Milkoviq: Prezantimi i prokurorisë ndaj katër sërbëve të akuzuar veçse për të argëtuar publikun, nga provat nuk ka asgjë
Avokatët Predrag Milkoviq dhe Ljubomir Pantoviq njëzëri thanë se provat e prokurorisë në rastin e të akuzuarit Millun Millenkoviqit Llunes, Dejan Pantiqit, Aleksandar Vllajiqit dhe Miomir Vakiqit, janë të pabazuara dhe se nuk e përforcojnë akuzën.
Avokat Predrag Milkoviq që përfaqëson Millun Millenkoviq gjatë paraqitjes së provave nga prokuroria, tha se ai prezantim mund të shërbejë vetëm për të argëtuar publikun, pasi prej provave nuk ka absolutisht asgjë.
“Prokurori special prezantoi një prezantim dhe besoj se kjo mund të shërbejë vetëm për të argëtuar publikun, sepse nuk ka absolutisht asgjë provë. Në ato foto dhe videopamje që na u publikuan, janë grupe njerëzish, fytyrat e të cilëve nuk mund të shikohen, ku nuk mund të identifikohen. Këtë prokurori vetë e lidhi, i bashkoi dhe i ngjiti së bashku, me qëllim që gjoja të provonte se Millun Millenkoviq është aty diku dhe se bëhet fjalë për diçka inkriminuese” tha Milkoviq.
Ky i fundit shtoi se insistuan t’u tregonin dy materiale prove çka deri më tani nuk është bërë. “Një provë materiale nuk e kemi marrë prej nisjes së gjykimit dhe kemi insistuar që këto prova të n’a tregohen në gjykim. Një prej tyre është se pretendohet që Milluni në një komunikim në vajber të ketë thënë se është kreu i brigadave të veriut ndërsa prej raportit të egzaminimit të telefonit të Millun Millenkoviqit, shikojmë se telefoni ishte bosh. Si mundet që prej telefonit bosh të merren komunikimet me vajber, këtë nuk e kam të qartë” ka thënë Milkoviq.
Avokat Ljubomir Pantoviq thekson se aktakuza nuk mbështetet tek provat.
"Kemi të bëjmë me një aktakuzë që është absolutisht e papranueshme dhe absolutisht e pambështetur nga asnjë provë. Gjithçka është në domenin e iluzionit dhe imagjinatës së prokurorisë, e cila me çdo çmim tenton që prej situatës në të cilën nuk ka prova, të bëjë situatë që të pandehurit janë fajtorë. Unë kam 30 vite në avokati, më besoni se edhe unë u çudita sesi kjo aktakuzë mundi të kalonte fazën e kontrollit të aktakuzës që i parapriu shqyrtimit gjyqësor. Aktakuza është absolutisht e papranueshme", ka thënë Pantoviq.
Gjyqi i sërbëve të akuzuar për terrorizëm pas pushimit, do të vijojë sot në orën 13:30.
0 komentet