KUSH është KUSH – Konstantinos Tasulas: Premtoi një qasje konstruktive të Greqisë ndaj Kosovës
Konstantinos Tasulas, i cili sot bëri betimin si presidenti i nëntë i Republikës së Greqisë, është ish-kryetar i parlamentit grek dhe ka një karrierë parlamentare 25-vjeçare. Ai është zgjedhur tre herë si kryetar i parlamentit, ndërsa ka mbajtur edhe postin e ministrit të Kulturës dhe zëvendësministrit të Mbrojtjes.
Ai u zgjodh president i Greqisë më 12 shkurt dhe sot e mori detyrën nga ish-presidentja Katerina Sakellaropulu.
Kandidatura e tij për presidentin e shtetit u propozua nga kryeministri grek dhe lideri i Demokracisë së Re, Kiriakos Micotakis, i cili tha për të se ka njohuri të thella për historinë greke dhe një patriotizëm të vërtetë.
Tasulas, i cili me profesion është avokat, u zgjodh për herë të parë deputet i Demokracisë së Re për njësinë zgjedhore të Janinës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000 dhe ka shërbyer si kryetar i parlamentit grek që nga viti 2019.
Edhe pse Greqia nuk e njeh Kosovën, Tasulas u takua me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufco, në Athinë në qershor 2022, si pjesë e punimeve të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore. Siç njoftoi atëherë Konjufca, me Tasulas ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe e ka falënderuar për “mbështetjen që Greqia i jep Kosovës”.
“E falënderova zotin Tasulas për mbështetjen që vendi i tij i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe i kërkova që të thellojë bashkëpunimin ndërparlamentar mes dy vendeve tona. Tasulas na siguroi se vendi i tij do të vazhdojë me qasjen e tij konstruktive ndaj Kosovës”, tha Konjufca pas takimit.
Një veteran i skenës parlamentare greke, në një fjalim të tij tha se “demokracia është edhe art, sepse është arritja më e madhe kulturore e njeriut”.
Pas zgjedhjeve presidenciale të Greqisë muajin e kaluar, ai premtoi të promovojë unitetin kombëtar.
"Greqia duhet të përmirësojë më tej pozicionin e saj ndërkombëtar, ndërsa përpiqet për përparim dhe besim nga brenda," tha ai.
Tasulas ka lindur në Janinë në vitin 1959, është i martuar dhe ka dy fëmijë. Ka studiuar në Fakultetin Juridik të Athinës dhe është anëtar i Odës së Avokatëve të Athinës.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000 u zgjodh për herë të parë deputet i Demokracisë së Re në zonën e Janinës. Ai u rizgjodh në zgjedhjet parlamentare të viteve 2004, 2007, 2009, 2012 (dy herë), 2015 (dy herë) dhe 2019.
Ai u emërua zëvendësministër i Mbrojtjes në vitin 2007, ministër i Kulturës dhe Sportit në vitin 2014 dhe e mbajti atë detyrë deri në janar 2015.
Ai ishte këshilltar special i ministrive të ekonomisë kombëtare, tregtisë dhe bujqësisë dhe kryetar i Agjencisë për Nxitjen e Eksportit nga viti 1990 deri në 1993. Ai u zgjodh kryetar i Komunës së Kifisisë në vitin 1994.
0 komentet