KUSH ËSHTË - Çarls l. Smith III: Amerikani që dënoi Thaçin dhe drejtoi procesin kundër veteranëve të UÇK

Čarls Smit
Burim: Kosovo Online/SCP

Gjykatësi amerikan Çarls L. Smith III ka qenë drejtuesi i trupit gjykues në procesin ndaj ish drejtuesve të UÇK Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, ndërsa duke lexuar vendimin që u dha nga Odat e Specializuara në Hagë, bëri të qartë se gjyqi u zhvillua në kontekstin e kërcënimeve të vazhdueshme të dëshmitarëve.

Karriera e tij e lidhur me Kosovën, nisi disa vite para themelimit të Odave të Specializuara kur nga viti 2010 e deri në 2013 ishte gjykatës i Euleks.

“Disa dëshmitarë u tërhoqën nga deklaratat e dhëna, mashtruan panelin, fjali të përsëritura të mësuara përmendësh. Disa dëshmitarë frikësoheshin për sigurinë e tyre. Fakti që paneli mund të marrë vendim është dëshmi e guximit dhe vendosmërisë së tyre. Për shkak të frikësimit të dëshmitarëve, u zbatuan masa për të mbrojtur individët”, tha Smith, duke lexuar vendimin që dënoi ish udhëheqësit e UÇK në shkallën e parë për ndalim të paligjshëm të të paktën 385 personave, trajtim mizor të të paktën 49 personave, torturë të të paktën 303 personave dhe 96 vrasje.

Në nisje të leximit të vendimit, Smith theksoi se procedurat kishin të bënin me aktakuzën e jo me legjitimitetin e UÇK.

Smith ka qenë kryetar i trupit gjykues në çështjen kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinaj, të cilët në vitin 2022 u shpallën fajtorë në shkallën e parë për pengim të personave zyrtarë, frikësim gjatë procedurave penale, hakmarrje dhe shkelje të sekretit të procedurave për shkak të publikimit të materialeve konfidenciale.

Angazhimi ndërkombëtar

Gjykatësi Smith u emërua gjyqtar i Odave të Specializuara më 7 shkurt të vitit 2017. Veç asaj që kryesoi trupin gjykues në procedurat ndaj ish udhëheqësve të UÇK, prej 29 prillit të vitit 2020, ka ushtruar dhe funksionin e nënkryetarit të kësaj gjykate.

Karriera e tij në Kosovë nisi disa vite para themelimit të Odave të Specializuara, kështu që nga viti 2010 deri në vitin 2013 ishte gjyqtar i EULEKS. Në atë periudhë, çështja "Kleçka" ndaj Fatmir Limajt dhe nëntë ish pjestarëve të tjerë të UÇK, ishte një nga çështjet më të rëndësishme të krimeve të luftës në Kosovë. Aktakuza i referohej abuzimit dhe vrasjes së të burgosurve në qendrën e paraburgimit të UÇK në Kleçkë. Smith, megjithatë, nuk ishte anëtar i trupit gjykues që gjykoi Limajn dhe të tjerët. Në këtë çështje Limaj u lirua nga akuzat.

Si gjyqtar i EULEKS asistoi në vendimmarrje për të paktën një rast krimi lufte nga lufta e vitit 1999. Rasti ishte kundër një të akuzuari për krime lufte ndaj popullsisë civile të kryer më 24 mars 1999 në fshatin Doblibare, në afërsi të Gjakovës. Gjykata e shkallës së parë në Pejë e dënoi Gjelosh Krasniqin me shtatë vjet burg dhe më 14 qershor 2011, kolegji i Smith në Gjykatën e Lartë e hodhi poshtë ankesën e tij dhe e la në fuqi vendimin.

Në kuadër të mandatit të tij të EULEKS, Smith nga viti 2011-2013 ka qenë gjyqtar i Gjykatës së Lartë të Kosovës. Gjatë asaj periudhe, më parë u zgjodh nënkryetar e më pas kryetar i Kuvendit të Gjyqtarëve të EULEKS, bëhet e ditur në biografinë e tij të publikuar në uebsajtin e Odave të Specializuara.

Karriera

Smith ka punuar si ndërmjetës dhe arbitër nga viti 2014, e para funksioneve në EULEKS dhe Odat e Specializuara të Kosovës, shërbeu si gjyqtar i Gjykatës së Qarkut në Distriktin e Katërt Gjyqësor të Ajovës, ku nga viti 1996 deri në vitin 2010, ishte Gjykatës dhe anëtar i Këshillit Gjyqësor të Shtetit të Ajovës.

Prej vitit 1970-1989, pati zyrën e vet të avokatisë që ishte e specializuar për çështjet civile e penale, si dhe në të drejtën e biznesit, taksave dhe trashëgimisë. U diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Krejtonit në vitin 1970 dhe në të njëjtin vit u pranua në

Odën e Avokatëve të Nebraskës ndërsa ishte anëtar dhe i Odës së Avokatëve të Ajovës në qershor të vitit 1971.