KUSH është KUSH – Bernard Çobaj: “Zanatin e ka mësuar” edhe në ambasadën e SHBA në Podgoricë

Bernard Čobaj
Burim: Facebook/Bernard Cobaj

Pasi të përfundojë pjesa e mbetur e procedurës dhe Bernard Çobaj të fillojë mandatin si ambasador i Malit të Zi në Kosovë, ai nuk do të jetë një fytyrë e re në Prishtinë.

Si i ngarkuar me punë në ambasadën malazeze, gjatë dy viteve të fundit ai është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendësin e tij Besnik Bislimi, shefen e UNMIK-ut, Karoline Ziade, guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës…

Deri në takimet në formatin e ri, ka mbetur që presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, të nënshkruajë dekretin për emërimin e tij.

Çobaj dy ditë më parë mori një mendim pozitiv nga Komisioni për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë në Parlamentin malazez për të qenë ambasador i vendit në Kosovë, e cila ka mbetur pa një diplomat të rangut të lartë në Prishtinë që nga viti 2021, kur Ferhat Dinosha doli në pension.

Në një intervistë në vitin 2023, Çobaj, si i ngarkuar me punë, kishte deklaruar se synimi ishte që malazezët të bëhen kategori kushtetuese në Kosovë dhe në këtë mënyrë të hapet rruga për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit malazez në Kuvendin e Kosovës. E në seancën e pardjeshme të Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kuvendit të Malit të Zi, ai tha se në të gjitha takimet me zyrtarët e Kosovës, “është theksuar rëndësia e njohjes kushtetuese të komunitetit malazez”.

Meqë ra fjala, emërimi i Çobajt si ambasador nuk u mbështet nga të gjithë anëtarët e pranishëm të Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Parlamentit të Malit të Zi. Nga tetë, dy votuan kundër - deputetët e koalicionit pro-serb "Për të ardhmen e Malit të Zi" Vellimir Gjokoviq dhe Jelena Klajeviq.

Gjatë këtij diskutimi, Çobaj ka deklaruar se ka gati 20 vite në shërbimin diplomatik dhe se është i nderuar që është nominuar për ambasador në Prishtinë. Mali i Zi dhe Kosova, tha ai, kanë marrëdhënie të mira, dhe diplomacia kulturore do të jetë “thelbësore e aktiviteteve të Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë”.

Shërbimi i Çobajt në Prishtinë si i ngarkuar me punë u shënua edhe nga një episod i pazakontë, kur Shoqata e Malazezëve të Kosovës e akuzoi atë se me “veprimet e tij të papërshtatshme i ka shkaktuar dëm të paçmueshëm komunitetit etnik malazez dhe Malit të Zi”. Kjo shoqatë, në një letër të hapur drejtuar ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme, Fillip Ivanoviq, pretendonte se Çobaj kishte uzurpuar takimin e tyre të planifikuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ku kishin ndërmend të paraqisnin propozime për të parandaluar asimilimin e plotë dhe zhdukjen e malazezëve të Kosovës. Sipas pretendimeve të tyre, Çobaj dhe sekretari i dytë i ambasadës, Fedisa Daciq, e kishin orientuar takimin “ekskluzivisht për nevojat e tyre personale të promovimit dhe ekspozimit mediatik, ndërsa nuk ishte përmendur fare pozita e malazezëve të Kosovës”.

Çobaj, me përkatësi etnike shqiptare, ka lindur në Ulqin. Ai ka punuar për gati 15 vjet në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, nga viti 2006 deri në vitin 2020, në Departamentin e Medias dhe Kulturës. Titullin e sekretarit të parë për çështje multilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi e mori në vitin 2021.

Në profilin e tij në Facebook shkruhet se ka studiuar në Fakultetin e Shkencave Politike dhe Fakultetin Filozofik të Universitetit të Malit të Zi, si dhe ka ndjekur studime në Universitetin Jonkoping në Suedi.

Në foton e kopertinës së profilit të tij në këtë rrjet social, ai ka cituar shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare: “Letërsia më çoi drejt lirisë, dhe jo anasjelltas.”