Rrahet Mirosllav Guxhiq, sulmohet edhe një punonjëse e Qendrës Shëndetësore: Më rrahën pesë-gjashtë persona, më shanin nënën serbe

Miroslav Gudžić
Burim: Kosovo Online

Mirosllav Guxhiq nga Dobratini u rrah sot nga një grup sulmuesish të panjohur në Gushtericë e Poshtme, pas së cilës përfundoi në Qendrën Klinike-Spitalore në Prishtinë me seli të përkohshme në Graçanicë. Siç tregoi ai, në përpjekje për të shmangur incidentin, u strehua në ambientet e Qendrës Shëndetësore në Gushtericë e Poshtme, por ata hynë brenda dhe vazhduan ta rrahin, ndërsa gjatë këtij rasti u lëndua edhe një punonjëse e këtij institucioni shëndetësor, e cila u përpoq ta mbronte dhe gjithashtu u hospitalizua.


Guxhiq tha se incidenti ndodhi pasi në rrugën Dobratin-Gushtericë një veturë e tipit “Golf” parakaloi kolonën e automjeteve dhe për pak sa nuk e goditi.

“Sot, në orët e paradites, rreth orës 11, u nisa nga Dobratini drejt Gushtericës. Te varrezat e Dobratinit një veturë e bardhë me targa 01, mendoj se ishte një Golf 5, filloi të parakalonte disa automjete. I bëra dritë për ta paralajmëruar se mund të përplaseshim. Unë u ndala, ai kaloi pranë meje. Vazhdova rrugën drejt Gushtericës dhe te kryqëzimi, pranë marketit Premija, dikush më goditi veturën nga ana e pasme e djathtë. U ndala për të parë kush ishte dhe pashë tre të rinj shqiptarë. Disa komentonin nga vetura, nuk e dija kush ishin”, tha Guxhiq.

Më pas, sipas tij, atyre iu bashkua edhe vetura që kishte takuar më herët në rrugë dhe, siç thekson, ata ishin këmbëngulës për ta ndaluar.

“Në atë moment desha të vazhdoj rrugën dhe ta shmang gjithë situatën. U nisa më tej dhe vetura me të cilën u takova te varrezat e Dobratinit ma bllokoi rrugën. Disi arrita ta shmang atë bllokadë dhe u futa në rrugën drejt Qendrës Shëndetësore, me shpresën se do të hiqnin dorë. Ata vazhduan të më ndjekin. Mendoj se ishin tri vetura, nuk jam i sigurt, por në një moment në pasqyrë pashë tri automjete. E para ishte Opel Corsa, pastaj një Golf i bardhë dhe një Golf i zi”, deklaroi ai.

Ai shpjegoi se u përpoq të strehohej në ambientet e Qendrës Shëndetësore në Gushtericë e Poshtme, por ata hynë brenda, filluan ta rrahin dhe e tërhoqën jashtë. Në përpjekje për ta mbrojtur, lëndime pësoi edhe një punonjëse e këtij institucioni.

“E pashë se donin konflikt, tentova të hyj në oborrin e Qendrës Shëndëtësore në Gushtericë e Poshtme, por sërish ma bllokuan rrugën. Arrita disi te ndërtesa administrative, dola nga vetura dhe hyra në një zyrë për t’u strehuar. Ata, pesë apo gjashtë vetë, erdhën pas meje. Hynë në zyrë dhe aty filluan të më godasin, të më tërheqin për të më nxjerrë jashtë. Aty ishte një punonjëse apo infermiere që u përpoq të më mbrojë dhe edhe atë e sulmuan. Mund ta imagjinoni, gruaja vetëm po përpiqej të më mbronte. Pastaj më nxorën jashtë dhe më rrahën”, theksoi Guxhiq.

Sipas tij, ai nuk i njeh sulmuesit dhe beson se motivi i vetëm i sulmit është fakti që është serb dhe se drejton një veturë me targa serbe.

“Nuk e di kush janë ata njerëz. Nuk e di motivin e sulmit. Unë nuk i kam provokuar, nuk kam rrezikuar askënd, as nuk i kam bërë keq askujt. I vetmi motiv është që jam serb dhe që vozis veturë me targa të Nishit. Nuk shoh motiv tjetër pse do të më sulmonin”, tha ai.

Ai shtoi se gjatë rrahjes e kanë kërcënuar dhe sharë.

“Ma shanin nënën serbe, më kërcënonin se do të më gjenin kudo dhe më shanin gjatë gjithë kohës. Bërtisnin, ulërinin, kurrë në jetën time nuk kam parë aq shumë urrejtje dhe egërsi në sytë e njerëzve. Sytë e tyre ishin monstruozë”, tregoi Guxhiq.

Rasti është raportuar në polici, e cila në spital mori deklaratë nga Mirosllavi.

“I kërkova punonjësve të Qendrës Shëndetësore të thërrasin menjëherë policinë. Policia erdhi këtu, dhashë deklaratë. Rasti është hapur dhe më thanë të paraqitem për të dhënë një deklaratë të detajuar në stacionin policor në Graçanicë”, shtoi ai.

Siç theksoi, përveç lëndimeve trupore, është goditur edhe shpirtërisht, por gjithashtu nënvizoi se nuk ka frikë.

“Fizikisht – jam shumë keq, i lënduar. Psikologjikisht – gjithashtu shumë keq, i rrënuar shpirtërisht, por i fortë dhe nuk kam frikë prej tyre. Nuk kam frikë dhe as nëse takohemi përsëri”, tha Guxhiq.

Drejtori i Qendrës Klinike-Spitalore në Prishtinë me seli të përkohshme në Graçanicë, Bratisllav Llaziq, theksoi se gjendja shëndetësore e pacientëve është stabile, por vlerësimi i plotë i lëndimeve do të mund të bëhet vetëm pas diagnostikimit të plotë.

“Dy të lënduar janë pranuar sot në orën 12:20 në klinikën kirurgjike të QKS Prishtinë me seli në Graçanicë, me lëndime të marra gjatë një rrahjeje, sipas deklarimeve të tyre. Janë sjellë me autoambulancë, janë pranuar në klinikë dhe janë në proces të ekzaminimit dhe diagnostikimit të mëtejshëm. Aktualisht gjendja e tyre është stabile, por për detaje shtesë dhe për vlerësimin e peshës së lëndimeve mund të flasim vetëm pas përfundimit të diagnostikimit të plotë”, tha Llaziq.