KUSH ËSHTË-Bedri Hamza: I ashpër ndaj Kurtit, kritik ndaj dialogut dhe rezolutës 1244

Bedri Hamza
Burim: Reporteri

Bedri Hamza, ekonomist shumëvjeçar, ish guvernatori Bankës Qëndrore të Kosovës dhe ish ministër i financës, sot është zgjedhur për kryetar të Partisë Demokratike të Kosovës në konventën zgjedhore të kësaj partie ku u bë përfaqësuesi më i lartë politik në momentin kur në Kosovë flitet zëshëm për zgjedhje të jashtëzakonshme. Hamza do të pozicionohet si kandidati kryesor kundërshtar i Albin Kurtit ndërsa ka kritikuar ashpër qasjen e qeverisë në dialogun me Beogradin duke vlerësuar se është degraduar dhe ka kërkuar heqjen e rezolutës 1244 nga marrëveshja.

Nga llogaritar deri në guvernator

Hamza është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, ka bërë masterin për ekonomi dhe ka bërë doktoraturën në Universitetin e Tiranës.

Nisi të punonte si shef llogaritar dhe financier në Metalurgjikun e Olovës “Trepçë” në vitin 1987 pas të cilës shërbeu në ndërmarje private. Më pas ishte ministër i financave dy herë radhazi, ka qenë në tre legjislatura në Kuvendin e Kosovës dhe ka qenë guvernator i Bankës Qëndrore të Kosovës nga viti 2013 e deri në vitin 2017.

Kryebashkiak i Mitrovicës së Jugut u bë më 26 nëntor të 2021 duke fituar ndaj kryebashkiakut të atëhershëm Agim Bahtiri i Vetvendosjes. 

Në këtë funksion atë do ta zëvendësonte Faton Peci nga Vetvendosja ku pas raundit të dytë të zgjedhjeve vendore fitoi kolegu i partisë së Hamzës Ariana Tahiri.

Kandidat për kryeministër

Bedri Hamza ishte kandidat i PDK për kryeministër në zgjedhjet parlamentare në të cilat arriti të merrte gati 200 mijë vota. Për shumë kjo është konsideruar si sukses.

Pasi e prezantuan për kryeministër, nuk humbi kohë dhe menjëherë nisi fushatën. Publikut nuk i ka shpëtuar fakti që vetëm në një muaj u takua me tetë ambasadorë të vendeve europiane, që janë të akredituar në Kosovë dhe shefin e Zyrës së BE në Kosovë. Të gjithëve, sikurse njoftoi, u paraqiti planet e tij për qeverinë e re që synon të drejtojë pas zgjedhjeve të reja.

Pasi u zgjodh sot për kryetar të PDK, pritet që sërish të jetë kandidati i kësaj partie për kryeministër në zgjedhjet të cilat, sikurse duket po bëhen të pashmangshme në fund të vitit.

Hamza VS Kurti

Në deklaratat për mediat, tha se është më i mirë se kryeministri aktual në mandatin teknik Albin Kurtit dhe se mori rezultate më të mira në çfarëdo pozite që ishte.

Ka kritikuar dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe theksoi se në disa raste nuk luajti "rolin e vet unifikues", por që prej vitesh ka qenë "mbështetëse e hapur e politikës së qeverisë së Kurtit".

Kurtin e kritikoi për largimin e qytetarëve nga Kosova, shtypjen e medias dhe lirisë së shprehjes, dhe ligjin për Komisionin e Pavarur të Medias, e ka quajtur absurd.

Për koalicionin me Vetëvendosjen

Hamza konfirmoi se po zhvillon bisedime me të gjitha partitë opozitare, përfshirë LDK por jo me Vetvendosjen.

"Bisedova me LDK dhe me të gjitha partitë e tjera politike, përveç Vetvendosjes", tha ai.

Pyetjes nëse është e mundshme marrëveshje e përbashkët me partinë e Albin Kurtit, përgjigja ishte: "Kurrë nuk ka patur vija të kuqe për koalicionet, por është më e pranueshme të formohet koalicion me partitë opozitare".

Kërkon heqjen e Rezolutës 1244

Hamza në deklaratat e veta ka folur se vitet e fundit ka pasur pengesa tek dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës, duke pasur parasysh se Kosova ka pranuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, çka nënkuptojnë njohje reciproke.

Duke komentuar marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, Hamza theksoi se këto dokumente paraqesin probleme për të ardhmen e Kosovës.

Në rastin tjetër tha se disa pjesë të marrëveshjes duhet të rishikohen dhe ndryshohen, sikurse Rezoluta 1244, e cila nuk duhet të jetë pjesë e saj.

"Rezoluta 1244 nuk duhet të jetë pjesë e këtij dokumenti, atëherë çështja e arbitrazhit zhvlerëson besueshmërinë e institucioneve gjyqësore në Kosovë", tha ai.

Për veriun e Kosovës

Hamza me Kurtin u konfliktuan dhe rreth vendimit të Bankës Qëndrore për ndalimin e përdorimit të dinarit. Tha se ai është legjitim, por që është e diskutueshme që qeveria kosovare i habiti partnerët ndërkombëtarë duke ndërmarrë një hap të papritur për këtë çështje.

"Nuk duhet t'i befasojmë partnerët tanë, të ndërmarrim veprime pa plan të qartë, duhet të gjej momentin kur duhet të merren vendimet", tha Hamza.

Ky i fundit me bashkësinë ndërkombëtare kërkoi koordinim për çështjen e hapjen së urës mbi Ibër ndërsa veprimet e Kurtit në veri, i karakterizoi si "farsë propagande të fabrikuar".

Shtoi se qeveria aktuale me tentativat që të hapë urën-po shkatërron të gjitha urat e tjera.

Kundërshtoi urën e sapondërtuar mbi lumin Ibër, duke vlerësuar se mund të shkaktojë përmbytje në të ardhmen, duke vënë në dukje koston dhjetëfish më të lartë të urës krahasuar me projekte të ngjashme.

Shtoi se si kryetar i komunës së Mitrovicës së Jugut, është i lumtur çka pa pompime të mëdha por me domethënie të madhe, përfundoi projektet në të dy anët e qytetit.

"Njëra prej tyre është shëtitorja rreth lumit Ibër, si në pjesën veriore ashtu edhe në atë jugore dhe sigurisht që jam përherë i gatshëm të bashkëpunoj me kolegët e mi nga Mitrovica e Veriut dhe komunat në veri të Kosovës, të cilët kanë interes të përbashkët në atë zonë", tha Hamza.

Bashkëpunimi me SHBA prioritar

Gjatë karrierës së vet, Hamza përherë ka theksuar si prioritare ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në mars të këtij viti, tha se nëse ajo parti fiton zgjedhjet, do përmirësojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Na duhet të zhvillojmë marrëdhënie të mira me SHBA dhe u jemi përherë mirënjohës. Le të jetë kjo adresa jonë e parë së cilës do t'i drejtohemi. Ndaj do të bashkëpunojmë ngushtësisht me administratën e presidentit Tramp. Fatkeqësisht, vitet e fundit nuk kemi qenë mjaftueshëm të pranishëm në Uashington dhe në qendra të tjera vendimmarrëse mbarë botën", tha Hamza.

Kontradiktat

Shumë veta atë e përshkruajnë si intelektual të shquar dhe një nga ekonomistët më të mirë që ka pasur Kosova. Ndonëse konsiderohet njeri pa asnjë të metë në karrierën e vet, mediat pranë Albin Kurtit kujtuan disa polemika që lidhen me të.

Si dëshmitar u dëgjua vitin e kaluar në gjyqin e njohur si "Rasti i 53 milionë eurove", në të cilin ish-ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe bashkëpunëtorët e tij, u akuzuan për mashtrim në prokurim.

Hamza, i cili në atë kohë ishte ministër i Financave, deklaroi para gjykatës se për pagesën dhe procedurat e marrëveshjes me shumën 53 milionë euro, autorizoi ndihmësin e tij Fatmir Gashin dhe ai vetë nuk ishte i përfshirë në asnjë fazë të procesit.

Media kujtoi dhe deklaratën e tij se Kosova punon për të pasur monedhën e vet. Pasi u tall në publik, kurrë nuk e përmendi më.

Atë e kanë akuzuar dhe për premtime të gënjeshtërta se si ministër financash do të rriste pagat çka nuk ndodhi por dhe që pasi u bë ministër për tri vite në kundërshtim të ligjit vijonte të merrte pagën çdo vit 24.255 euro nga BQK.

Agjencia për Ndalimin e Korrupsionit Hamzën e ka denoncuar se posedon dy apartamente, shtëpi, tre garazhe, truall me vlerë gati 50.000 euro dhe autoveturë me vlerë 25.000 euro.

Tha se në llogari ka më shumë se shtatë mijë euro por dhe kredi që ka marrë për rinovimin e shtëpisë.

Biografia

Hamza ka lindur më 8 nëntor të vitit 1963 në Klinën e Sipërme. Përveç marrjes me politikë, punon si profesor në Universitetin e Prishtinës ku jep lëndën e Makroekonomisë 2 dhe Menaxhimit Bankar.

Nga gjuhët e huaja flet anglisht dhe sërbo-kroatisht, është i martuar dhe ka tri fëmijë.