Përmbledhja e javës 82
Java paraardhëse ishte java për përgjigje. Kush si votoi, kush fitoi, kush do t’i udhëheqë qytetet dhe komunat, e kush institucionet e tjera në Kosovë? Megjithatë, çdo përgjigje hapi një sërë pyetjesh të reja.
Prej kohësh dihet se zgjidhja përfundimtare, sidomos në Kosovë, nuk ka pse të jetë përfundimtare për të gjitha dilemat. Madje, çdo përfundim hap pyetje të reja. Edhe shpallja e fitores zgjedhore nuk vuri pikë mbi sfidat parazgjedhore.
“Këtu shtronet pyetja nëse do të krijohet një qeveri e re tranzitore që do të qeverisë për një kohë, apo do të shkohet në zgjedhje të reja që do të sjellin disa ndryshime, por sigurisht jo drastike”, komenton për Kosovo online Dragisha Mijaçiq nga Konventa Kombëtare për Kapitullin 35.
Edhe pse nganjëherë të nevojshme, zgjidhjet drastike nuk janë gjithmonë të dëshirueshme. E zakonisht shmangen deri sa pyetje e sfida të reja t’i hedhin në plan të dytë. Disa nga këto pyetje qytetarët i shtrojnë vazhdimisht.
“Çështja e të zhdukurve, çështja e targave, e dokumenteve, e Asociacionit të komunave serbe”, i rendit Dushan Radakoviq nga Qendra për Zhvillimin e Kulturës Demokratike. Ai shton: “Të gjitha këto janë gjëra që kanë mundur të zgjidhen…”
Kanë mundur, por nuk pati mundësi. Sepse çdo mundësi e përshtatshme muajve të fundit është shfrytëzuar për fushatë, votim, numërim dhe rishqyrtim të vendimeve të veta dhe të të tjerëve.
“Me siguri mosformimi i qeverisë u shfrytëzua si një justifikim i mirë”, thotë Millosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane. “Në thelb”, shton ai, “kjo është shmangie e obligimeve”.
Disa obligime të tjera janë imponuar vetvetiu. Për to është votuar edhe atëherë kur nuk ka pasur arsye, e nganjëherë as bazë juridike. Për pyetjet që kanë ngritur ato vendime do të përgjigjet më vonë.
“Të gjitha ato vendime që nuk kanë qenë më herët të përcaktuara në planin vjetor apo në buxhetin vjetor, të gjitha mund të konsiderohen jolegale”, thotë Aleksandar Shluka nga Nisma e Re Shoqërore.
A do të anulohen apo jo, do të vlerësojnë ata që do të kenë mundësinë, pra mjaftueshëm mbështetje. Një verifikim i tillë mbështetjeje na pret javën e ardhshme.
“Ndoshta tani disa do të mendojnë se është më mirë të votohet për një qeveri pakice, për propozimin e Konjufcës, sepse atë mund ta rrëzojnë lehtë. Sesa të kenë sërish qeverinë e Kurtit të cilën më pas nuk mund ta rrëzojnë kurrë”, shpjegon një nga mundësitë profesori Nexhmedin Spahiu.
Pavarësisht se pritjet e kujt do të rrëzohen, është e sigurt se javën e ardhshme, në vend të përfundimeve, do të hapim pyetje të reja.
0 komentet