Gjokoviq dhe Jokiq: Heronjtë e kohës sonë
Shkruar për Kosovo onlajn: Sërgjan Garçeviq, themelues i The Nutshell Times
Në fillim të viteve ’90 në Sërbi fëmijët e lindur në fund të viteve ’80 prindërit e tyre masivisht i nxisnin të merreshin me dy sporte: tenis dhe basketboll.
Si për njërën dhe për tjetrin sport, kontribuoi suksesi i sportistëve jugosllavë-Sllobodan Zhivojinoviq, Goran Ivanisheviq, Monika Sellesh, Vlade Divac, Drazhen Petroviq-si dhe fakti që kemi një popullsi ndër më të gjatat në botë.
Të dy sportet besoheshin se ishin opsione të mira për karrierë, veçanërisht pasi vendi vuajti shumë prej sanksioneve. Këto ishin “karta” për fakultete dhe bursa të mira jashtë vendit e më pas për disa fëmijë vërtet të talentuar, punëtorë dhe me fat, me pasuri dhe famë të jashtëzakonshme. Ndonëse prindërit tanë ishin të vetëdijshëm se karriera e suksesshme sportive profesionale ishte bast i rrezikshëm dhe shpesh ishte relativisht i shtrenjtë duke pasur parasysh pagat e dobëta, vepruan në mënyrë të arsyeshme në kohë kur profesionistët në Sërbi fitonin rreth 100 dollarë në muaj dhe pasuritë e tyre ishin në rrezik të vazhdueshëm ndaj inflacionit apo luftës.
Si djali i vetëm i një ish-teniserit me perspektivë dhe i basketbollit i cili vendosi të kthehej në punë zyre (dhe u pendua për zgjedhjen), ditët e mia para adoleshencës ishin të mbushura me përpjekje të ndryshme që unë të bëhesha yll sporti. Ndonëse mungesa ime e koordinimit të syve dhe duarve dhe mungesa e interesit për aktivitetin fizik i bëri të ditur babait tim se unë kurrë nuk do të isha Divaci apo Ivanisheviq-i i ri, shpesh e gjeja veten të rrethuar nga djem dhe vajza, më saktë-familjet e tyre, të cilët investuan shumë për t'i bërë ata "të kenë sukses" në botën e sportit. Atëherë nëpër dhomat e zhveshjes dhe kafenetë e pista në qendrat sportive flitej për borxhet që do të shlyheshin pas një burse apo sponsorizimi dhe sa fantastike do të ishte karriera e këtyre fëmijëve.
Ndonëse vetë në fund me nervozizëm u largova prej sportit, sërish u takova me këtë grup kur po aplikoja për të studiuar jashtë vendit. Shkollat përgatitore të Beogradit për Testin e Aftësisë Shkollore dhe qendrat e aplikimit për fakultetet në SHBA ishin plot me këta të rinj, familjet e të cilëve ende i shihnin ato, si prindër të ardhshëm birësues. Për fat mjaft prej tyre "i’a dolën", fituan bursat në kolegjet amerikane dhe filluan karriera të mira-disa si sportistë, disa si trajnerë dhe disa u zhvendosën në banka, këshillim dhe punë të tjera zyre, duke përdorur disiplinën dhe vullnetin e tyre sportive të fituar me vështirësi. Disa prej tyre u kthyen në Sërbi, duke sjellë përvojën dhe kapitalin që arritën të grumbullonin.
E panevojshme të thuhet se ishte udhë e vështirë. Këta të rinj dhe të reja punuan shumë gjatë rinisë së tyre sesi të përmbushnin jo vetëm ambiciet e tyre, por edhe për t'u siguruar që prindërit, vëllezërit e motrat e tyre të mund të përballonin jetë të denjë. Rrjeti i tyre i sigurisë ishte shpesh inegzistent, i shkatërruar nga frikëra të ndryshme që goditën Sërbinë dhe popullin e vet.
Megjithë edukimin e tyre të vështirë, shumë e ndjenë nevojën të ngrihen për Sërbinë, vendin që, në të mirë apo në të keq, i formoi ata në luftëtarë të përjetshëm.
I vetmi kujtim i krenarisë kombëtare gjatë rritjes në Sërbi, janë sukseset tona sportive. Të gjithë e kujtojnë kur ekipi ynë i basketbollit fitoi medaljen e artë në Kampionatin Europian në vitin 1995 i pari pas ndalimit të të gjithë sportistëve tanë për të marrë pjesë në garat sportive. Fitimi i Kampionatit Botëror të FIBA në vitin 2002 në Indianapolis erdhi si katarsis pas humbjeve tona politike.
Ishim krenarë për historitë e dhimbshme të jetës së idhujve tanë, si Predrag Stojakoviq-refugjat nga Kroacia që pati sukses në ligën e NBA e gjithashtu mbrojti ngjyrat tona kombëtare. Mbaj mend që shumë prej nesh qëndruam gjithë natën zgjuar për të parë nëse ai dhe Vllade Divac në një moment do të realizonin ëndrrën tonë dhe do të çonin Sakramento Kings në finalen e NBA, gjë që, për zhgënjimin tonë, ata nuk e bënë kurrë.
Sukseset e tyre ishin gjithashtu e vetmja mënyrë në të cilën ne mund t'i shihnim "djemtë tanë" duke bërë mirë në botë, pavarësisht imazhit paksa të ndërlikuar të vendit tonë.
Ishim të vetëdijshëm se përpjekjet e hapura të sportistëve tanë për t'i treguar botës përvojat e tyre për vështirësitë që na ndodhën ishin mjaft të kushtueshme kështu që mjaftoi që ishim mirë DHE treguam se mund të fitonim akoma. Famëkeqësisht ylli ynë i notit Millorad Çaviq u pezullua nga gara në vitin 2008 thjesht sepse donte të pranonte një medalje të veshur me një bluzë ku shkruhej "Kosova është Sërbi"-diçka që kushtetuta jonë dhe shumica e anëtarëve të OKB e konsiderojnë një fakt të thjeshtë.
E më pas në fillim të viteve 2010, mbërriti Novak Gjokoviq më i madhi i brezit tim, vetë mishërimi i betejave dhe ambicieve tona, mishërimi jo vetëm i sportit, por edhe i madhështisë njerëzore.
Këmbëngulja e tij si në fushë ashtu edhe në luftën për atë që ai mendon se është e drejtë, rëndoi jetën e vet në botë që ka filluar t'i japë përparësi konformitetit mbi cilësinë objektive, por na ka dhënë pamje të madhështisë së vërtetë. Në të vërtetë, ai na tregoi se vetëm kur je i vërtetë me veten dhe në kontakt me rrënjët e tua, mund të arrish vërtet diçka domethënëse, madje edhe në kulturën tonë gjithnjë e më të ngjashme me stilin Harison Berzheron ku pandalshmërisht propogandojnë standarte të çuditshme dhe bizarre.
Disa vite më vonë Nikolla Jokiq ripërcaktoi se si mund të luhet basketbolli në mënyrën e vet. Përmbushi ëndrrat tona të fëmijërisë për një ekip të udhëhequr nga sërbi të fitonte NBA (fatkeqësisht jemi ende duke pritur që përfaqësuesja jonë të kthehet në majat në vitet e hershme 2000). Gjithashtu afirmoi imazhin e sërbit autentik argëtues, i cili nuk e merr veten shumë seriozisht, por është thellësisht i përkushtuar ndaj familjes, komunitetit dhe sportit më shumë sesa vlerësimeve dhe sponsorizimeve.
Fakti që të dy tani po dominojnë sportet e tyre, është dëshmi e kohëve të vështira që kemi kaluar. Duket se, vërtet, kohët e vështira krijojnë njerëz të fortë e duke pasur parasysh se bota po rrëshket në ujëra gjithnjë e më të rrezikshme, Gjokoviq dhe Jokiq duhet të jenë fener madhështie për mbarë botën.
Për më shumë se tridhjetë vjet, vazhdon të më trazojë stomaku prej erës së fortë të djersës dhe mykut në qendrat e pista sportive të Sërbisë së viteve nëntëdhjetë dhe nuk mund të mos ndihem krenar për burrat dhe gratë që arritën të ngulmojnë në të tilla kushte e të shndërrohen me të vërtetë madhështorë.
0 komentet