KUSH është-Memli Krasniqi: Lideri i PDK për të dytën herë, është i mendimit se draft-statuti europian i BKS është i papranueshëm

Ministër dy herë, deputet në shumë legjislatura të parlamentit kosovar, ish gazetar dhe muzikant, me diplomë master për marrëdhënie ndërkombëtare, Memli Krasniqi sot për herë të dytë është zgjedhur lider i Partisë Demokratike të Kosovës, parti kryetari i parë i së cilës dhe një prej themeluesve ka qenë Hashim Thaçi i cili po gjykohet në Hagë për krime lufte.
Krasniqi, pjestar i brezit të ri të PDK, karrierën politike e nisi në vitin 2004 kur u përfshi aktivisht në PDK. Në fillim drejtoi Qendrën për Studime Politike ku funksiononte në kuadër të kabinetit të ish kryetarit të partisë Hashim Thaçi.
Si kryetar i Rinisë Demokrate të Kosovës u zgjodh në vitin 2006 e një vit më pas u bë deputet në Kuvendin e Kosovës. Në tetor të 2008 u emërua si këshilltar politik i kryeministrit dhe zëdhënës i qeverisë.
Mandatin e ri të deputetit e fitoi në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 ndërsa në shkurt të vitit 2011, u emërua ministër i kulturës, rinisë dhe sporteve. Ministër i bujqësisë, pyjeve dhe zhvillimit rural ka qenë prej vitit 2014 deri në vitin 2017.
Situatën aktuale politike dhe tentativat e pasuksesshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi e konsideron si pasojë e politikës kokëforte të partisë qeverisëse Lëvizja Vetvendosja për të cilën thotë se Kosovën e mban si peng. Ai thotë se PDK do të mund të formonte qeverinë.
Në katër vitet e fundit shpesh ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për shkatërrim të marrëdhënieve me aleatët e Kosovës.
Qëndrimi për Bashkësinë e Komunave Sërbe duhet të jetë pjesë e përgjithshme e marrëveshjes me Beogradin që të çon tek njohja e ndërsjelltë por që draft-statuti i BKS të cilën e ka bërë Unioni Europian, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe se është i papranueshëm “pasi krijon autonomi për komunitetin sërb në Kosovë”.
Për veprimet e shumta të qeverisë së Albin Kurtit në veri, në të cilat u mbyllën institucionet që funksiononin në sistemin sërb, deklaroi se për "punët që janë ndërmarrë në veri, duhet të egzistojë mbështetje ndërkombëtare çka nuk do të thotë se mbyllja e institucioneve sërbe nuk është vendim i duhur".
Për çështjen e hapjes së urës kryesore mbi Ibër, tha se PDK nuk është kundër, por që kjo duhet të bëhet në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.
Thaçin e ka vizituar në Hagë shumë herë. Një muaj më parë në ditën kosovare të presidentit, në Fejsbuk shkruajti: "Kosova është dhe do të jetë gjithmonë krenare për ty Hashim Thaçi".
Në Hagë gjykohet dhe Kadri Veseli, i cili gjithashtu ishte kryetar i PDK sikurse pasardhës i Thaçit në vitin 2016, kur Thaçi dha dorëheqjen nga pozicioni i tij partiak për shkak të zgjedhjes në postin e presidentit kosovar.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, Krasniqi për kandidat të PDK në postin e kryeministrit, nominoi Bedri Hamzën, ndërsa ai ishte numri dy në listën e kandidatëve për deputetë. Partia fitoi vendin e dytë dhe përmirësoi ndjeshëm rezultatin e saj krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.
Gazetari i agjencisë AP
Krasniqi lindi në Mitrovicën e Kosovës më 25 janar të vitit 1980. Përfundoi studimet për shkenca politike dhe administratë publike në Fakultetin e Filozofisë, Universiteti i Prishtines. Në shkollën e Londrës për Ekonomi dhe Shkenca Politike, bëri studimet master për marrëdhënie ndërkombëtare.
Punoi si gazetar në vitet 1999 dhe 2000 për agjencinë amerikane Asoshejted Pres dhe në vitin 2002 ishte drejtor për marrëdhënie me publikun në Qendrën e Kosovare të Telemjekësisë.
Është marrë me muzikë dhe ka punuar me projekte muzikore kryesisht si autor i këngëve si dhe pjestar i grupit “Ritmi i rrugës”.
Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka tre fëmijë.
komentet