BE: Dënojmë konfliktet në veri të iniciuara nga përpjekja e kryekomunarëve të porsazgjedhur për të hyrë në godinat komunale
Bashkimi Europian dënon ashpërsisht konfliktet mes policisë kosovare dhe demonstruesve në veri të Kosovës, të iniciuara nga tentativa e kryekomunarëve të porsazgjedhur për të hyrë në godinat komunale, ka bërë të ditur zëdhënësi i Shërbimit Evropian për Politikë të Jashtme.
"Shprehim mjaft keqardhje për sulmin ndaj patrullave të misionit civil të BE në Kosovë, Euleksit. Ky i fundit duhet t'i lejohet paqësisht të kryejë mandatin e vet. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-eskaluar situatën e tensionuar dhe menjëherë të rivendosin qetësinë. BE nuk do të pranojë aksione të njëanshme dhe të mëtejshme apo provokative. Ruajtja e paqes dhe sigurisë në terren, duhet të jetë prioritet", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu u tha se BE vazhdimisht thekson se zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë në komunat në të cilat janë zhvilluar.
“Të tilla zgjidhje mund të gjenden veçse përmes dialogu të vërtetë mes të gjithë aktorëve kryesorë, të cilët përfshijnë Kosovën, Sërbinë dhe komunitetin sërb të Kosovës-me ndihmën e BE” thuhet në deklaratë.
komentet