Asamblistët e katër komunave në veri votuan daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës

SO Severna Mitrovica
Burim: Kosovo Online

Asamblistët në kuvendet lokale të katër komunave në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, votuan sot për daljen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sipas procedurës, çdo vendim i miratuar në kuvendin lokal duhet të kalojë edhe përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal.

Katër komunat në veri me shumicë të popullsisë serbe iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës në vitin 2023, pasi vendimet për këtë u morën nga asamblistë me shumicë shqiptare në këto komuna, të zgjedhur në zgjedhje që serbët i bojkotuan.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq, i cili mori detyrën në fillim të këtij muaji, deklaroi sot se një nga arsyet e daljes nga Asociacioni është fakti se anëtarësimi në AKK ishte një vendim politik i një partie, e jo vullnet i qytetarëve.

“Përbërja e mëparshme e kuvendit e mori vendimin për anëtarësim në AKK pa debat publik dhe pa pëlqimin e qytetarëve. Në të ardhmen, qytetarët do të vendosin nëse dëshirojnë të jenë anëtarë të asociacioneve”, tha Radojeviq.

Kryetari i Komunës së Zveçanit, Dragisha Milloviq, tha se anëtarësimi në këtë Asociacion ishte një vendim politik me të cilin nuk pajtohen udhëheqja e re e komunës dhe qytetarët e saj, si dhe se Asociacioni nuk ka sjellë asnjë përmirësim për qytetarët e Zveçanit.

“Siç e dini, në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në vitin 2013 në Bruksel, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ndër të tjera u arrit edhe marrëveshja për formimin e Asociacionit të Komunave serbe. Fatkeqësisht, tash e 13 vjet, pavarësisht se parlamenti në Prishtinë e ka verifikuar këtë marrëveshje me shumicë dy të tretash, ne ende presim formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Ndërkohë, udhëheqja e mëparshme, mendoj se me një vendim politik, ka vendosur që Komuna e Zveçanit t’i bashkohet Asociacionit të Komunave të Kosovës – pa dijeninë dhe pëlqimin e shumicës së qytetarëve tanë. Gjatë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë përmirësim për qytetarët tanë, përkundrazi shohim se sa e devastuar është komuna dhe sa e prapambetur është në aspektin infrastrukturor. Një nga arsyet është edhe fakti se kemi qenë të detyruar ta mbështesim financiarisht këtë Asociacion, ndërkohë që buxheti ynë është i zbrazët”, tha Milloviq.

Asamblistët e Leposaviqit gjithashtu vendosën për daljen e Komunës së Leposaviqit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës. Ky vendim u miratua me shumicë votash: 12 asamblistë votuan “pro”, një ishte kundër, ndërsa një ishte i përmbajtur.

Vendimi për daljen nga AKK në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut u mor me 13 vota “pro” dhe një të përmbajtur, nga gjithsej 14 asamblistë që votuan.

Ndërkohë, Këshilli i Bashkimit Evropian më 16 dhjetor miratoi konkluzione për Kosovën dhe theksoi nevojën për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe (AKS), si dhe për zbatimin e plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, përfshirë edhe Marrëveshjen e vitit 2023.

“Pritet që Kosova t’i zbatojë plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Beograd–Prishtinë, gjë që përfshin formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, si dhe të fillojë përmbushjen e obligimeve të saj nga Marrëveshja e vitit 2023 duke nisur procesin që çon drejt aranzhimeve konkrete dhe garancive ‘për një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë’, në përputhje me nenin 7”, thuhet në raport.

Kujtojmë se Komuna e Mitrovicës së Veriut më 22 gusht 2023 u pranua njëzëri në Asociacionin e Komunave të Kosovës (AKK). Procedurën për anëtarësim në këtë Asociacion e kishte iniciuar atëherë kryetari shqiptar i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, i zgjedhur në zgjedhje që serbët i bojkotuan.

Kuvendi Komunal i Zveçanit më 15 shtator 2023 votoi për anëtarësimin e kësaj komune në Asociacionin e Komunave të Kosovës.

Komuna e Leposaviqit iu bashkua AKK-së gjithashtu në shtator të vitit 2023, kur u konstituua Kuvendi i mëparshëm Komunal, ndërsa Kuvendi Komunal i Zubin Potokut po ashtu votoi për anëtarësim në AKK gjatë vitit 2023.