OSBE: Procedurat gjyqësore në rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë janë të gjata, shkallë e lartë e aktgjykimeve liruese
Institucionet e drejtësisë në Kosovë kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejt përmirësimit të trajtimit të rasteve të rënda të krimit të organizuar dhe korrupsionit, por reformat ende nuk kanë sjellë një praktikë gjyqësore të qëndrueshme, thuhet në raportin e dytë rajonal të OSBE-së për monitorimin e procedurave gjyqësore, të publikuar sot. Rastet e monitoruara të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, siç thuhet, vazhdojnë të karakterizohen nga një shkallë e lartë e aktgjykimeve liruese dhe procedura të gjata.
Raporti, i cili është pjesë e një programi më të gjerë rajonal të OSBE-së për monitorimin e procedurave gjyqësore, të financuar nga Bashkimi Evropian, shqyrton zhvillimet në gjashtë juridiksione të Ballkanit Perëndimor që nga viti 2024, kur u publikuan rekomandimet e mëparshme. Në të vlerësohet përparimi në zbatimin e tyre dhe përcaktohen prioritetet praktike për një sistem të drejtësisë penale më të drejtë, më efikas dhe më efektiv.
Bazuar në monitorimin e procedurave gjyqësore, analizën e vendimeve gjyqësore dhe konsultimet me institucionet e drejtësisë, raporti konstaton një përkushtim më të madh institucional ndaj reformave, duke përfshirë planifikimin strategjik, zgjerimin e përdorimit të mjeteve dixhitale, trajnimet e specializuara dhe masat për përmirësimin e qëndrueshmërisë së praktikës gjyqësore.
Si një nga shembujt e përparimit përmendet përmirësimi i publikimit të vendimeve gjyqësore. Gjatë periudhës raportuese, 36 nga 41 aktgjykimet e monitoruara janë publikuar në internet, përfshirë të gjitha 20 aktgjykimet e monitoruara të Gjykatës së Apelit. Institucionet kanë ndërmarrë gjithashtu hapa për përmirësimin e shërbimeve të përkthimit me shkrim dhe me gojë, si dhe të komunikimit me publikun.
Megjithatë, zbatimi i reformave vazhdon të jetë i pabarabartë. Raporti vë në dukje procedurat e gjata gjyqësore, veçanërisht në fazën e ankesave, mospërputhjet në hartimin e aktakuzave dhe arsyetimin e vendimeve gjyqësore, vështirësitë në qasjen në shërbimet e interpretimit dhe në shkresat e përkthyera të lëndëve, si dhe sfidat në zbatimin e hetimeve financiare, sekuestrimin e pasurisë dhe shqiptimin e dënimeve plotësuese.
“Rastet e monitoruara të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë vazhdojnë të tregojnë një shkallë të lartë të aktgjykimeve liruese, procedura të gjata dhe rezultate të ndryshme në shqiptimin e dënimeve. Çështja e politikave është se çfarë zbulojnë këto rezultate për provat, ndërtimin e rasteve, ankesat, sanksionet dhe qëndrueshmërinë e rezultateve gjyqësore”, thuhet në raport.
Gjithashtu, theksohet se mekanizmat e transparencës janë zgjeruar, por qasja e parashikueshme në oraret e seancave gjyqësore, aktgjykimet, aktakuzat dhe informacionet në dy gjuhë mbetet e pabarabartë.
Sipas Kahramon Sanginovit, udhëheqës i komponentit të projektit për Kosovën, raporti njeh përparimin e arritur nga institucionet e drejtësisë dhe hapat e tyre të mëtejshëm në përputhje me rekomandimet.
“Hapi i ardhshëm është të ndërtohet mbi këtë përparim, në mënyrë që reformat të përmirësojnë vazhdimisht mënyrën e përgatitjes, menaxhimit dhe vendimmarrjes për rastet komplekse”, tha Sanginov.
Rekomandimet e raportit kanë të bëjnë me përcaktimin më të qartë të përgjegjësive institucionale, mbikëqyrjen më të fuqishme dhe investimet e vazhdueshme në njohuritë e specializuara dhe burimet operative. Theksi vihet te nevoja që strategjitë, udhëzimet dhe mjetet dixhitale të sjellin përmirësime të matshme në trajtimin e përditshëm të lëndëve, duke ruajtur njëkohësisht të drejtën për gjykim të drejtë dhe pavarësinë e gjyqësorit.
Gjetjet dhe rekomandimet do të shqyrtohen në Forumin Rajonal të Drejtësisë, i cili do të mbahet në Budva më 26 dhe 27 tetor. Forumi do të mbledhë përfaqësues të lartë të organeve gjyqësore dhe prokuroriale nga të gjitha juridiksionet e përfshira në projekt, për të shkëmbyer përvoja praktike se si reformat në drejtësi të shndërrohen në praktika të qëndrueshme institucionale.
0 komentet