KUSH është KUSH – Charlie Kirk: Aleati i Trump-it “i dobët ndaj serbëve”
Bashkëpunëtori i ngushtë i Donald Trump-it dhe drejtor ekzekutiv i organizatës “Turning Point USA”, Charlie Kirk, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra pasi u qëllua gjatë një ligjërate në një shkollë në Juta. Ai njihej si një republikan konservator, njeri që fliste hapur, por edhe si mik i madh i serbëve. Në një periudhë të jetës së tij, ishte i vetmi amerikan në ekipin serb të basketbollit “White Eagles of Illinois” me të cilët udhëtoi nëpër SHBA.
Kirk u qëllua në kampusin e Universitetit “Utah Valley” më 10 shtator dhe ndërroi jetë një ditë më vonë. Dëshmitarët e përshkruan sulmuesin si një burrë të moshuar, por personi që u arrestua menjëherë pas atentatit u lirua shpejt.
“Charlie i madh, legjendar, ka vdekur”, shkroi Trump në rrjetin social Truth Social.
Kirk në SHBA njihej si një figurë e rëndësishme e skenës konservatore.
Ai ishte një nga kundërshtarët më të mëdhenj të abortit, por edhe të martesave të të njëjtit seks.
Shpesh mbante tribuna publike ku mbronte qëndrimet e tij, duke hyrë në debate me kundërshtarë.
Që nga tetori i vitit 2020, çdo ditë drejtonte një emision treorësh në radio me titull “The Charlie Kirk Show” në kanalin radiofonik “Salem Media Answers”.
Ky podcast vetëm vitin e kaluar kishte mes 500.000 dhe 700.000 shikime në ditë.
Organizatën “Turning Point USA” e themeloi më 2012 me synim promovimin e vlerave konservatore te të rinjtë, veçanërisht në shkolla të mesme dhe universitete. Nga ajo më pas, më 2019, lindi organizata “Students for Trump”, me idenë për të mbledhur rreth një milion studentë të përfshirë në fushatën e Trump-it.
Konservator i flaktë, Kirk deri më 2016 nuk ishte adhurues i madh i Trump-it.
Në Konventën Kombëtare Republikane 2016 deklaroi se nuk ishte “fani më i madh i Donald Trump-it në botë”, por se do të votonte për të.
Së shpejti ai “kaloi në anën e tij” dhe mori pjesë aktive në të dyja fushatat presidenciale të Trump-it.
“Dua ta falënderoj Charlie, ai është një djalë i jashtëzakonshëm, shpirtit i tij, dashuria e tij për këtë vend, ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke ndërtuar një nga organizatat rinore më të fuqishme që janë krijuar ndonjëherë”, tha Trump pas fitores.
Në mars 2025 e emëroi anëtar i Bordit të Vizitorëve të Akademisë së Forcave Ajrore të SHBA.
Rritur me serbët
Charlie Kirk disa herë ka theksuar se është “i dobët ndaj serbëve”.
“Jam rritur me shumë serbë në Çikago. Kam një dobësi për serbët. Ata janë të shkëlqyer. Di gjënë më të keqe që mund të thuhet në gjuhën serbe, por nuk do ta them në emision, sepse Komisioni Federal i Komunikimeve (FCC) do të gjente një mënyrë për të më ndëshkuar”, tha ai në një intervistë.
Ai shpjegoi se në atë ekip e kishte ftuar trajneri i atëhershëm Sheva Kurkeviq dhe madje kishte pasur një fanellë me emrin e tij.
“Të gjithë të tjerët ishin serbë përveç meje, por dukesha pak si nga Ballkani. Dukuesha si kroat, boshnjak, shqiptar ose serb”, tha ai.
Shtoi se ata luanin në ligën lokale kryesisht kundër ekipeve afro-amerikane, por kurrë nuk kishte pasur probleme, veçanërisht jo raciste.
“Dhe kurrë nuk kemi menduar për këtë. Nuk po bëj shaka. Nuk pati asnjë moment të vetëm. Dhe kjo ishte pak si një devijim nga rruga, ku papritmas ishim si, po, ne jemi një ekip i bardhë. Por ne thjesht njiheshim të gjithë dhe të gjithë njiheshin nga komuniteti serb. Ishte disi interesante. Dhe kjo ishte e gjitha”, tregoi Kirk.
Biografia
Është lindur në periferi të Çikagos më 14 tetor 1993. Ishte anëtar i Skautëve Amerikanë dhe fitoi gradën e Skautit të Shqiponjës. Gjatë vitit të tretë të shkollës së mesme në Wheeling, u angazhua vullnetarisht në fushatën e republikani nga Illinois, Mark Kirk, për Senatin e SHBA.
Në vitin e fundit të shkollës së mesme, Kirk nisi një fushatë kundër rritjes së çmimeve të biskotave në shkollën e tij, por gjithashtu shkroi një ese për “Breitbart News” ku pretendonte se ekzistonte njëanshmëri liberale në tekstet shkollore të gjimnazit, gjë që e çoi deri tek paraqitja e tij në “Fox Business”.
Kirk ndoqi “Harper College” afër Çikagos, por e la shkollën pa diplomuar.
Në vend të kësaj, në vitin 2012 themeloi “Turning Point USA” dhe në Konventën Kombëtare Republikane bindi donatorin e shquar republikan, Foster Friess, që të financonte këtë organizatë.
Në vitin 2018 u përfshi në listën e “Forbes” “30 nën 30” në fushën e drejtësisë dhe politikës.
Vetëm një vit më vonë iu dha diploma e nderit Doktor i Shkencave Humane (D.Hum.) në Universitetin “Liberty”.
Trump, në fund të mandatit të tij të parë në vitin 2020, e emëroi në komisionin që promovonte “arsimimin patriotik”, ndërsa deri tani ai ka botuar disa libra, nga të cilët më të rëndësishmit janë Doktrina MAGA: Idetë e vetme që do të fitojnë në të ardhmen (2020) dhe Revolucioni i Djathtë: Si të mposhtim të iluministët dhe të shpëtojmë Perëndimin.
Ishte i martuar me ish-Miss Arizona, Erika Frantzve, me të cilën kishte dy fëmijë.
komentet