Dy pamje të botës shqiptare-Edi Rama dhe Albin Kurti (6): Enis Sulstarova, Entoni Gidens i Kurtit

Enis Sulstarova i Aljbin Kurti
Burim: Nacionale

Shkruar për Kosovo onlajn: Dragan Biseniq, gazetar

Edi Rama modelin e vet e shikon tek Toni Bler dhe tek “rruga e tretë” e tij. Si ministër i Kulturës dhe Sporteve që nga viti 1998 në qeverinë e Fatos Nanos, Rama u bë menjëherë i njohur për ekstravagancën e tij në mënyra të ndryshme, përfshirë dhe stilin e veshjes së tij të veçantë shumëngjyrësh. Projektet e tij inovative kulturore, së bashku me veshjet e tij të pazakonta dhe stilin rebel politik, e ndihmuan atë të tërhiqte shumë mbështetje. Por ai nuk e ka Entoni Gidensin e vet që të përpunojë synimet politike dhe të ndërtojë platforma ideologjike. Në ndryshim nga ai, Kurti ka teknologun e vet politik i cili është njëkohësisht në rolin sociologjik të Gidensit dhe në formën makiaveliste të Alister Kembëllit. Kështu mund t’a përshkruajmë anëtarin e “Tirana Grup”, Enis Sulstarova.

Enis Sulstarova, të cilin Kurti e quan "mik dhe profesor" u lind në vitin 1978 në Tiranë dhe ka përfunduar studimet për sociologji dhe shkenca politike dhe master në administrim publik në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme në Ankara, ku edhe ka doktoruar. Ishte viti 2007 kur u përfshi në projektin e DCAF të Gjenevës në temën “Reforma e Policisë Kufitare në Republikën e Shqipërisë”.

Sulstarova në veprat e veta të shumta merret me konceptet e “orientalizmit” dhe “oksidentalizmit” mes shqiptarëve, historinë e identitetit shqiptar dhe idenë e nacionalizmit shqiptar, si dhe historinë intelektuale shqiptare. E gjithë kjo duket se ka një qëllim, që është formulimi i konceptit të krijimit dhe ruajtjes së nacionalizmit jetik dhe të qëndrueshëm shqiptar. Në të njëjtën kohë, Sulstarova ka rezerva të mëdha për "perëndimizimin" e pakushtëzuar dhe refuzimin shoqërues të trashëgimisë osmane dhe turke në historinë kulturore shqiptare.

Ai thekson se shqiptarët në Shqipëri ndonëse në përgjithësi simpatizonin luftën e të afërmve të tyre etnikë në Kosovë dhe Maqedoni, nuk e mbështetën aktivisht idenë e krijimit të një entiteti të vetëm politik gjatë pjesës më të madhe të viteve ‘90 dhe ‘00, sepse ishin të zënë me çështjet e brendshme. Ideologjia dhe mitet nacionaliste të krijuara në shtetin shqiptar gjatë pjesës më të madhe të shekullit të XX, patën ndikimin më të madh tek shqiptarët jashtë kufijve. Për krijimin e kombit, shtetit dhe nacionalizmit shqiptar, ishin të rëndësishme tre periudha të zgjimit kombëtar, komunizmi dhe postkomunisti. Secila prej këtyre periudhave ishte shkëputje me të shkuarën dhe një fillim i ri për Shqipërinë dhe shqiptarët, në kuptimin që identitetet e vjetra u thyen dhe u shndërruan në të reja.

Nacionalistët nga periudha e zgjimit kombëtar territorin e çmuan si komponent të rëndësishëm të nacionalizmit shqiptar. Shqipëria Etnike përkufizohet si territori mes qytetit të Gostivarit në veriperëndim, qytetit të Mitrovicës në veri, Shkupit dhe Manastirit në lindje, Gjirit të Artës në jug dhe detit Adriatik dhe Jon në perëndim. Këto territore përafërsisht korrespondonin me kufijtë e jashtëm administrativ të katër vilajeteve osmane: Shkodrës, Kosovës, Manastirit dhe Janinës. Kjo është arsyeja që nacionalistët shqiptarë kërkuan bashkimin e katër vilajeteve në një të vetëm. Kufijtë administrativë të kësaj njësie mund të shndërroheshin me kalimin e kohës në politike, gjë që do t’a bënte Shqipërinë fillimisht autonome e më pas të pavarur. Ish nacionalisti i shquar shqiptar Pashko Vasa, shkruante se "është shumë e rëndësishme që Shqipëria të bashkohet në një vilajet, t'i jepet një administratë e thjeshtë, kompakte dhe e fortë, që popullsia vendase të marrë pjesë në administratën publike".

Sulstarova, megjithatë, jep tablo jo të plotë të Shqipërisë komuniste, duke theksuar se ajo nuk u “kujdes” për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Kjo nuk mund të thuhej për Enver Hoxhën, i cili kishte vetëdije të fortë për unitetin e të gjithë shqiptarëve dhe posaçërisht e theksonte pozitën e shqiptarëve në Kosovë dhe nuk e injoronte fare. Me gjithë komunizmin e tij në formën e vet më dogmatike, Enver Hoxha nuk dyshoi në idenë kombëtare mbarëshqiptare dhe në realizimin e programit të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Siç kemi bërë të ditur së fundmi, Hoxha bënte edhe plane ushtarake për të pushtuar Jugosllavinë sesi të aneksonte Kosovën në Shqipëri.

Sulstarova në veprat e tij kritikon veçanërisht shkrimtarin më të madh shqiptar, Ismail Kadarenë. Nisur nga fakti se në Shqipërinë e Enver Hoxhës, detyra e letërsisë ishte të vepronte në drejtim të krijimit të një “njeriu të ri shqiptar” dhe të tregonte sesi shqiptarët luftonin në krah të qytetërimit dhe përparimit europian, u miratua në klishenë europiane për “barbarët e tjerë”. Të parët ishin turqit në përputhje me imazhin e orientalizmit europian e më pas vendin e tyre në romanet e Kadaresë e zurën rusët e kinezët, pasi ashtu-kështu regjimi ishte i zhgënjyer prej tyre. Interesant është këndvështrimi i Kadaresë në momentin kur fillon “azianizimi” i Shqipërisë dhe i Gadishullit Ballkanik. Kjo është Beteja e Kosovës e vitit 1389 për të cilën Kadare shkruan si disfatë të koalicionit të krishterë nga osmanët: “Mjerisht, Ballkani u ngrit si Europa dhe ra në gjumë si Azia”.

Sulstarova është kritikues i neglizhencës së historisë dhe traditës “orientale” të shqiptarëve, veçanërisht asaj që lidhet me periudhën osmane. Kështu, ai nuk i respekton shumë ikonat shqiptare, e mes tyre as shkrimtarin më të njohur shqiptar, fituesin e çmimit Booker, Ismail Kadare. Në librin e vet “Arratisja prej Lindjes”, Sulstarova shpjegon sesi nacionalizmi shqiptar qysh prej shekullit XIX e në vazhdim kishte “karakter islamofobik”, i cili pasqyrohet shpesh në veprat e Kadaresë. “Romanet e Kadaresë regjistrojnë ndryshime të mëdha politike në historinë shqiptare”, shkruan Sulstarova. “Orientalizmi i tij dhe mënyra se si ai e shtrin islamofobinë e tij nacionaliste në të gjitha format e tjera të ksenofobisë, është i pabesueshëm dhe shqetësues”, paralajmëron ai.

Shkrimtari dhe analisti politik Fatos Lubonja, ka shkruar se “na është bërë normale t’i referohemi Kadaresë, pa e vënë re se ai shpreh qëndrime raciste në librat e tij dhe jo vetëm ndaj popullit kinez”. Sipas mendimit të Lubonjës, Kadare në romanet e veta vazhdimisht shkruan për “rracën” shqiptare dhe marrëdhëniet e saj konfliktuale me vendet fqinje. Në librin e tij të vitit 1990, “Ftesë në studio”, Kadare e krahason gjuhën shqipe me një zonjë elegante dhe sërbishten me një shërbëtore ballkano-egjiptiane, pohon Lubonja.

Antropologia nga Tirana Armanda Kodra gjithashtu ka gjetur elemente raciste në veprat e Kadaresë. “Romanet e Kadaresë karakterizohen nga një orientim i fortë etnocentrik, ai ka qëndrim fanatik ndaj pastërtisë kombëtare shqiptare, duke u përpjekur të dëshmojë se shqiptarët nuk kanë lidhje me fqinjët ballkanikë dhe as me orjentim fetar siç është Islami”, thotë Kodra.

“Në një nga librat e tij të fundit ai flet për racën e bardhë shqiptare, për gjakun e pastër shqiptar dhe thotë se pushtuesit e huaj si turqit sollën kulturën e tyre në Shqipëri për të shembur kulturën e saj origjinale autoktone”, shton Kodra. Madje historiani Artan Puto shkon një hap më tej. “Kadare është monument i urrejtjes raciste në kulturën shqiptare”, pohon ai.

Kadare hedh poshtë të gjitha kritikat, duke thënë se ata që e akuzojnë për racizëm janë të gabuar ose nuk i kanë lexuar veprat e tij siç duhet. Lubonjën e quajti “shkrimtar ziliqar” dhe e akuzoi se i kishte nxjerrë fjalët nga konteksti origjinal. “Nuk do t’a quaj këtë patologji antishqiptare më të bukur sesa emrin e murtajës” shton ai.

Sulstarova thotë se koncepti i “neoshqiptarizmit” i shkrimtarit të harruar Branko Merxhani i cili po rehabilitohet në kohët moderne, duhet parë sot edhe si prirje kombëtare dhe “perëndimore”, që përveç Merxhanit dhe Vangjel Koçës, duhet të përfshijë edhe Konicën, intelektualë të klerit katolik, shumë prej të cilëve u detyrohen rrënjëve turke.

Sulstarova paralajmëron se “jo-shqiptaria” e Merxhanit nuk ishte sistem mendimi plotësisht autentik, por i huazuar kryesisht nga ideologjia e “turqizmit” të mendimtarit turk Zija Gekalpi (1876-1924). Gekalpi krijoi sistem ideologjik që do të orientonte dhe drejtonte ndërtimin e kombit turk dhe modernizimin e shoqërisë turke, sistem që do të kishte ndikim në politikat e ndjekura nga Ataturku. Duket se Merxhani kishte të njëjtën ambicie: t’a bënte “neoshqiptarizmin” një udhërrëfyes intelektual për mbretin Zog dhe rininë shqiptare.

Sulstarova pranon afirmativisht qëndrimin e Gekalpit se “një komb me ideale nuk vdes kurrë, sepse edhe kur dobësohet ripërtërihet nga impulsi jetësor që i jep ideali” që është huazuar nga Henri Bergson. Pasioni i jetës mishërohet tek njerëzit e mëdhenj, apo tek gjenitë. Këta janë njerëzit që me fuqinë e frymëzimit nga kultura kombëtare shndërrohen në liderë në momente vendimtare: “Gjeniu është njeriu që me dëshirë e kthen shpirtin në një sipërfaqe reflektuese të fuqisë së fshehur e krijuese të kombit”. Egzistojnë kriza, por nuk mund të vazhdojnë pa ndërprerje. Pas kalimit të krizës, idealet nuk zhduken, por ruhen përmes simboleve kombëtare dhe kujtesës së shekujve heroikë. Vitaliteti është thelbësor në projektin e “neoshqiptarizmit” për të krijuar kombin shqiptar në mungesë të traditës shtetërore apo nacionaliste.

Merxhani teorinë e evolucionit e quan burim fatalizmi, pesimizmi dhe dëshpërimi dhe u bën thirrje të rinjve të "kërcejnë prej shpëtimit" dhe t'u drejtohen mësimeve të Bergsonit si frymëzim për punën e tyre krijuese kombëtare.

Në esenë e botuar në vitin 2002, Sulstarova u ankua se "neo-shqiptarizmi" mbeti "model i braktisur" i politikanëve dhe intelektualëve shqiptarë që nuk arritën të krijonin "lëvizje autentike mentale" që do t’a orientonte shoqërinë shqiptare drejt demokracisë dhe integrimit në BE.

Me rastin e përvjetorit të “shtetësisë” kosovare, Sulstarova vuri në dukje se Kosova kishte bërë shumë kompromise, duke përmendur flamurin të cilin e quajti “rreckë”, si dhe himnin të cilin e quajti “pa fjalë”. Nga Kosova nuk mund të kërkohet më kompromis se ky.

Nesër: Po mbërrin konflikti romantik revolucionar dhe inovativ i rebelit.