Kosova sërish në radarin global të KB dhe NATO

Dragan Bisenić
Burim: Kosovo Online

Shkruar për Kosovo onlajn: Dragan Biseniq, gazetar

Pas krizës dymujore në veri, Kosova sërish gjendet në rendin e ditës të forumeve të mëdha botërore. Këtë javë NATO caktoi kohë për të verifikuar qëndrimet e veta në Samitin e Vilniusit ndërkohë që në rrugë është kërkesa e Sërbisë për të diskutuar Kosovën në seancë të veçantë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kthimi i Kosovës në skenën globale dhe radarët e mëdhenj botërorë, tregon se kjo çështje ndonëse pas gati çerek shekulli, është ende larg zgjidhjes së pranueshme, parimore dhe të qëndrueshme që do të bazohet në respektimin e së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti i Sërbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se më 6 korrik do të kërkojë bisedë me shefin e NATO Jens Stoltenberg, pas samitit në Vilnius, por edhe se Sërbia do të kërkojë seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit për Kosovën. Presidenti Vuçiq theksoi se beson se është e nevojshme të mbahet seancë e veçantë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në mënyrë që i gjithë opinioni botëror të vihet në dijeni rreth tensioneve në Kosovë e Metohi dhe gjendjen e rëndë të sërbëve të atjeshëm.

Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka bërë të ditur se nëse do të ndodhë kjo, në seancë do të marrë pjesë edhe presidenti i Sërbisë Aleksandar Vuçiq. “Kjo është tema më aktuale momentale, sepse në K&M praktikisht po ndodh terror ndaj popullit tonë”. Qeveria e Prishtinës nuk respekton asnjë rezolutë, as 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, as Marrëveshjen e Brukselit, nuk respekton as planet për de-eskalim të cilat i kanë sjellë ndërmjetësit”, tha Daçiq.

Këshilli i Sigurimit dhe NATO në këtë rast, mbështeten në ide të ndryshme për Kosovën dhe për këtë, rezultatet e pritshme të këtyre dy veprimeve janë të ndryshme, ndonëse ato do të duhej të harmonizoheshin me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Bashkimi Europian dhe SHBA, së bashku me NATO, janë palët që e konsiderojnë të nevojshme përfundimin e shtetësisë së Kosovës dhe hyrjen e saj në KB me lejen e Sërbisë, ndërsa rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të KB thotë diçka tjetër dhe afirmon unitetin territorial dhe integritetin e Sërbisë.

Në rast se Këshilli i Sigurimit do të kalojë ndonjë vendim, nevojitet që të votojnë pro, gjysma e këtij organi prej 15 anëtarësh dhe asnjë nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të mos vendosë veton ndaj vendimit të propozuar. Kur bëhet fjalë për vendosjen e rendit të ditës, vendimi merret në seancë, pas propozimit për përfshirjen e temës së caktuar në diskutim. Që të diskutohet mjafton që t’a votojnë 9 anëtarë të Këshillit të Sigurimit. Në përbërjen e Këshillit të Sigurimit përveç pesë anëtarëve të përhershëm, janë edhe Shqipëria, Brazili, Ekuadori, Gaboni, Gana, Japonia, Malta, Mozambiku, Zvicra dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Dhjetë e kanë njohur Kosovën (SHBA, Britania e Madhe, Franca, Shqipëria, Gaboni, Japonia, Malta, Zvicra, EBA dhe Gana), ndërsa nuk e njohin pesë shtete anëtare të KS-Rusia, Kina, Brazili, Ekuadori dhe Mozambiku. Kjo në vetvete do të kërkojë përgatitje të madhe dhe serioze, pasi nuk do të jetë as e lehtë dhe as e thjeshtë për vendet që e njohin Kosovën të bëjnë diçka që mund të mos jetë në favor të forcimit të shtetësisë së saj. Nuk është e pamundur që iniciativa të ketë sukses dhe në seancën e posaçme të Këshillit të Sigurimit të diskutohet realisht situata aktuale në Kosovë, që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm diplomatik ku do të mund të tregonte më qartë se cila rrugë të çon në zgjidhje të pranueshme të çështjes kosovare, rruga e imponimit të zgjidhjeve të njëanshme dhe të pjesshme që në një afat të gjatë do të jetë afati për destabilizimin e situatës në rajon dhe në Europë, apo respektimi i së drejtës ndërkombëtare që do të zvogëlojë shanset për konflikte dhe konfrontime?

Si pasojë e luftës në Ukrainë, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca janë në konfrontim me Rusinë dhe Kinën deri në vijën fundore kufitare dhe është jo-reale të mendohet se ata do të arrijnë unitet për çështjen e Kosovës, për të cilën qysh prej vitit 1999 janë thellësisht të ndarë sipas reflekseve të precedentëve të Kosovës në rastin e situatës së sotme ukrainase. Ajo që mund të arrijë Sërbia me mbajtjen e seancës së veçantë të Këshillit të Sigurimit, është informimi më i plotë dhe më i themeltë i anëtarëve të organizatës botërore rreth çështjes për të cilën Kombet e Bashkuara janë direkt kompetente. Në këtë moment kjo nuk është pak, veçanërisht kur prej Sërbisë kërkohet që në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, t’a “lëshojnë” këtë të fundit për t’u anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, por nuk është as e pamundur.

Diskutimet e rregullta për Kosovën në Këshillin e Sigurimit mbahen çdo 6 muaj, pas ritmit paraprak tre mujor të diskutimeve. Madje ka pasur propozime për anulimin e diskutimeve në KS të KB, sepse gjoja nuk ka arsye për to, sepse situata e sigurisë është përmirësuar mjaft e kështu që nuk ka asgjë për të diskutuar. Hera e fundit diskutimi i rregullt në Këshillin e Sigurimit është mbajtur në fund të prillit.

Presidenti i Sërbisë njëkohësisht është takuar me ambasadorët e Kinës dhe Rusisë të cilët i ka informuar rreth kërcënimeve ndaj sërbëve në Kosovë e Metohi dhe situatën delikate të sigurisë, e cila kërcënon stabilitetin e mbarë rajonit.

Në çdo rast nga ana e përfaqësuesve diplomatikë të SHBA, prej senatorëve të cilët së fundi kanë qenë në rajon, janë dëgjuar paralajmërime se nuk do të lejojnë të ketë kriza e vazhdueshme në Kosovë për t’u kthyer në konflikt më të gjerë. Si pasojë e kësaj me ndjeshmëri të veçantë vështrohet angazhimi i forcave ushtarake dhe policore, njësive speciale të Policisë Kosovare në veri të Kosovës dhe vendosja e forcave shtesë ushtarake të Sërbisë pranë vijës administrative me të. E gjithë kjo tregon se NATO beson me të vërtetë se po shkohet drejt konfliktit serioz dhe për këtë arsye, bën thirrje për "de-eskalim" dhe kthim në procesin politik dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit.

NATO në Vilnius në shqyrtimin e zhvillimeve të fundit në Kosovë, u nis nga qasje më e gjerë në të cilën u theksuan qartë marrëdhëniet me Sërbinë, si dhe pritshmëritë se ato do të forcoheshin dhe të jenë edhe më shumë konstruktive. Në pikat 77 dhe 78 të deklaratës së përbashkët, që kanë të bëjnë me Sërbinë dhe Kosovën, ndodhen mesazhe që janë jashtë shprehjeve të zakonshme shabllone dhe që tregojnë gatishmërinë dhe dëshirën e NATO për bashkëpunim më të madh dhe më domethënës me Sërbinë. Kështu që NATO fton Beogradin dhe Prishtinën në de-eskalim urgjent, kthim tek dialogu dhe zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit. Siç bën të ditur NATO, forcimi i marrëdhënieve NATO-Sërbi, do të ishte i dobishëm për Aleancën, Sërbinë dhe mbarë rajonin. Duke ditur se për suksesin e veprimeve të KFOR dhe NATO rëndësi të madhe ka perceptimi i tyre në opinion, në këtë kuptim veçanërisht përmendet Sërbia prej të cilës pritet "angazhim konstruktiv me NATO" ku përfshihen edhe "komunikimet publike", pra përfaqësimi i NATO në sferën publike. Interesante dhe veçanërisht politikisht domethënëse është se në komunikatën e NATO përmendet edhe Rezoluta 1244 e KS të KB. 

"Presim prej Sërbisë që në mënyrë konstruktive të angazhohet me NATO-n dhe fqinjët e saj, përfshirë edhe komunikimet e veta publike rreth bashkëpunimit dypalësh mes NATO-s dhe Sërbisë" shkruhet në pikën 77 e cila është pjesë e komunikatës së miratuar.

Siç thuhet në këtë të fundit, anëtarët e NATO-s përshëndesin dialogun nën mbështetjen e BE dhe përpjekjet e tjera që çojnë në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe u bëjnë thirrje palëve të shfrytëzojnë momentin dhe të angazhohen me mirëbesim të miratojnë zgjidhje të qëndrueshme politike.

"Ftojmë të dy palët që menjëherë të shkojnë drejt de-eskalimit, të kthehen tek dialogu dhe të angazhohen konstruktivisht për zbatimin e marrëveshjeve për rrugën drejt normalizimit mes Beogradit dhe Prishtinës të cilat më herët janë nënshkruar në Bruksel dhe Ohër" thuhet në document.

Në pikën 78 thuhet se mbeten të përkushtuar për angazhimin e vazhdueshëm të NATO në të ashtuquajturën Kosovë, përmes misionit të KFOR udhëhequr nga NATO.

“KFOR-i do të vazhdojë të sigurojë mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në Kosovë në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të KB” thuhet në komunikatë.

Siç shkruhet, veprimet eskaluese të fundit janë të papranueshme dhe dënohet dhuna në të ashtuquajturën veriun e Kosovës, si dhe, siç thanë ata, sulmet e paprovokuara në të cilat ushtarët e NATO pësuan lëndime të rënda. NATO ka vërejtur gjithashtu se situata në Kosovë po kalon nga kriza në krizë, çka është një nga arsyet që rritja e forcave pasohet në përputhje me kushtet në terren dhe jo si zakonisht në përputhje me intervalet e paracaktuara kohore.

"Kemi rritur praninë e trupave të KFOR për t'iu përgjigjur tensioneve të përsëritura. Të gjitha ndryshimet në numrin e forcave të KFOR, do të mbeten në bazë të kushteve dhe jo kalendarike" thuhej në dokument. Gjatë Samitit, shefi i aleancës së NATO, Jens Stoltenberg, tha se NATO është e gatshme të dërgojë më shumë trupa në Kosovë, për të qetësuar dhunën në veri. Ai shtoi se 700 ushtarët e parë tashmë janë rrugës për në Kosovë. NATO ka vendosur të rrisë misionin e saj prej 4000 ushtarësh në Kosovë me 700 ushtarë shtesë.

Kjo është ajo që Stoltenberg përndryshe fliste gjatë krizës së fundit. Ai njoftoi se NATO do të qëndrojë vigjilente dhe do të sigurojë mjedis të sigurt, qetësi dhe pakësim të tensioneve. “NATO duhet të sigurojë sigurinë dhe stabilitetin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Ushtrojmë mandatin tonë në mënyrë të paanshme” tha Stoltenberg.

Ky i fundit konfirmoi në Vilnius gatishmërinë që së shpejti të takohet me Presidentin e Sërbisë dhe të diskutojë rreth Kosovës, por gjithashtu zbuloi se është në kontakt të rregullt me ​​të. “Me presidentin Vuçiq jam në kontakt të rregullt dhe natyrisht, jam gati të takohem” konfirmoi Stoltenberg në prag të samitit në Vilnius.

Kur u pyet nga gazetarët nëse dërgimi i 700 trupave shtesë të NATO në Kosovë dhe mbajtja e batalioneve në gatishmëri në rast nevoje do të thotë se Aleanca pret që trazirat mund të përshkallëzohen në një konflikt më të madh në Europë pas luftës së Rusisë në Ukrainë, Stoltenberg u përgjigj në mënyrë të paqartë, pothuajse duke u përpjekur t’a shmangë, ndaj tha se kjo “nuk do të thotë se NATO tërhiqet prej zgjidhjes politike”. Të gjitha këto janë arsye për shqetësime rajonale, madje edhe më të gjera, të cilat janë motivim i mjaftueshëm për të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit për të mbështetur mbajtjen e një sesioni të veçantë.