KUSH është KUSH - Fikrim Damka: Ministër, i shkolluar në Turqi, i arrestuar ditën e zgjedhjeve

Fikrim Damka
Burim: Ministarstvo regionalnog razvoja

Partia Demokratike Turke e Kosovës, e udhëhequr nga Fikrim Damka, ministri aktual i Zhvillimit Rajonal, fitoi dy nga dhjetë mandatet e garantuara për pakicat joserbe sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 9 shkurt.

Rezultati është i njëjtë si në zgjedhjet e fundit, më 14 shkurt 2021, kur kreu i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP) tha se nuk do të votojnë për formimin e qeverisë nëse nuk do të kenë ministër në të.
Në ditën e zgjedhjeve të këtij viti, Damka u arrestua nën dyshimin se ka kryer krimet e sulmit dhe kanosjes së dy personave. Njëri prej tyre është anëtar i Partisë rivale Turke të Lëvizjes së Inovacionit.

Atij i është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj, por më 7 mars Gjykata Themelore në Prizren ia hoqi masën dhe ia zëvendësoi atë me ndalim për t'iu afruar të dëmtuarve më afër se 50 metra. Pas heqjes së arrestit shtëpiak, Damka ka marrë pjesë në seancën e Qeverisë së Kosovës të mbajtur më 12 mars.

Në një intervistë në vitin 2022, Damka tha se “kërkesa e Serbisë për formimin e Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, me të drejta të ngjashme me autonominë në veri, si kusht për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është e papranueshme për Kosovën”.
Pasi që vitin e kaluar Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës nuk e ka përfshirë në agjendën e tij çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, Damka ka deklaruar se është i zhgënjyer pasi, sipas tij, Kosova i kishte plotësuar të gjitha kriteret për anëtarësim në këtë organizatë.

Kur u bë kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës në vitin 2019, ai theksoi forcimin e marrëdhënieve me Turqinë si një nga qëllimet e tij.

Një herë ai tha se arsimimi i tij në Turqi kontribuoi shumë në ngritjen e tij në postin e ministrit.
Si ministër i Zhvillimit Rajonal, ai u takua me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan gjatë Forumit Diplomatik në Antalia për disa vite me radhë. Ekipi e përfundoi postimin e tyre në Facebook për vitin 2021 me mesazhin "Së bashku jemi të fortë".

Në qershor të vitit 2022, deputetja e PDK-së Arijana Musliu Shoshi dhe avokati Faton Fetahu e akuzuan atë, si dhe ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, për shpërdorim të 1.1 milionë eurove për, siç pretendonin, nënshkrimin e paligjshëm të një memorandumi bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Rajonal dhe Caritas-it Zviceran në gusht21.

Musliu Shoshi pohoi se Ministria e Zhvillimit Rajonal nuk ka kompetencë ligjore që ta shpenzojë buxhetin ashtu siç ka bërë në këtë rast dhe mbi të gjitha të nënshkruajë kontratë për shpërndarjen e mjeteve publike me një OJQ, pa shpallje publike.

Ka studiuar në Stamboll

Damka ka lindur më 16 tetor 1972 në Prizren. U diplomua në vitin 1996 në Departamentin e Ekonomisë, Universiteti i Stambollit.

Punoi si mësimdhënës në Shkollën e Mesme Ekonomike dhe Juridike në Prizren dhe ishte kryetar i Shoqatës së Mësimdhënësve Kosovaro-Turq.

Në biografinë e tij thuhet se ai ka kontribuar në identifikimin e problemeve që lidhen me sistemin arsimor turk në Kosovë dhe ka organizuar shumë takime vjetore, konferenca dhe seminare për të gjetur zgjidhje.
Në vitin 2008 është emëruar Këshilltar i Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa në vitin 2009 zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Ai u zgjodh deputet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010. Ai u rizgjodh më pas në zgjedhjet e 2014, 2017, 2019 dhe 2020.
Gjuha e tij amtare është turqishtja, por flet edhe shqip, serbisht dhe anglisht.