Ambasadori Fazli: Teherani nuk do të heqë dorë nga mbështetja për integritetin territorial të Serbisë
Ambasadori i Iranit në Beograd, Mohamad Sadek Fazli, deklaroi sot se synimi i tij gjatë mandatit është të thellojë rrënjët e miqësisë së çmuar me Serbinë dhe theksoi se Teherani nuk do të heqë dorë nga mbështetja për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë, si dhe se pikërisht për rëndësinë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare i fton edhe vendet e tjera të shmangin standardet e dyfishta, transmeton RTV.
Fazli në një intervistë për Tanjug theksoi se për Teheranin, Serbia është një vend i pavarur dhe i lirë, me një popull krenar që gjatë historisë ka mbetur besnik parimeve të veta.
"Që të dy shtetet ndjekin politikë të jashtme të pavarur në realizimin e interesave të tyre kombëtare dhe ndodhen në dy rajone të ndryshme gjeografike; si themelues të Lëvizjes së të Painkuadruarve, ato ndajnë qëndrime të afërta për zhvillimet globale, veçanërisht për kalimin e rendit ndërkombëtar nga unipolar në multipolar", tha ambasadori, sipas RTV-së.
Irani, shtoi ai, e konsideron respektimin e shteteve, sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial si parime themelore të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe në përputhje me këtë mbështet në mënyrë të qëndrueshme ruajtjen e integritetit territorial të Serbisë dhe kundërshton separatizmin dhe çdo cenim të sovranitetit të shteteve.
"Kjo është përcaktimi ynë i përhershëm dhe parimor, dhe prej tij nuk heqim dorë", tha ambasadori, i pyetur nëse Teherani do ta mbajë qëndrimin e tij parimor për mosnjohjen e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës.
Sipas tij, të dy vendet, pavarësisht se ndodhen në dy rajone të ndryshme gjeografike, kultivojnë marrëdhënie miqësore dhe bashkëpunojnë shumë mirë në fushën e politikës, kulturës, sportit, shkencës, bujqësisë, industrisë, turizmit, si dhe në çështje që lidhen me familjen dhe gratë, dhe ai theksoi se Irani do të marrë pjesë në ngjarjen globale Expo 2027.
Fazli thekson se, me qëllim të formësimit të një bashkëpunimi më efikas, së fundmi ka vizituar Novi Sad dhe Novi Pazar, duke pasur parasysh faktin se Serbia posedon kapacitete dhe mundësi të avancuara dhe të rëndësishme, ashtu siç Irani ka arritur përparime të mëdha në fusha të ndryshme industriale, joindustriale dhe teknologjike.
Ambasadori, i cili mori detyrën në Serbi para tre muajsh, tha se sheh potencial të madh në mundësinë që një pjesë e diasporës iraniane, e cila numëron rreth shtatë milionë njerëz, të udhëtojë përmes Beogradit drejt vendeve perëndimore ku jeton.
Duke folur për sanksionet e vendosura kundër Iranit, ai theksoi se ato janë një mjet i paligjshëm presioni.
"Me sanksionet ekonomike, financiare dhe bankare shkelet e drejta themelore e njeriut — e drejta për zhvillim, jetë, shëndet dhe arsim. Masa të tilla, që rrezikojnë shëndetin dhe jetët, përbëjnë 'krim kundër njerëzimit'", tha ambasadori Fazli dhe shtoi se SHBA duhet të përgjigjet për të gjitha masat e kundërligjshme dhe çnjerëzore.
0 komentet