Përmbledhja e javës 95
Në javën në të cilën priten njoftime dhe vendime të mëdha, do të thuhej se nuk ka kohë për lojë. Megjithatë, në mungesë zgjidhjesh, loja bëhet taktikë. Sa nivele ka, çfarë na pret në vijim dhe kush mund të fitojë në atë lojë, do ta dimë në javët e ardhshme.
Lojë me publikun, me kundërshtarët politikë, me aleatët, e mbi të gjitha lojë me nervat. Edhe pse shumë nuk i dinë rregullat, e disa as që duan të marrin pjesë, këtë javë të gjithë ishin në lojë.
“Nuk besoj se kandidate do të jetë Vjosa Osmani, por në Kosovë kurrë nuk i dihet”, komenton të panjohurat rreth kandidatit presidencial analisti Aleksandar Rapajiq.
“Gjithçka mund të ndodhë. Por kjo do të jetë përgjigjja kryesore në pyetjen nëse Osmani dhe Albin Kurti janë në të njëjtën vijë”, thotë Rapajiq.
Edhe emra të tjerë janë në lojë. Një lojë pa kufij dhe për momentin me qëllim të paqartë.
“Edhe më herët ka pasur ide që dikush nga familja Jashari mund të bëhej president i Kosovës, por anëtarët e asaj familjeje gjithmonë kanë refuzuar. Ata nuk kanë dashur të përfshihen në politikën ditore në nivel qendror”, thotë politologu Ognjen Gogiq.
Ndërsa rregullat ndonjëherë përcaktohen në negociata të drejtpërdrejta, ndonjëherë në nivel qendror, shumë shpesh në Kosovë ato i caktojnë publiku dhe tifozët. Kështu, eksperti i sigurisë Nikolla Vujinoviq vlerëson se për shumëçka do të vendosë Uashingtoni.
“Ata dërgojnë mesazh se Vjosa Osmani është bashkëbiseduesja e tyre, ndërsa Kurti nuk është bashkëbiseduesi i tyre. Dhe heshtja e tij bëhet edhe më e zëshme”, vlerëson Vujinoviq.
Kur në lojë futet paraja, dhe ajo evropiane, ngjarja bëhet edhe më e ndërlikuar. E kur paraja bëhet karotë, atëherë edhe rregullat edhe qëllimet i interpreton secili në mënyrën e vet. Vetëm për të shmangur shkopin.
“Me Bashkimin Evropian disa herë jemi befasuar nga kërkesa të ndryshme”, kujton disa lojëra të mëparshme Agim Shahini nga Shoqata e Biznesit të Kosovës. “Nuk e dimë nëse do të ndodhë apo jo, por mund edhe të ndodhë”, shton Shahini.
Mund të jetë, por edhe nuk do të thotë domosdoshmërisht. Është i vetmi rregull që në Kosovë vlen gjithmonë. Në jetën e përditshme, në politikë, në drejtësi. Kështu, provat edhe kur hidhen poshtë, mund të vazhdojnë të vlejnë.
“Kjo aktgjykim është absurd, edhe më absurd se ai i mëparshmi, edhe pse duken të njëjtë”, përpiqet t’ia shpjegojë publikut aktgjykimin e përsëritur ndaj Dushko Arsiq avokati i tij Nebojsha Vllajiq.
Të hutuar nga rregullat, qytetarët vazhdojnë lojën. Më rrallë si pjesëmarrës, më shpesh si vëzhgues që numërojnë pasojat dhe shenjat në dyert e thyera të shtëpive dhe kishave. Lojtarët kyç, ndërkohë, i vendosin vetes nivele të reja. Javën e ardhshme do të shohim nëse do t’i kalojnë.
0 komentet