Vlajiq: Serbit J.R. nga Zubin Potoku i është caktuar paraburgim prej 30 ditësh

Nebojša Vlajić
Burim: Kosovo Online

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh serbit J.R., i cili u arrestua dje në Zubin Potok, nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullsisë civile, konfirmoi avokati Nebojsha Vlajiq.

Vlajiq kujtoi se ky është arrestimi i tretë i lidhur me gërmimet në Kalludra e Vogël, në komunën e Zubin Potokut.

“Bëhet fjalë për edhe një rast arrestimi, të tretin nëse nuk gaboj, që lidhet me rastin e njohur si Kalludra e Vogël në komunën e Zubin Potokut, i lidhur me gërmimet dhe arrestimet që policia po kryen në atë fshat. Ashtu siç kam besuar deri më tani, e tani jam bindur plotësisht, prokurori publik nuk ka asnjë provë dhe bëhet fjalë për një arrestim që praktikisht është i paligjshëm. Megjithatë, në këtë fazë është shumë e vështirë të dëshmohet kjo. Me shumë gjasë do të pasojë gjykimi dhe vetëm pas tij do të shihet se për çfarë bëhet fjalë”, deklaroi Vlajiq pas seancës për caktimin e paraburgimit.

Sipas tij, policia po arreston njerëz në komunën e Zubin Potokut pa prova.

“Jam plotësisht i bindur se ata që e zhvillojnë procedurën besojnë se këto gërmime, nëse gjejnë diçka, nuk mund të kryhen pa arrestime. Prandaj po arrestojnë banorët e atij fshati, të cilët me siguri nuk do të jetonin aty po të ndiheshin fajtorë për diçka. Besoj se kjo do të provohet, por në këtë moment nuk ke kujt t’ia thuash këtë”, tha Vlajiq.

Prokuroria Speciale njoftoi dje se arrestimi i J.R. është rezultat i një pune intensive hetimore, e zhvilluar në bashkëpunim me hetuesit policorë, në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

Ndryshe, më 28 korrik në Zubin Potok u arrestuan edhe Momir Jakshiq dhe Milko Bishevac, nën dyshimin se kanë kryer krime lufte ndaj civilëve shqiptarë gjatë konfliktit të vitit 1999 në zonën e Mitrovicës. Më 29 korrik, ndaj tyre u caktua masa e paraburgimit prej një muaji.