Ambasada gjermane: Përparimi kërkon institucione të qëndrueshme, është për të ardhur keq që Kosova po humb kohë me edhe një palë zgjedhje
Ambasada gjermane në Prishtinë, në përgjigje të pyetjes së Kosovo online lidhur me shpërndarjen e kuvendit, theksoi se mbetet një partner i afërt i Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, duke vlerësuar se një cikël i ri zgjedhor përbën humbje të kohës së çmuar, megjithëse është i paraparë me Kushtetutë.
Ambasada në përgjigjen për portalin tonë thekson se përparimi drejt integrimeve euroatlantike është i mundur vetëm me institucione plotësisht funksionale, të qëndrueshme dhe efikase, me mandat të plotë.
Në këtë kontekst, vlerëson se është për të ardhur keq që humbet kohë e çmuar për shkak të një raundi tjetër të zgjedhjeve parlamentare.
“Gjermania mbetet një mik i afërt dhe partner i përkushtuar i Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike. Përparimi në këtë rrugë kërkon institucione me mandat të plotë që funksionojnë, janë të qëndrueshme dhe efikase. Në këtë kontekst, është për të ardhur keq që humbet kohë e çmuar për shkak të një raundi tjetër të zgjedhjeve parlamentare”, thuhet në përgjigjen e ambasadës.
Theksohet se një proces i tillë është i paraparë me Kushtetutën e Kosovës dhe se tani është thelbësore që të ndërmerren dhe zbatohen të gjithë hapat e nevojshëm pa vonesë.
“Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme të theksohet se një proces i tillë është i paraparë me Kushtetutën e Kosovës. Prioritet tani duhet të jetë sigurimi që të gjithë hapat e nevojshëm të ndërmerren dhe të zbatohen pa vonesë, në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe vendimet përkatëse të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë.
0 komentet