KUSH ËSHTË-Andrash Klajn: I dërguari i ri hungarez për Ballkanin Perëndimor, njohës i mirë i marrëdhënieve Beograd-Prishtinë

Andraš Klajn
Burim: parlament.gov.rs

Diplomati hungarez Andrash Klajn është emëruar më 1 shtator të këtij viti si i dërguar special i Hungarisë për Ballkanin Perëndimor. Para emërimit ka ushtruar funksionin e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut dhe më herët ka drejtuar Departamentin e Ballkanit Perëndimor pranë MPJ. Marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës kanë zënë vend të rëndësishëm në prezantimet autoriale e diplomatike, ndërsa perspektivën europiane e shikon si instrument të rëndësishëm të stabilitetit të rajonit.

Klajn u lind në Paris në vitin 1969. Është diplomuar për gjuhë frënge e spanjolle në Fakultetin Filozofik në Budapest dhe pas studimeve ka punuar si mësues për gjuhën frënge e spanjolle në Gjimnazin e Budapestit.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë kaloi në vitin 2000 me ftesë të ndihmës sekretarit të shtetit të atëhershëm Çabe Lorinca i cili për të ishte mentor profesional. Para së gjithash punoi si shef i kabinetit të tij, e më pas nga viti 2002-2010 ishte sekretar i Këshillit për Politikë të Jashtme në parlamentin hungarez dhe nga viti 2010-2012 ushtroi funksionin e ndihmës shefit të kabinetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme.

Si ambasador i Hungarisë në Bullgari u emërua në vitin 2012 dhe këtë funksion e kreu deri në vitin 2016. Pas kësaj mori drejtimin e Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë në krye të së cilës ishte deri në vitin 2022. Në këtë vit emërohet ambasador i Hungarisë në Maqedoninë e Veriut.

Qëndrimet për Sërbinë dhe Kosovën

Klajn për çështjen e Sërbisë, Kosovës dhe raporteve sërbo-shqiptare shpesh është marrë në punimet e veta eksperto-publicistike.

Në tekstin “Domosdoshmëria e integrimit të Ballkanit Perëndimor” publikuar në vitin 2020 ndërsa ishe në krye të Departamentit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Hungarisë, ka vënë në dukje rëndësinë e integrimit europian për stabilitet të rajonit dhe paralajmëroi se ngadalësimi i integrimit do të ndikojë negativisht në gatishmërinë e Beogradit dhe Prishtinës që të avancojnë tek dialogu.

Ka theksuar veçanërisht pozitën e komunitetit sërb në Kosovë, duke vënë në dukje se "vazhdimi i egzistencës së Kosovës brenda kufijve aktualë, nuk është i mundur pa siguruar të drejtat e pakicës vendore sërbe".

Në të njëjtën vepër, u mor dhe me pozitën e pakicave kombëtare në Sërbi ku bën të ditur se Sërbia, pjesërisht për shkak të mbështetjes hungareze për integrimin europian, ka zhvilluar sistemin e autonomisë kulturore për pakicën hungareze, por edhe për komunitete të tjera kombëtare, ndër të cilat janë shqiptarët në Bujanovc, Medvegjë e Preshevë.

Marrëdhëniet sërbo-shqiptare dhe ndikimi i fuqive të mëdha

Klajn në vitin 2022, në revistën hungareze "Pro Minoritate", botoi pjesë të librit të historianit Laslo Markus "Historia e Kosovës: nga Dardania deri në Dialogun e Brukselit", nën titullin "Mbarë historia e Kosovës nga perspektiva e një diplomati aktiv".

Në atë tekst, u mor me rrënjët historike të konfliktit sërbo-shqiptar, zhvillimin e lëvizjes kombëtare shqiptare dhe ndikimin e fuqive të mëdha në situatën politike në Kosovë. Vlerësoi se konsolidimi politik i shqiptarëve kosovarë dhe sërbëve, vështirë të arrihet pa angazhim të fortë ndërkombëtar.

Gjuthashtu vuri në dukje se interesat e fuqive të mëdha përgjatë historisë shpesh kanë pasur ndikim vendimtar në Kosovë dhe në mbarë Ballkanin, jo rrallë duke shtypur interesat e popujve vendas.

Theksoi se pavarësisht shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, "Kosova ende nuk e ka përmbyllur procesin e ndërtimit të një shteti funksional".

Rreziku nga ndryshimi i kufijve

Për marrëdhëniet sërbo-shqiptare foli në intervistë për Institutin Hungarez të Historisë, publikuar në janar të këtij viti, në të cilën theksoi se konflikti nuk mund të kuptohet pa njohuri të historisë. Paralajmëroi se ndryshim eventual i kufijve në Ballkan, mund të çelë një sërë çështjesh të reja territoriale, përfshirë mundësinë e bashkimit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe shkëputjen e pjesës veriperëndimore të Maqedonisë së Veriut ku shqiptarët përbëjnë shumicën.

"Nëse, themi, Bosnjë-Hercegovina shpërbëhet dhe vendosen kufij të rinj, menjëherë lind pyetja e mëposhtme: përse nuk mund të bashkohet Kosova me Shqipërinë dhe përse nuk mund të shkëputet pjesa veriperëndimore e Maqedonisë së Veriut, në të cilën shqiptarët përbëjnë shumicën? Ndaj është e rrezikshme të tërhiqen në kufij të rinj. Kemi parë në shembullin e shpërbërjes së Jugosllavisë, se çfarë vuajtjesh dhe ngjarjesh të përgjakshme sjellin me vete në raste të caktuara", tha Klain.

Mbështetje integrimit europian të Sërbisë

Pas emërimit si i dërguar special, Klajn më 9 shtator u takua me nënkryetaren e Kuvendit Popullor të Sërbisë dhe kryetaren e Këshillit për Integrimin Europian, Elvira Kovaç. Me këtë rast, tha se Hungaria mbështet fuqishëm integrimin europian të Sërbisë dhe se dëshiron që pas ndryshimit të qeverisë në Hungari, të përcjellë qartë mesazhin se ky qëndrim nuk do të ndryshojë. Njëkohësisht, vuri në dukje nevojën për diskutim të hapur rreth asaj se përse integrimi europian i Sërbisë nuk po përparon me ritmin e pritur.

Kosovën e vizitoi më 29 tetor, kur u prit nga zv.ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti. Pjesë e rëndësishme e bisedës i’u kushtua zhvillimeve aktuale në Ballkanin Perëndimor, situatës së sigurisë dhe sfidave që ndikojnë në stabilitetin rajonal.

Sot u takua dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, i cili njoftoi se marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe bashkëpunimi strategjik mes dy qeverive u konfirmuan me atë rast.

Interesi për Ballkanin

Babai i Klain ishte gjithashtu diplomat. Tre herë shërbeu në Francë dhe karrierën e përfundoi në Argjentinë. Nëna është bullgare dhe flet gjuhën amtare bullgare. Për veten tregoi se pjesën më të madhe të fëmijërisë e kishte kaluar tek të afërmit në Bullgari dhe një nga arsyet e interesimit shumëvjeçar për Ballkanin theksoi se e kishte pikërisht nga kultura familjare dhe lidhjet kulturore me këtë zonë.

Duke folur për punën e tij gazetareske, Klajn vuri në dukje se botimet e tij i kushtohen kryesisht temave të politikës së jashtme dhe theksoi përfshirjen në redaksinë e revistës "Pro Minoritate", ku çdo vit përpiqet të përgatisë një numër kushtuar Ballkanit.

"Përpiqem të blej dhe lexoj çdo vepër mbi politikën ballkanike që botohet në Hungari. Fatkeqësisht, pavarësisht asaj që Ballkani është thelbësisht i rëndësishëm për vendin tonë, shumë pak vepra të tilla botohen", tha Klain.