshtrim, trillim dhe shpifje, krahas marketingut të pornografisë, për të sunduar opinionin publik. Megjithatë, patën shitur vetëm 10,000 kopje. Nga ana tjetër Vlladan Gjorgjeviq me "Shtypin“ e tij përfaqësoi "linjën Obrenoviqiane".
Në maj të vitit 1912, kryengritja "hamidiane" shqiptare, e cila donte të rivendoste në fron Sulltan Abdul Hamidin, dëboi "xhonturqit" nga Shkupi dhe i shtyu ata drejt Manastirit, duke i detyruar "xhonturqit" t'i jepnin autonomi të madhe këtij rajoni në qershor të vitit 1912. Sërbia, e cila po ndihmonte për armatosjen e kryengritësve katolikë shqiptarë dhe kryengritësit "hamdian", dërgoi agjentët e saj sekret tek krerët e njohur shqiptarë, pasi Sërbia dhe shtetet e tjera ballkanike ishin tashmë në mes të bisedimeve për një aleancë ku do të qërronte Turqinë nga Ballkani. Marrëveshja formale mes Sërbisë dhe Malit të Zi u nënshkrua më 7 mars të vitit 1912.
Burshije e bëri detyrën
Burshie udhëtoi drejt Anglisë në korrik të vitit 1912. Kur federata ballkanike praktikisht tashmë ishte formuar, megjithëse detajet e marrëveshjes ushtarake u specifikuan diçka më vonë. Por ai kishte përfunduar tashmë misionin e vet ndërmjetësues, kështu që nuk kishte mbetur shumë punë për të bërë.
Në fillim të vjeshtës, gjërat u përkeqësuan mes Turqisë dhe Bullgarisë, ashtu sikurse mes Turqisë, Sërbisë dhe Malit të Zi në anën tjetër. Egzistonte mosmarrëveshje kufitare, pas së cilës u pasua me seri masakrash, të cilat nuk e përmirësonin aspak situatën.
Por asgjë nuk ndodhi deri në fund të shtatorit, kur forca e madhe turke, e mbledhur para Adrianopojës, shkaktoi frikë për pushtimin e Bullgarisë. Më në fund, të katër shtetet u mobilizuan njëri pas tjetrës më 30 shtator 1912.
Në të njëjtën ditë Xhorxh Mozes dha dorëheqjen dhe u kthye në Amerikë. Misioni i tij ishte përmbyllur.
Për Mabel Grujiqin ishte e qartë: “Lidhja e vendeve ballkanike ishte sigurisht rezultat i besimit të tyre se deputeti Mozes po vepronte në përputhje me udhëzimet e qeverisë së tij, pasi në atë kohë asnjë diplomat nuk do të kishte marrë iniciativën në duart e veta në vështirësi kaq të rëndësishme europiane, pa udhëzime nga eprori i tij dhe në këtë rast, ishte presidenti Taft” konfirmoi ajo në letrën e datës 17 nëntor 1950, duke shtuar se presidenti Taft vetëm qeshi kur e takoi në Jejlu në tetor 1912. Mabel Grujiq tërhoqi vëmendjen për këtë fakt.
Burshie shkoi në Sinaia, me shpresën për të ndërmjetësuar marrëveshje mes Rumanisë dhe Bullgarisë për të siguruar "neutralitetin miqësor" rumun gjatë luftës që po vinte. U takua me miratimin e qeverisë rumune.
Faktori kontribues në Luftën Ballkanike ishte lufta mes Turqisë dhe Italisë. Paqja përfundoi kur u bë e qartë se do të pasonte lufta ballkanike, por nëse do të kishte zgjatur, Italia pashmangshmërisht do të ishte në anën e shteteve ballkanike dhe ndoshta do të ishte përfshirë në luftë me Austrinë. Natyrisht, përfundimi i paqes ishte goditje e rëndë për Federatën Ballkanike, veçanërisht për shkak të funksionimit të flotës italiane, por tashmë e gjithë detyra e bllokadës duhej t'i binte flotës greke, efektiviteti i së cilës ishte i paprovuar.
Aleatët me mirësjellje kërkuan nga Turqia reforma në Maqedoni dhe garanci për zbatimin e tyre. Turqia nuk u përgjigj. Lufta pasoi menjëherë pas kësaj dhe filloi nga mbreti Nikolla.
Ai e bëri këtë sipas gjykimit të tij, i ndjekur nga Athina dhe Sofia.
Nikolla ishte i vendosur të shkonte në luftë. Kur ndërhynë fuqitë e mëdha, ai mendoi se do të arrihej zgjidhje e negociuar, çka ishte gjëja e fundit që dëshironte. Rreth kësaj shkëmbeu mesazhe me Vanizellosin dhe Burshije duke konfirmuar pa mëdyshje se ai do të shkonte në luftë për të çliruar të krishterët ballkanikë nga skllavëria turke.
Shpallja e mbretit Petari I
Më 18 tetor, mbreti i Sërbisë, Petari I, lëshoi proklamatë drejtuar "popullit sërb" në të cilën ai mbështeti shqiptarët dhe sërbët:
"Qeveria turke nuk tregoi asnjë interes për të përmbushur detyrat e saja ndaj qytetarëve të vet dhe ishte e shurdhër ndaj të gjitha propozimeve dhe ankesave. Gjërat shkuan aq larg sa askush nuk ishte i kënaqur me Turqinë në Europë. Kjo mbeti papranueshme për sërbët, grekët, por edhe për shqiptarët. Me bekimin e Zotit urdhërova ushtrinë time heroike të fillojë luftën e shenjtë që të marrim frymë lirisht dhe për një të ardhme më të mirë. Në Sërbinë e Vjetër ushtria ime do të takojë jo vetëm sërbët e krishterë, por edhe sërbët myslimanë të cilët janë po aq të dashur dhe përveç kësaj, me shqiptarët e krishterë dhe myslimanë me të cilët kombi ynë ka ndarë gëzime e pikëllime për 13 shekuj deri tani. Të gjithëve atyre ne do t’u sjellim lirinë, vëllazërinë dhe barazinë”.
Ushtria sërbe ishte e para që hyri në territorin osman të banuar me shqiptarë në tetor të 1912, si pjesë e fushatës ushtarake gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Mbretëria e Sërbisë mori pjesën më të madhe të vendit të banuar nga shqiptarë, përfshirë edhe bregdetin shqiptar të Adriatikut. Gjenerali sërb Bozhidar Jankoviç ishte komandanti i Armatës së Tretë Sërbe gjatë fushatës ushtarake në Shqipëri. Ushtria sërbe u përball me rezistencë të fortë guerile të udhëhequr nga Isa Boletini, Azem Galica dhe udhëheqës të tjerë. Gjatë luftës, forcat sërbe detyruan figura të shquara dhe prijës të fiseve të nënshkruajnë deklaratë mirënjohjeje ndaj mbretit Petar I Karagjorgjeviq për "çlirimin nga ushtria sërbe".
Nesër vazhdimi i fejtonit amerikanët, sërbët dhe shqiptarët në Luftën e Parë Balkanike dhe botërore
0 komentet