Avokati i Popullit: Parregullsi në procesin e ndarjes së shtesës për fëmijë, fëmijët serbë të diskriminuar
Institucioni i Avokatit të Popullit ka zhvilluar hetime me iniciativë zyrtare pas pranimit të ankesave të shumta, kryesisht nga komuniteti serb, lidhur me ndërprerjen e pagesës së shtesës për fëmijë. Siç është njoftuar, procesi i verifikimit të dokumentacionit ishte në kundërshtim me parimet e procedurës administrative, gjë që çoi në shkeljen e parimit të sundimit të ligjit dhe vendosi fëmijët e komunitetit serb në pozitë të pabarabartë.
Ankuesit kanë njoftuar se i pranonin shtesën për fëmijë nga shtatori i vitit 2021 deri në dhjetor të vitit 2024. Ndërkohë, në periudhën gusht–dhjetor 2024, Departamenti i Skemave Sociale (DSS) në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), u kërkoi përfituesve të verifikojnë dokumentacionin e tyre për shtesën e fëmijës.
Ankuesit kanë vepruar sipas udhëzimeve të DSS-së duke dorëzuar dokumentet përmes qendrave për punë sociale dhe më pas edhe me postë. Megjithë këto veprime, pagesa e shtesës për fëmijë është ndërprerë, pa ndonjë njoftim apo shpjegim për këtë çështje, thuhet në njoftimin e Institucionit të Avokatit të Popullit.
Shtojnë se nga disa përfitues të komunitetit serb është kërkuar të paraqiten në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për të verifikuar statusin e tyre të banimit. Kjo është bërë për shkak se provat e paraqitura, siç janë vërtetimet nga shkollat që ndjekin fëmijët e tyre dhe evidencat e vaksinimit, nuk janë njohur nga sistemi shtetëror.
Gjatë hetimit të rastit, Avokati i Popullit kërkoi nga zyrtarët e DSS-së t’i dorëzojnë të gjitha kopjet e vendimeve dhe udhëzimeve mbi të cilat është bazuar puna e këtij departamenti, por deri në përpilimin e këtij raporti, Avokati i Popullit nuk i ka pranuar këto dokumente.
„Dokumente të tilla, si Vendimi i 31 tetorit 2024, i cili parasheh procesin e verifikimit të dokumenteve, por që nuk përmend dokumente shtesë që janë kërkuar nga qytetarët përmes postës elektronike, dhe dokumente të tjera, nuk janë publikuar“, thekson Avokati i Popullit.
Avokati i Popullit ka konstatuar se veprimet e Ministrisë dhe praktikat e saj ndoshta nuk kanë pasur për qëllim të shkelin të drejtat e qytetarëve, por i gjithë procesi i verifikimit ka qenë në kundërshtim me parimet e procedurës administrative.
„Dhe kjo ka pasur një efekt zingjiror në shkeljen e parimeve të sundimit të ligjit, veçanërisht ndaj fëmijëve të komunitetit serb, duke i vendosur ata në pozitë të pabarabartë dhe të pafavorshme, gjë që në fakt përbën diskriminim mbi bazën e përkatëse etnike“, thuhet në njoftim.
Në një letër drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Avokati i Popullit ka rekomanduar që pa vonesa të mëtejshme të publikohen të gjitha vendimet, udhëzimet dhe kushtet që lidhen me procesin e verifikimit të dokumentacionit për qytetarët që përfitojnë shtesën për fëmijë, në mënyrë të qartë dhe transparente, në të dy gjuhët zyrtare.
komentet